Parandalimi i sëmundjeve të veshkave

Parandalimi i sëmundjeve të veshkave

Për të parandaluar sëmundjet renale, duhet pasur parasysh se të gjithë ne duhet të bëjmë një ekzaminim të thjeshtë të urinës, të paktën një herë në vit, në kuadër kjo të një kontrolli të përgjithshëm që duhet të bëhet rutinë.

Pacientët me infeksione urinare kronike, duhet të kryejnë kontrolle më të shpeshta, një herë në 6 muaj, të mbajnë një dietë të caktuar, të pinë lëngje shpesh gjatë ditës, dhe të urinojnë gjithmonë përpara se të flenë.

Pacientet diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën. Po kështu, dhe pacientët hipertensivë, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike.

Pacientët me insuficiencë renale kronike, duhet të kryejnë kontrolle të shpeshta tek mjeku nefrolog, të paktën një herë në tre-katër muaj, duke bërë dhe një bilanc të përgjithshëm, për të parë ecurinë e sëmundjes. Në këtë mënyrë, mjekimi i rregullt i tyre me medikamente nefroprotektore, do të ngadalësojë progresionin e sëmundjes.

Gjithashtu, pacientët e transplantuar, duhet të ndiqen në mënyrë të rregullt nga mjeku nefrolog, për të vlerësuar efikasitetin e trajtimit, për të parandaluar flakjen e organit të transplantuar, si dhe për të vlerësuar efektet anësore të terapisë me imunosupresorë. Pra, si përfundim, secili nga ne, duhet t’i kushtojë rëndësi aparatit te tij urinar, duke bërë një kontroll, të paktën një herë në vit dhe kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një sërë sëmundjesh qe prekin v veshkat.

Si mund të bëhet mjekimi
Sëmundjet e veshkave mund të trajtohen. Sa më shpejt të diagnostikohen këto sëmundje, aq më shpejt dhe më mirë ju mund të ndikoni në ruajtjen e mirë të funksionit të tyre.

Mjekimi i sëmundjeve të veshkave është në varësi të sëmundjes bazë dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese. Një pacient, që diagnostikohet me infeksion urinar, nuk duhet të nxitojë asnjëherë të marrë një terapi me antibiotikë, pa bërë në fillim një antibiogramë për identifikimin e mikrobit shkaktar. Në këtë mënyrë, mjekimi i infeksionit, është më efikas dhe mënjanon krijimin e rezistencave ndaj antibiotikëve. Gjatë infeksioneve urinare, pacientët nuk duhet të harrojnë të pinë lëngje në sasi të konsiderueshme, ujë ose çajra, që stimulojnë urinimin, si çaji i boronicës, i cili mendohet të jetë efikas në infeksionet me escheria coli, duke qenë se nxit eliminimin e saj.

Rreth 4-5 ditë pas mbarimit të terapisë, pacienti duhet të përsërisë një analizë urine kontroll, për të parë nëse terapia me antibiotikë, ka qenë efikase apo jo. Mjekimi i glomerulonefriteve është shumë më kompleks dhe duhet të paraprihet, pothuajse gjithmonë, nga një biopsi e veshkave.

Mbas vendosjes së diagnozës me biopsinë renale, fillon një trajtim specifik me medikamente që tentojnë të ulin forcat imunitare, i shoqëruar ky dhe me një trajtim jospecifik.Trajtimi jospecifik nënkupton trajtimin e hipertensionit, yndyrave të rritura. Mjekimi i glomerulonefrive është i zgjatur në kohë dhe bëhet sipas disa skemave të përcaktuara.

Shenjat që shfaqen
Ndryshime të urinimit
Edemat
Lodhje
Të vjella
Vështirësi në frymëmarrje
Dhimbje mesi

One Comment

  1. Nena ime vuan qe 1 vit nga veshket ( sindromi nefrotik )- vehska proshon proteina me shume , eshte kuruar me kortikosteroidet simpomtat i ka me edema , te vjella , shija e ushqimit si hekur , marramendje, tensioni e ka zakonisht TA/200/100, medikamentet jane

    spirolaktone , edemid forte , farin, omistat .etj

    nefrologu na ka udhezu qe ti bejme biopsin e veshkeve .

    Ju lutem te rekomandoni se a duhet ta beje biopsin si dhe mos eshte bere imun ndaj medikamenteve.

    me respekt Gezimi Nga Prishtina

Komento