Përmeti dhe Himara, qendra madhore të turizmit. Ja plani!

permeti

permetiPërmeti dhe Himara janë dy prej qyteteve që kanë pësuar ndryshimin më të madh gjatë viteve të fundit.

Në kuadër të programit të Rilindjes Urbane, Përmeti ka tashmë një shëtitore të re qëndrore, ndërsa e gjithë vija bregdetare e Himarës është transformuar dhe rikonceptuar, duke rritur ndjeshëm potencialin turistik të qytetit.
Megjithatë, në kuadër të projekteve të paketës së “One Billion”, paketës më të madhe të investimeve të parashikuara ndonjëherë nga shteti shqiptar, gjatë tre viteve të ardhshme pritet që të dy këto qytete të transformohen sërish, duke u shndërruar në atraksione kyçe turistike në Shqipërinë e Jugut.

Pas shpalljes së Përmetit një qendër e mbrojtur historike, përmes një VKM-je në 21 janar 2017, pritet një rehabilitim i plotë i qendrës historike dhe zonave të mbrojtura të qytetit, përfshirë Kishën e Shën e Premtes, e ndërtuar në vitin 1776, dhe e shpallur monument kulture e kategorisë së parë; Kishën e Shën Kollit e shekullit 19-të apo gjurmët e rrugës e rrugicat e ngushta me kalldrëme, të fillimit të shekullit 19-të.

Gjithashtu, në tre vitet e ardhshme pritet që projekti të përqendrohet edhe në rehabilitimin e plotë të zonës së ujrave termale në Bënjë, si dhe të zonës historike të Rehovës. Një tjetër ndërhyrje do të realizohet në brendësi të qytetit, duke rehabilituar Parkun Qëndror të qytetit.
Përmeti do të përfitojë tërthorazi edhe nga një projekt shtesë, për rehabilitimin e plotë të 20 kështjellave dhe kalave, të ndodhura në Qarkun e Gjirokastrës.
Në Himarë, do të ndërhyhet në rrugët me potencial të lartë turistik, si Rruga e Manastirit, Rruga Stefanel, si dhe do të ndërhyhet në rehabilitimin e Kalasë, rrugicave të saj dhe rrugëve të brendshme të qytetit.
Do të restaurohet kalaja e Porto Palermos, Kisha e Vasiliqisë, si dhe pritet të ndërtohet një muze i Nëndetësve në Porto Palermo. Gjithashtu do të asfaltohet rruga Qendër Borsh-Haliq-Plasë Plazh.
Paralelisht, si Përmeti dhe Himara, ashtu si dhe shumë qytete të tjera turistike të vendit, do të përfitojnë nga projekti që ka nisur të zbatohet për manaxhimin e integruar urban dhe turistik, një projekt i sponsorizuar nga Banka Botërore, i fokusuar eksluzivisht në rritjen e potencialit turistik të këtyre rajoneve.
Falë këtyre projekteve, synohet që deri në vitin 2021, numri i turistëve të huaj dhe atyre vendas që vizitojnë Përmetin dhe Himarën të dyfishohen./Lexo.al/

Komento