Përgëzimet e kota ulin vetëbesimin e fëmijës

Përgëzimet e kota ulin vetëbesimin e fëmijës

Përgëzimet e kota ulin vetëbesimin e fëmijësPavarësisht fakteve të panumërta, ekziston një mit kulturor i gabuar që talenti vlen më shumë se puna e vazhdueshme për të arritur një sukses të caktuar.

Psikoanalisti Stephen Grosz në librin e tij “Jeta në shqyrtim: Si e humbim dhe e gjejmë vetveten” tregon se si përgëzimet ndaj cilësive apo “talenteve” ndikojnë në humbje të vetëbesimit.

Në kohët e sotme, fëmijët përgëzohen tej mase sepse njerëzit besojnë se përgëzimet, vetëbesimi dhe performanca akademike janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Në fakt studimet e dekadës së fundit tregojnë se kur një fëmijë përgëzohet më shumë për cilësitë që ka sesa për përpjekjen apo punën që bën, aftësitë e fëmijës bien. Nëse një fëmijë përgëzohet si “i zgjuar”, kjo nuk e ndihmon atë në ecuritë akademike, madje mund ta pengojë. Shpesh një fëmijë u përgjigjet këtyre përgëzimeve me ndërprerje të përpjekjeve duke pyetur veten pse duhet të mësosh më shumë kur tashmë je i zgjuar?

Grosz shpjegon se përgëzimet që u jepen fëmijëve sot u shtojnë atyre ankthin dhe u ulin vetëbesimin dhe motivimin për të punuar. Dhënja e këtyre përgëzimeve pa kufi shërben më shumë për ngritjen e vetëbesimit të prindërve sesa për kultivimin e një vetëbesimi të shëndetshëm tek fëmija. Admirimi i fëmijëve tanë e ngre momentalisht vetëbesimin tonë si prind duke u treguar njerëzve përreth sa prindër të mirë jemi dhe sa fëmijë të shkëlqyer që kemi, por nuk ndihmon fare ndërtimin e vetvetes tek fëmija. Duke u munduar të bëjmë ndryshe nga prindërit tanë, ne bëjmë ekzaktësisht të njëjtën gjë. Ne japim përgëzime boshe ashtu siç prindërit tanë na kanë dhënë kritika pa vend. Të dyja këto tregojnë se sa indiferentë jemi ne kundrejt botës dhe ndjesive të fëmijës sonë.

Grosz sugjeron se përgëzimet duhet të fokusohen në sasinë e përpjekjeve që bën fëmija. Përpjekjet më të mëdha meritojnë përgëzimet më të mëdha. Për këtë, ne duhet të jemi shumë të pranishëm dhe të vëmendshëm ndaj fëmijëve tanë. Prania me përkushtim maksimal të vëmendjes kundrejt fëmijës, shokut, apo vetes është gjithmonë puna më e vështirë, por në fund të fundit a nuk është kjo vëmendje e pandarë një ndjesi e mirë se dikush vërtet kujdeset për ty dhe se kjo është shumë më e rëndësishme sesa një përgëzim kot?

Komento