Pylli i Amazonës

Pylli i Amazonës

Gjarpri mbytet duke e shtrënguar pak nga pak. “Chief” James flet si kreu i vjetër i një tribuje, ndërsa indigjenët që jetojnë në brigjet e lumit Xingu, e dëgjojnë me vëmendjen maksimale që duhet t’u kushtosh njerëzve të një kalibri të tillë.

Kështu po vret bota e civilizuar: ngadalë. Duke hyrë dalëngadalë në pyll dhe duke shkatërruar botën e dikurshme”.

Kjo ndoshta mund të jetë një metaforë, por me gjëra të tilla nuk mund të bëhet shaka: një gjarpër jeshil i zemëruar del nga poshtë një peme dhe shkon drejt e te këmbët e James.

Regjisori nuk e jep vetes, ndërsa krerët e tribusë me të cilët ndodhet, i kërkojnë që të vazhdojë. E në fakt nuk mjafton një gjarpër për të frikësuar njeriun që ka terrorizuar gjysmën e botës së civilizuar me “Aliens”. Mirë se erdhët në zemër të Amazonës! Tani është koha të hidhni bast për betejën e fundit të James Cameron.

Regjisori i “Avatar” nuk dëshiron që parajsa e fundit mbi tokë të fundoset siç ndodhi me “Titanic”. Kështu, në moshën 70-vjeçare ka marrë përsipër një nga kryqëzatat më të rëndësishme ambientaliste: atë për të shpëtuar mushkërinë e gjelbër më të madhe të botës. Për momentin, qëllimi i tij është të ndalojë ndërtimin e digës aq shumë të diskutuar të Bel Montes. Vetëm se kësaj radhe, Cameron nuk ka shumë mundësi për të luajtur me efektet speciale. Amazona është një luftë që duket e humbur pa nisur ende, duke marrë parasysh shifrat që na vijnë nga fjala e tmerrshme me të cilën jemi mësuar të bashkëjetojmë në këta dhjetëvjeçarët e fundit: shpyllëzimi.

Nga 2000-2005 pemët kanë filluar të priten me një ritëm që kap shifrën e 18 për qindëshit në vit. Kjo do të thotë se çdo vit, 22 mijë kilometra katrorë pyll nuk janë më. Me këtë ritëm, brenda 5 vjetësh, nga 5 milionë e 5550 mijë kilometra katrorë do të jenë prerë rreth 40 për qind e tyre, pra gjysma. Janë shifra me të vërtet tronditëse, njëlloj si ato të zotit Cameron. “Avatar” theu rekordin e “Titanic” dhe tregoi se është filmi më i “pasur” në botë me 2.7 miliardë dollarë. Por historia e atij populli që lufton për mbijetesë e ka shndërruar regjisorin kanadez më një lloj “guruje të gjelbër”. Sipas asaj që shkruan “New York Times”, Cameron dhe gruaja e tij e dytë, Suzy Amis (e para ishte Katherine Bigelow që fitoi 6 “Oscar” me filmin “The hurt locker”) janë bërë të famshëm edhe për ndihmesën e tyre për një botë të pastër.

Vila e tyre në Santa Barbara ushqehet me energji të prodhuar nga burime alternative dhe regjisori që drejton vetëm makina hibride, nuk harron të theksojë pëlqimin e tij për ushqimet e freskëta që mbjell në kopsht. Megjithatë, ideja për të shpëtuar Amazonën i ka ardhur thuajse rastësisht. Këtu Cameron kishte vendosur botën fantastike të “Avatar”, por vetë nuk kishte qenë kurrë. Gjithçka ndryshoi kur një ditë Suzy gjeti mes letrave një zarf brenda së cilit ndodhej një ftesë ku shkruhej: Përse nuk e çon burrin tënd të shikojë se si është ndërtuar bota e vërtetë e Pandorës? Ishte Attosa Soltani, drejtor i “Amazon Watch” që e kishte lejuar regjisorin t’i xhironte aty disa pjesë të “Avatar”-it.

Për momentin, Hollivudi mund të presë. Tani qëllimi është ndalimi i ndërtimit të digës së Bel Montes: diga e tretë më e madhe në botë. Ambientalistët thonë se do të përmbytë 500 kilometra katrorë pyll dhe do të prishë lumin Xingu, që është burimi i jetesës për dhjetëra fise vendase. 13 fise indigjene janë mbledhur për t’i shpallur luftë qeverisë, ndërsa Cameron pasi mori pjesë në një takim ambientalistët, fluturoi në zemër të Brazilit, për t’u rreshtuar krah tyre. Ata as që e dinin kush ishte. Për këtë arsye, një natë më parë në shtëpinë e Jose Carlosit, kreut të tribusë Arara, u organizua një mbledhje për të parë në DVD filmin “Avatar”. “Ajo që ndodh në film është ajo që po ndodh këtu”, tha Carlos. Për Cameron nuk mund të kishte dhuratë më të bukur.

Regjisori i suksesshëm i ka vënë qëllim vetes se duhet ta fitojë patjetër këtë çështje, që ka shkaktuar edhe vdekjen e njerëzve. Aktivistët e “Amazon Watch” thonë se regjimi ushtarak donte ta ndërtonte digën dhe qeveria progresiste e Luis Ignacio Silvas e fsheh këtë iniciativë, duke u mbështetur në faktin se do të sjellë energji elektrike në shtëpitë më të varfra të Brazilit. Por e vërteta është ndryshe. Ai do të shërbejë për të “ushqyer centralet e Aloca, ArcelorMitall dhe shumë të tjerë”. “Këta njerëz duhen dëgjuar”, thotë Cameron, që i ka dërguar letër edhe Presidentit Lula. Nuk ka shumë kohë, më 20 prill qeveria do të lancojë fillimin e punimeve.

Një prodhues i veshjeve të brendshme i ka ofruar 50 milionë euro fondacionit “Amazonas Sustentvel”, që mbledh fonde për të shpëtuar pyllin amazonik. Qëllimi është që të ndalohen abuzuesit, të cilët duan të ndërtojnë autostrada, vila shumëkatëshe dhe kazino në vend të xhunglës, por edhe për të ndihmuar indos (indianët e Amerikës), që për të mbijetuar presin pemë për të ndërtuar shtëpi. Vendi më i kërkuar është pylli i Amazonës. Sot 5 milionë e gjysmë hektarë të pyllit janë shitur dhe vendet që i kanë blerë kanë përfituar shumë. Gjithsesi, Amazona ka arritur falë blerësve bujarë ta ulë numrin e prerjeve të pemëve me 2 për qind. “Për të shfrytëzuar pyllin pa e shkatërruar, duhet t‘u bëjmë thirrje edhe indianëve që jetojnë aty”, thotë një ekonomist francez. “Do të ishte ç‘njerëzore nëse do t‘i dëbonim”. Udhëheqësi i “Cool Earth” është shprehur për një gazetë, se do të mjaftonin 50 miliardë dollarë për të blerë të gjithë Amazonën.

Duket se mania për të blerë tokë në Amazonë i ka pushtuar të gjithë pasanikët, me qëllimin e vetëm për ta shpëtuar nga shpyllëzimi. Edhe Cameron ka ndërmend ta bëjë diçka të tillë./Express/

One Comment

  1. nice

Komento