Përparesitë e qumeshtit të nënës në krahasim me llojet e tjera të qumështit

qumeshti nenes

Qumështi i nënës është qumështi më i përshtatshëm për beben tuaj.

Qumështi i nënës përmirëson imunitetin e bebes, e mbron atë nga bakteriet dhe viruset.

Përbërja e qumështit të nënës nuk është çdo herë e njejtë. Kulloshtra është e përshtatshme për foshnjën e porsalindur. Qumështi i mëtejshëm i nënës ndryshon çdo dite, deri edhe nga një ushqyerje në tjetrën.

Dhënia e çdo ushqimi tjetër, qoftë edhe shtimi i ujit zvogëlon dobitë që jep qumështi i nënës.

Pra, duhet të jeni të sigurt që qumështi juaj dhe vetëm qumështi juaj është me i miri për foshnjën tuaj!

Kulloshtra

Kulloshtra fillon të krijohet në gji në muajin e shtatë të shtatzënisë.  Kulloshtra, një lëng i dendur, i ngjitur dhe me ngjyrë të verdhë, përbën ushqimin e parë e më të mire për bebën tuaj për arsyet e mëposhtme:

• Përmban më tepër proteina dhe vitamine A në krahasim me qumështin që pason.

• Kulloshtra ndihmon të porsalindurit per eliminimin e mbeturinave të para të zorrës (fekaleve).

• Është gjithashtu efikase për eleminimin e produkteve të zbërthyera nga bilirubina dhe zvogëlon kështu rrezikun për paraqitje të verdhëzës së foshnjës.

• Imunoglobulinat (kryesisht IgA) e kulloshtrës i mundësojnë të porsalindurit mbrojtje nga infeksionet.

Kulloshtra është “vaksina” e pare për të porsalindurin kundër shumë baktereve dhe viruseve.

Zëvendësimi me ujë ose qumësht artificial i ushqyerjeve të para të fëmijës e pakëson prodhimin e kulloshtrës dhe qumështin ne tërësi. Prandaj është shumë e rëndësishme që kulloshtra të mos hidhet, por ti jepet fëmijës jo vetëm për dobitë që ka, por edhe për këtë aspekt të sajin.

Dr. Anila Godo

Prof. Dr. Edi Tushe

Burimi: Mjekesia.com

Komento