Sekretet e nuhatjes

Sekretet e nuhatjes

Në hundën tonë gjenden disa zona të specializuara që ndihmojnë trurin të veçojë parfumet nga aromat e pakëndshme. Këtë na e tregon një studim i ri, i cili është entuziazmues dhe shqetësues në të njëjtën kohë.

Miliona receptorë që përbëjnë organin e nuhatjes në hundë nuk janë shpërndarë ashtu në mënyrë të rastësishme. Një studim i ri ka treguar se ato janë të grupuara në zona, secila e specializuar për njohjen e një arome të caktuar. Kështu, përveç se lehtësojnë punën e trurit, kanë edhe shumë funksione të tjera ende për t’u zbuluar.

Prova është arritur përmes futjes në hundë të disa sondave elektronike te një numër i caktuar vullnetarësh. Sondat matnin përgjigjen e neuroneve të nuhatjes kur individët ishin të ekspozuar ndaj aromave të ndryshme. Rezultatet tregojnë se ëmbëlsia e një arome nuk është një ndjesi “personale”.

Ajo është e lindur në trurin tonë, duke thirrur në lojë ndikimin që përvojat e ndryshme të jetës kanë në mënyrën e të perceptuarit të aromave.

“Kjo gjë është entuziazmuese dhe shqetësuese në të njëjtën kohë, sepse nuk i korrespondon shumë asaj që mendoj unë, dhe asaj që mendojnë studiues të tjerë për nuhatjen”, thotë Don Wilson, neurobiolog i “New York University School of Medicine”, i cili nuk ka marrë pjesë në studim. Pra nga studimi vëmë re se nuk qenka truri i cili jep informacione për aromat, por këtë gjë e bëjnë, të paktën pjesërisht, neuronet e nuhatjes. Me fjalë të tjera hunda na qenka “një tru i vogël”.

Të tërhequr prej hunde
Në brendësi të hundës sonë ekziston një organ nuhatjeje i madh sa një pullë poste, i cili quhet epiteli i nuhatjes dhe është i vendosur në pjesën e sipërme të kavitetit nazal. Duke bërë eksperimente te minjtë e laboratorit (minjve u janë futur në hundë sonda për të parë aktivizimin e neuroneve nazale), shkencëtarët hodhën hipoteza se receptorët e nuhatjes ishin të organizuara në grupe, në mënyrë të ngjashme me organizimin e gjuhës, e cila ka disa zona specifike për përcaktimin e shijeve të ndryshme, të kripës, sheqerit, pikantes etj.

Hunda e një brejtësi ka mbi 1200 lloje të ndryshme receptorësh, kështu që duke përdorur edhe sondën më të vogël, preken mijëra receptorë me një lexim të vetëm, gjë që parandalon dallimin e një sinjali të qartë. Njerëzit kanë rreth 400 lloje receptorësh, gjë që e bën më të lehtë punën e studiuesve dhe nxjerrjen e informacione të dobishme në një mënyrë më të thjeshtë.

Një nuhatje e lindur
Grupi i studiuesve të udhëhequr nga Noam Sobel, shkencëtar në institutin “Weizmann Institute of Science” (Izrael), ka kryer një eksperiment me 80 vullnetarë. Studiuesit u dhanë atyre një sërë substancash aromatike për t’i nuhatur, të cilat ishin marrë nga parfumet dhe erërat e këqija të shumë kulturave. Në të vërtetë, aromat më të zakonshme u zëvendësuan me qindra kompozime të ndryshme kimike. Kështu, Sobel dhe kolegët e tij vendosën të vinin në hundët e “kavieve njerëzore” vetëm produkte të pastra kimike, një aromë një herë.

Duke bërë bashkë 801 regjistrimet “hundore”, grupi i studiuesve zbuloi se disa zona të epitelit i dallonin më mirë aromat, në krahasim me zonat e tjera. Përveç kësaj, ata zbuluan gjithashtu se disa zona të veçanta arrijnë të kuptojnë më mirë nëse një erë është e mirë ose e keqe.

“Kjo do të thotë se në një farë mënyre epiteli është programuar për të marrë informacione të caktuara në zona të caktuara. Ende nuk e kuptojmë qëllimin e këtyre zonave, megjithatë gjithçka është interesante. Jemi qenie të afta për t’u përshtatur me realitetin. Kemi një mori stimujsh, megjithatë jemi ende organizma me të njëjtën trashëgimi shqisore si të majmunëve.

Dallimi prej kafshëve janë mjetet për të kuptuar universin dhe për ta ndryshuar atë në favorin tonë. I gjithë studimi është një tentativë për të përhapur shqisat tona”, vazhdon më tej eksperti. “Natyrisht që duhani, smogu dhe lëndët kimike i bëjnë dëm nuhatjes. Si pasojë, nuk kemi më nuhatjen që kanë pasur dikur paraardhësit tanë, por jemi më të kujdesshëm kur nuhasim aromat e parfumeve dhe ushqimeve të ndryshme. Vetëm kaq mund të themi për momentin”, komenton i habitur Wilson.

Ndjesia që shkaktojnë aromat
Nuhatja është e lidhur njëkohësisht me trupin dhe shpirtin. Qëndron pranë instinktit dhe pavetëdijes, është një shqisë tepër e rëndësishme që mund të të ngjallë kujtime shumë të thella. Aromat kanë në vetvete “kujtesën”, sepse përfaqësojnë kujtimin e diçkaje të munguar dhe kanë fuqinë të sjellin ndërmend ngjarje të kaluara, me një fuqi dhe emocion të fortë. Çdo bimë bashkëvepron me ne në sajë të aromës së saj, duke u futur në harmoni me dridhjet energjetike përmes kanalit misterioz dhe të thellë të nuhatjes. Disa aroma të caktuara ndikojnë në tru si stimulues të shqisave të tjera, si për shembull kur “ndiejmë” një aromë të ngrohtë, si një notë muzikore, apo plot ngjyra si një peizazh.

One Comment

  1. nje vlersim shum real por desha te them diqka qka ndodh me epitelin shqisor qe tham i perngjan nje pulle postare pra ka t madhesi kur ne te kalon nje arom,do me thenë a e sht ai ne gjendje qe te urdheroj zonen e receptoreve per atë arom apo eshtë gjithmon ne qetsi kete nuk e kuptova aq mir

Komento