Pjeshkat, kumbullat dhe nektarinat – shpresa e re kundër shëndoshjes

Pjeshkat, kumbullat dhe nektarinat - shpresa e re kundër shëndoshjes

Frutat me bërthamë, si pjeshkat, kumbullat dhe nektarinat përmbajnë përbërës bioaktivë, të cilët ndihmojnë në luftën kundër trashjes, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare, kanë vërtetuar hulumtimet e shkencëtarëve amerikanë.

Studimet kanë treguar që komponimet nga këto pemë mund të përdoren në luftën kundër sindromës metabolike, e cila mund të çojë tek problemet serioze shëndetësore.

“Në disa vite të fundit trashësia është bërë problem i madh i shoqërisë për shkak të problemeve shëndetësore që i shkakton. Në SHBA 30 për qind e popullatës ka peshë të tepërt trupore ose është mbipeshë, ndërsa ky numër rritet çdo vit”, ka thënë doktor Luis Cisneros-Zevallos.

Edhe pse stili i jetës, predispozitat gjenetike dhe ushqimi i keq përcaktojnë prirjen ndaj trashjes, shqetësimi më i madh i mjekëve është trashja e lidhur me sindromën metabolike.

“Studimet tona kanë treguar që frutat me bërthama, siç janë pjeshkat, kumbullat dhe nektarinat përmbajnë substanca që në mënyrë të suksesshme mund të luftojnë me trashjen, diabetin dhe inflamacionet. Po ashtu, mund të reduktohet niveli i kolesterolit të keq në gjak i cili është i lidhur me sëmundjet kardiovaskulare”, ka deklaruar ai.

Ajo çka i bën të veçanta këto pemë është përzierja e komponimeve bioaktive, të cilat njëkohësisht veprojnë në komponentët e ndryshëm të sëmundjes.

Komento