Sëmundjet më të shpeshta të veshkave

Sëmundjet më të shpeshta të veshkave

Veshkat janë organe çift, të vendosura në të dy anët e shtyllës kurrizore, menjëherë poshtë kafazit të kraharorit.

Në brendësi të secilës veshkë, ndodhen rreth një milionë struktura të vogla, të quajtura nefrone, të cilat bëjnë të mundur filtrimin e gjakut. Dëmtimi i këtyre neuroneve, çon në shfaqjen e sëmundjeve të veshkave.

Në përgjithësi ky dëmtim zhvillohet në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë në vite, çka sjell shpesh një diagnostikim të vonshëm të këtyre sëmundjeve.

Veshkat rregullojnë balancën e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak si, natriumin, kaliumin, fosforin dhe kalciumin. Veshkat eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë, prodhojnë disa hormone si: renina që ndikon në presionin arterial, eritropoetina që nxit prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave si dhe marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D.

Në disa raste, edhe pse veshkat janë të dëmtuara, ato mund të vazhdojnë të prodhojnë urinë, por bie efikasiteti i tyre në eliminimin e produkteve të katabolizmit nga gjaku, si të uresë. Për këtë arsye, këto substanca, do të vazhdojnë të qarkullojnë dhe të grumbullohen në organizëm(azotemia).

Sëmundjet
Kalkuloza renale është termi që përdoret në rast të pranisë së gurëve në sistemin urinar. Madhësia dhe përbërja e tyre është e ndryshme dhe mund të shkaktojnë dhimbje të forta. Qëllimi i trajtimit është heqja e tyre, parandalimi i infeksioneve dhe i ripërsëritjes së tyre.

Meshkujt janë më shpesh të prekur se femrat. Infeksionet e traktit urinar shkaktohen nga prania e shtuar e baktereve në urinë. Infeksionet janë më të shpeshta te femrat sesa te meshkujt. Insuficienca renale zhvillohet kur veshkat nuk janë më të afta të rregullojnë balancën e ujit dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak. Insuficienca renale është e formës akute (fillim i menjëhershëm dhe humbje e përkohshme e funksionit të veshkave) dhe mund të jetë pasojë e traumave, hemorragjive, përdorimit të disa medikamenteve, gjendjeve skeptike etj.

Insuficienca renale kronike, është një ulje graduale në vite e funksionit të veshkave deri në humbjen e aftësisë për të eliminuar nga organizmi substancat toksike, që shoqërohet me rritje të vlerave të azotemisë dhe kreatinemisë. Proteinuria është rritja e sasisë se proteinave në urinë. Proteinuria, edhe pse nuk është një sëmundje, në vetvete është një tregues se veshkat nuk funksionojnë në mënyrën e duhur.

Shenjat
Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të bujshme për pacientin dhe ai i konsideron pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Shenjat që përmenden më poshtë mund të mos jenë si pasojë e sëmundjeve të veshkave dhe prandaj është e rëndësishme vizita dhe kontrolli mjekësor. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave përmenden: ndryshime të urinimit, ku përfshihen, urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), urinim me dhimbje ose djegie, urinim me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit.

Këtu përfshihet edhe dhe enureza, pra urinimi i pavullnetshëm gjatë gjumit (por kujdes: është normale deri në moshën 5 vjeç); edemat (ënjtjet), vihet re shfaqje e ënjtjeve në këmbë, fytyrë apo duar (kjo vjen nga ulja e eliminimit të ujit nga organizmi); lodhje. Veshkat luajnë rol kryesor në prodhimin e një hormoni të quajtur eritropoetinë që ndikon në zhvillimin e anemisë tek të sëmurët me ulje të theksuar të funksionit të veshkave; të përziera, të vjella.

Një grumbullim i shtuar i produkteve toksike në organizëm si për shembull: të uresë, mund të shkaktojë të përziera, të vjella. Rënia e oreksit çon në rënien në peshë të këtyre të sëmurëve; vështirësi në frymëmarrje. Vështirësia në frymëmarrje mund të jetë pasojë e grumbullimit të ujit në mushkëri, apo nga prania e anemisë; Dhimbje mesi. Në disa raste, dhimbjet e mesit, mund të jenë të pranishme dhe sidomos më të shpeshtuara tek të sëmurët me kiste renale.

Shkaqet
Shkaku i sëmundjeve të veshkave, shpesh, mbetet i panjohur. Sipas të dhënave glomerulonefriti kronik është shkaktar në 12-15 % të rasteve, infeksionet urinare kronike, në 25 %,
sëmundjet e trashëguara dhe kryesisht polikistoza renale në 17% dhe nefropatia diabetike, në 20 % të rasteve tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave. Hipertensioni, mbetet gjithashtu një shkak kryesor në shfaqjen e insuficiencës renale, sidomos në moshat e rritura.

