Personaliteti, si ta krijosh te fëmija

Personaliteti, si ta krijosh te fëmija

Fëmjët sapo janë ngritur në këmbë dhe formimi i personalitetit të tyre është shumë i rëndësishëm. Formimi i personalitetit është krijimi i disa vlerave, qëndrimeve dhe besimeve, me të cilat njeriu reagon ndaj situatave dhe njerëzve.

Gjashtë vitet e para të jetës janë shumë të rëndësishëm dhe vendimtarë në formimin e personalitetit, pasi këto janë pikërisht gurët e themelit mbi të cilat do ngrihen më pas “muret”. Ja disa nga gjërat që duhen mbajtur parasysh për fëmijët e moshës 18-36 muajsh:

 

Detyra e parë është zgjedhja midis besimit apo mosbesimit.

Pasi të ketë zgjidhur këtë çështje besimi tek të tjerët dhe mjedisi rrethues në 18 muajt e parë të jetës, fëmija duhet të përballet me një detyrë të dytë e cila lidhet me besimin tek aftësitë personale.

Detyra e dytë është zgjedhja midis autonomisë apo dyshimit dhe turpit.

Mendoni pak për aftësitë që një fëmijë ka fituar deri në moshën 18 muajsh ka arritur të shkëputet nga gjiri, të hajë vetëm duke përdorur lugën dhe pirunin, është ngritur në këmbë, ka filluar të thotë fjalët e para, etj. Pra, ai tashmë ka arritur një farë pavarësie nga nëna. Ndërkohë gjatë moshës 18-36 muajsh, fëmija do të mësojë të jetë i pavarur dhe më autonom në aktivitetin dhe të menduarin personal ose do të mësojë të ketë dyshime mbi aftësitë e tij dhe t’i vijë turp nga vetja.

Ndryshe nga më parë, ku figura kryesore ishte nëna, në këtë periudhë fëmija ka dy figura kryesore: nënën dhe babanë.

Tashmë fëmija ka arritur atë zhvillim muskular që e lejon atë të provojë njëkohësisht dy modalitete shoqërore: përmbajtjen dhe spontanitetin (ta lërë të ecë). Këto modalitete herë interpretohen si qetësi dhe mençuri, herë shikohen si neglizhim dhe tendencë për shkatërrim. Prandaj edhe prindërit gjatë edukimit dhe rritjes së fëmijës në këtë moshë duhet të theksojnë fort dhe ta sigurojnë fëmijën se pavarësisht nga dëshira e tij për t’u rebeluar, për të qenë i lirë dhe i pavarur, ai vazhdon të jetë fëmija i tyre. Pra, prindërit duhet ta inkurajojnë, ashtu sikurse bëjnë kur fëmija duhet të ngrihet në këmbë (fizikisht), duhet ta mbështesin që të mos ketë turp apo dyshim tek aftësitë e veta për t’ja dalë mbanë.

Turpi shpesh ngatërrohet me ndjenjën e fajit por nuk është kështu. Turpi është një gjendje gjysmë e ndërgjegjshme, ku fëmija e kupton se është i ekspozuar ndaj të tjerët, por nga ana tjetër nuk është gati të jetë kaq i dukshëm.

Dyshimi është vëllai i turpit.

Ky stad ka shumë rëndësi pasi përcakton raportet e dashurisë dhe urrejtjes, të shpirtit të bashkëpunimit dhe tendencës për të dominuar; lirshmërisë për të shprehur vetveten dhe shtypjes së vetes.

Fëmija në këtë moshë thotë: “Unë jam ajo ç’ka unë mund të bëj me aftësitë e mia”.

Nëqoftëse fëmija frenohet në aftësitë e tij, ai do të provojë ndjenjën e turpit dhe të dyshimit për aftësitë e tij. Rreth 16-18 muajsh, fëmija flet me “JO”. Ai shijon kundërshtimin, ndonëse nuk e kupton mirëfilli çfarë do të thotë “Jo”-ja e tij, por ai kupton nervozizmin apo habinë e prindërve kur ai thotë “Jo”. Të mos respektosh JO-në e fëmijës, do të thotë të mos respektosh nevojat e tij, sepse është nevojë e tij të mësojë të kundërshtojë dhe të pranohet pa u penalizuar.

