Reflekset e bebit tuaj

Reflekset e bebit tuaj

Shumica e aktivitetit të bebit tuaj në javët e para është refleksive. Refleksi më i dukshëm është ai i frymëmarrjes. Të porsalindurit marrin frymë për herë të parë, edhe pa u prerë ende kordoni i kërthizës, që
ofron oksigjen.

Kur ju fusni gishtin tuaj në gojën e bebit, ai e thith pa u menduar (refleksi i thithjes). Kur i bie drita mbyll sytë, sepse reflekset i thonë të bëjë kështu. Ai ka lindur me shumë përgjigje të tilla fizike jo të qëllimshme ndaj një ngacmimi të caktuar, disa prej të cilave do t’i ngelen për muaj të tërë, ndërsa të tjera largohen mbas disa javësh.

Në disa raste reflekset kthehen në sjellje të vullnetshme. Për shembull bebi juaj ka lindur me refleksin e ‘’rrotullimit’’, që i lejon të kthejë kokën në drejtim të dorës, nëse i prekni faqen apo buzën.

Kjo e ndihmon të gjejë thithin për të pirë. Në fillim ai kthen kokën nga një anë në anën tjetër, deri sa takon thithin dhe e kap. Mbas tre javësh ai vetëm kthen kokën dhe lëviz gojën në pozicionin e thithjes.

Thithja është një refleks që para lindjes. Gjatë një ekografie të bërë gjatë shtatzanisë mund të shihni bebin tuaj të thithë gishtin. Mbas lindjes, nëse një thith (ose diçka e ngjashme) takon gojën e bebit, ai automatikisht fillon të thithë.

Kjo ndodh në dy faza: në fillim ai vendos buzët rreth areolës dhe thithin ndërmjet gjuhës dhe qiellzës. Pastaj fillon faza e dytë, në të cilën gjuha lëviz nga areola te thithi. I gjithë ky proces ndihmohet nga thithja që siguron gjiri në gojën e bebit.

Koordinimi i këtyre lëvizjeve ritmike thithëse me frymëmarrjen dhe gëlltitjen është disi i vështirë për një të porsalindur. Kështu megjithëse ky është një veprim refleksor, jo të gjitha bebet thithin mirë në fillim. Me kohë kjo aftësi përsoset.

Ndërkaq rrotullimi i kokës, thithja dhe futja e gishtit në gojë bëhen më pak reflektive dhe më shumë të qëllimshme. Fëmija fillon të përdorë këto lëvizje për të qetësuar veten.

Kur ju qëllon të shihni se si përpiqet fëmija të thithë çarçafi n apo grushtin e vet, duhet ta ndihmoni në këto përpjekje për tu qetësuar, duke i futur gishtin në gojë ose duke i dhënë biberonin e rremë.Përveç tre reflekseve të mësipërme, ekzistojnë dhe pesë të tjera zakonisht në bebet normale të lindura në kohë.

Nje prej tyre është refleksi i Moros. Kur dikush e tremb, zakonisht foshnja ngre të dy krahët mbi gjoks, sikur po mbahet diku, dhe mund të qajë duke hapur sytë fort.Ky refleks arrin kulmin e shprehjes së vet në fund të muajit të parë të jetës dhe fillon të dobësohet në fund të muajit të dytë të jetës.

Refleksi i të notuarit kuptohet kur e mbani beben horizontalisht barkas, krahët dhe këmbët e tij hapen anash.
Refleksi i kapjes provokohet sa herë që ju prekni pëllëmbën e fëmijës. Në këtë rast sapo e prekni pëllëmbën, gishtat e tij mblidhen sikur të donte të kapej fort. Një tjetjër refleks është ai Babinski. Kur ju ngacmoni shputën e këmbës së fëmijës, ai hap gishtat e këmbëve.

Një talent tjetër që shfaq fëmija në ditët e para të jetës së vet është ecja ‘’automatike’’. Natyrisht ai nuk mund ta mbajë peshën e trupit të vet si ne të rriturit, por i mbajtur nga krahët ai këmben këmbët sikur do të ecë, kur këmbët vendosen në një sipërfaqe të sheshtë.

Ky refleks zhduket nga muaji i dytë i jetës, por rishfaqet si një sjellje e qëllimshme nga fundi i vitit të parë të jetës.
Këto pesë reflekse nuk luajnë ndonjë rol tek bebi, por janë të dobishme si shenja të funksionimit normal të trurit dhe trupit.

Komento