Vitet e fundit vërehet një rritje e numrit të të sëmurëve me insuficiencë renale, si pasojë e diabetit. Është vënë re se, ndërsa infeksionet urinare kanë një incidencë gjithmonë në ulje në vendet e zhvilluara, në vendin tonë, ato zënë ende një vend të rëndësishëm dhe mbetet një nga shkaqet kryesore të insuficiencës renale kronike. Sëmundjet renale mund të shfaqen në çdo moshë, por sëmundje të veçanta shfaqen më tepër në dekada të caktuara të jetës.

Në moshën pediatrike (fëmijërore) duhet t’i kushtohet një vëmendje e veçantë diagnostikimit të hershëm të refluksit vesiko-ureteral (kthimi i urinës nga fshikëza e urinës në veshkë), të sëmundjeve të trashëguara, infeksioneve të rrugëve urinare dhe sindromit nefrotik. Mbas dekadës së dytë, ka një frekuencë të rritur të glomerulonefriteve, të infeksioneve urinare, të dëmtimit të veshkave si pasojë e sëmundjeve të tjera kronike (diabet, hipertension, etj.,) apo nga përdorimi abuziv i medikamenteve në sëmundjet reumatizmale, neoplazite.

Parandalimi i sëmundjeve të veshkave

Për të parandaluar sëmundjet renale, duhet pasur parasysh se të gjithë ne duhet të bëjmë një ekzaminim të thjeshtë të urinës, të paktën një herë në vit, në kuadër kjo të një kontrolli të përgjithshëm që duhet të bëhet rutinë. Pacientët me infeksione urinare kronike, duhet të kryejnë kontrolle më të shpeshta, një herë në 6 muaj, të mbajnë një dietë të caktuar, të pinë lëngje shpesh gjatë ditës, dhe të urinojnë gjithmonë përpara se të flenë. Pacientet diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën.

Po kështu, dhe pacientët hipertensivë, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike. Pacientët me insuficiencë renale kronike, duhet të kryejnë kontrolle të shpeshta tek mjeku nefrolog, të paktën një herë në tre-katër muaj, duke bërë dhe një bilanc të përgjithshëm, për të parë ecurinë e sëmundjes. Në këtë mënyrë, mjekimi i rregullt i tyre me medikamente nefroprotektore, do të ngadalësojë progresionin e sëmundjes.

Gjithashtu, pacientët e transplantuar, duhet të ndiqen në mënyrë të rregullt nga mjeku nefrolog, për të vlerësuar efikasitetin e trajtimit, për të parandaluar flakjen e organit të transplantuar, si dhe për të vlerësuar efektet anësore të terapisë me imunosupresorë. Pra, si përfundim, secili nga ne, duhet t’i kushtojë rëndësi aparatit te tij urinar, duke bërë një kontroll, të paktën një herë në vit dhe kjo është mënyra më e mirë për të parandaluar një sërë sëmundjesh qe prekin v veshkat.

Si mund të bëhet mjekimi
Sëmundjet e veshkave mund të trajtohen. Sa më shpejt të diagnostikohen këto sëmundje, aq më shpejt dhe më mirë ju mund të ndikoni në ruajtjen e mirë të funksionit të tyre.

Mjekimi i sëmundjeve të veshkave është në varësi të sëmundjes bazë dhe sëmundjeve të tjera shoqëruese. Një pacient, që diagnostikohet me infeksion urinar, nuk duhet të nxitojë asnjëherë të marrë një terapi me antibiotikë, pa bërë në fillim një antibiogramë për identifikimin e mikrobit shkaktar.

Në këtë mënyrë, mjekimi i infeksionit, është më efikas dhe mënjanon krijimin e rezistencave ndaj antibiotikëve. Gjatë infeksioneve urinare, pacientët nuk duhet të harrojnë të pinë lëngje në sasi të konsiderueshme, ujë ose çajra, që stimulojnë urinimin, si çaji i boronicës, i cili mendohet të jetë efikas në infeksionet me escheria coli, duke qenë se nxit eliminimin e saj.

Rreth 4-5 ditë pas mbarimit të terapisë, pacienti duhet të përsërisë një analizë urine kontroll, për të parë nëse terapia me antibiotikë, ka qenë efikase apo jo. Mjekimi i glomerulonefriteve është shumë më kompleks dhe duhet të paraprihet, pothuajse gjithmonë, nga një biopsi e veshkave.

Mbas vendosjes së diagnozës me biopsinë renale, fillon një trajtim specifik me medikamente që tentojnë të ulin forcat imunitare, i shoqëruar ky dhe me një trajtim jospecifik. Trajtimi jospecifik nënkupton trajtimin e hipertensionit, yndyrave të rritura. Mjekimi i glomerulonefrive është i zgjatur në kohë dhe bëhet sipas disa skemave të përcaktuara.

One Comment

  1. Ne rastet kur nuk ke probleme te urines, dhe nuk ke simptomat e mesiperme, te pakten jo dukshem, dhe ke vetem dhimbje te dyja veshkave ne dite te caktuara, kryesisht para gripit, a duhet te shqetesohesh? Se fundi, konsumimi i madh i lengjeve eshte gjithmone i shendetshem, edhe ne rast kur ti konsumon shume pak?

  2. sh.flm se me duhej tek biologjia

Komento