Por nga ana tjetër, duhet të ketë një ekulilibër, pasi fëmijët e rritur me liri pa kufi, bëhen të rritur tekanjoz,  impulsiv dhe jo realist. Nëse të rriturit nuk e lënë fëmijën të lirë dhe i vendosin shumë kufij – JO dhe MOS – ai do të bëhet një i rritur i turpshëm, inferior dhe shumë perfeksionist.

Nëse te fëmija ushtrohet presion ose dhunë për mësimin e tualetit, ai do të bëhet një i rritur me vetëvlerësim të ulët dhe të lëkundur.

 

Prindërit duhet të krijojnë mjedisin e përshtatshëm për fëmijën që të eksperimentojë dhe njohë sa më shumë nga mjedisi dhe vetja. Ja disa këshilla të thjeshta për të ndihmuar fëmijën tuaj të arrijë konfidencialitetin tek vetja dhe një nivel të kënaqshëm autonomie:

Duke njohur më shumë çfarë është i aftë të bëjë një fëmijë i kësaj moshe. Interesohuni pranë librarive, bibliotekave ose specialistëve që kujdesen për fëmijën tuaj dhe mësoni sa shumë gjëra dinë fëmijët tuaj. Gradualisht ata shkathtësohen: ecin, ushqehen, pastrohen, vishen vetë dhe flasin. Të gjitha këto janë shprehitë më të nevojshme që do të na shoqërojnë gjatë gjithë jetës. Me kalimin e viteve ato vetëm përmirësohen ose kthehen në sjellje automatike.

Duke respektuar dëshirën e fëmijës për të mësuar gjëra të reja. Fëmijët pyesin shumë. Ndihmojini ata të gjejnë përgjigjet. Ju jeni aty pikërisht, sepse keni më shumë përvojë jetësore apo njohuri të caktuara profesionale, ndajini ato me fëmijën tuaj. Ndihmojeni fëmijën tuaj të arrijë atë që do: të hapë një kavanoz, të ngjisë shkallët për në tarracë, të shtrojë tavolinën, të kujdeset për vëllanë ose motrën më të vogël, të presë figura me gërshërë apo të ndezë zjarrin në oxhak.

Duke e lënë të lirë të provojë veten në situata të reja. Fëmija do të flasë me njerëz të rinj, do të luajë me fëmijët e tjerë në park, do të zhytet në legenin me ujë, do të trembë dikë duke ulëritur papritur te veshi etj. Kini parasysh se fëmija do të mësojë diçka nga të gjitha këto eksperienca, ndaj përpiquni të menaxhoni frikërat apo dyshimet tuaja për mirëqenien e tij.

Duke mos bërë për të gjëra që ai mund dhe di t’i bëjë vetë. Vjen një moshë (12-14 muajsh) dhe fëmija mund të hajë vetë, pavarësisht se mund të bëhet pis. Lëreni të ushqehet vetë; vishini rroba jo të shtrenjta. Fëmijët shkathtësohen dhe mund të veshin vetë një bluzë ose një fustan. Merrni pak nga koha juaj e tualetit dhe ndihmoni fëmijën vetëm të lidhë lidhëset e atleteve apo të mbërthejë kopsat e mbrapme të fustanit. Mendoni se kështu e ndihmoni vërtet fëmijën tuaj; ju s’do mund të jeni çdo çast me të.

Duke qenë gjithnjë prezent në jetën dhe ditën e fëmijës, për t’i dhënë udhëzimet dhe mbështetjen e nevojshme. Mos u zhdukni nga qarkullimi. Mos i lini fëmijët të lirë pa kufij. Fëmija ka nevojë të dijë se cilat janë sjelljet e lejueshme dhe cilat jo, cilat janë sjellje shpërblyese dhe cilat janë sjellje që ndëshkohen. Fëmija ka nevojë për ndihmën dhe inkurajimin tuaj për të çuar deri në fund një proces të caktuar. Shpeshherë ju duhet të thoni fjalën e parë të vjershës që fëmija të fillojë të recitojë. Ju duhet ta ndihmoni hapë një kanaçe dhe ta lini pastaj ta derdhë vetë lëngun nga kanaçja në gotë.

Krijoni kushtet për aktivitete të reja, eksploruese dhe krijuese për fëmijët tuaj. Blini lodra jo të kushtueshme, të përbëra nga shumë pjesë, funksionale nga të cilat fëmija juaj vërtet mund të mësojë diçka.

Komento