Shëndeti oral tek fëmijët

Shëndeti oral tek fëmijët

Shëndeti oral tek fëmijëtShëndeti oral në periudhën e fëmijërisë luan një rol mjaft të rëndësishëm dhe ndikon në shëndetin oral në faza te mëtejshme të jetës. Për këtë arsye problemet që mund të shfaqen në këtë periudhë duhet të parandalohen dhe zgjidhen në mënyrë profesionale.

Orjada Gashi,
mjeke stomatologe

Fëmijët deri në moshën 6-vjeçare kanë në gojën e tyre vetëm dhëmbët e qumështit. Nga mosha 6-
vjeçare fillon dhe dalja e dhëmbit të pare pra dhëmbit nr. 6.

Pas kësaj periudhe dhëmbët e qumështit fillojnë t’i lënë vendin dhëmbëve të përhershëm. Për shkak të moshës së vogël, aftësisë mekanike të pamjaftueshme, përbërjes delikate dhe strukturës së hollë të dhëmbëve në këtë moshë humbja dhe prishja e dhëmbëve për shkak të kariesit është shumë e dukshme.

Fusha e stomatologjisë e cila merret me fëmijët quhet pedodonti. Pedodontia përqendrohet në dy shtylla kryesore:
1. Trajtimi i problemeve ku përfshihen: mbushjet, trajtimi i kanaleve ose ekstracionet (heqjet e dhëmbëve).
2. Stomatologjia preventive, e cila ka si qëllim mbrojtjen e dhëmbëve nga prishja. Sot,si në të gjitha fushat e mjekësisë dentare,stomatologjia preventive po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm.

Germany, Munich, Portrait of girl with bunches, smiling

Rëndësia e dhëmbëve të qumështit

Aspekti estetik
Humbja e dhëmbëve të qumështit në moshë të hershme (3-4vjeçare) mund të shkaktojë problem estetike madje edhe psikologjike te fëmijët. Ndërsa në moshën 6-7 vjeçare nuk përbën më ndonjë problem të madh pasi kjo është edhe periudha e ndryshimit të dhëmbëve të qumështit.

Aspekti fonetik
Dhëmbët e parë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në funksionin e të folurit te fëmijët. Humbja e dhëmbëve të pare shkakton problem në shqiptimin e shkronjave, f, v, z, t, d.

Rëndësia në kafshim
Prishjet masive të dhëmbëve të qumështit dhe humbjet e hershme të tyre bën që këto zona të mos përdoren gjatë procesit të kafshimit duke shkaktuar ulje të funksionit të muskujve të kafshimit. Kjo mund të sjellë edhe problem të mëtejshme në procesin e tretjes.

Rëndësia në udhëheqjen e dhëmbëve të përhershëm
Dhëmbët e qumështit kanë funksion udhëheqës për dhëmbët e përhershëm. Humbja e hershme e dhëmbëve të qumështit bën që dhëmbët e përhershëm të mos jenë në pozicionin e tyre të duhur duke shkaktuar problem të shumta ortodontike.

Pikat më të rëndësishme për një higjienë orale sa më të mirë te fëmijët

• Larja e dhëmbëve
• Ndjekja e zhvillimit te harkut dentar
• Edukimi mbi përdorimin e fillit dentar
• Dieta ushqimore
• Përdorimi lokal i fluorit
• Edukimi i prindërve mbi metodat e duhura të higjienës orale
• Përdorimi i silantëvë (silantët janë material me bazë rezine me ngjyrë të çelët që vendosen në sipërfaqen përtypëse të dhëmbëve, kryesisht paradhëmballëve dhe dhëmballëve) për të penguar prishjen e tyre. Silantët krijojnë një mbrojtje të smaltit në këto zona, duke penguar depërtimin e baktereve.

MINOLTA DIGITAL CAMERA

Kur duhet të fillojë kujdesi për dhëmbët e qumështit?

Kujdesi për dhëmbët e qumështit fillon që nga dalja e dhëmbit të parë. Që në daljen e dhëmbit të pare të qumështit prindërit duhet të konsultohen me mjekun stomatolog për të pasur njohuritë e duhura. Sa më shpejt të bëhet takimi I fëmijës me mjekun stomatolog aq më e lehtë bëhet parandalimi i prishjeve apo sëmundjeve të tjera dentare.

Përveç kësaj, stomatologjia preventive është më pak e lodhshme për fëmijët dhe gjithashtu më ekonomike.

Dhëmbët e qumështit bien me kalimin e kohës duke I lënë vendin dhëmbëve të përhershëm. Dhëmbët e qumështit sentralë (pra dhëmbët e parë) duhet të ruhen deri në moshën 7-8 vjeçare kurse ato posteriorë (pra dhëmbët e pasmë) deri në atë 12-13 vjeçare. Kjo periudhë përbën edhe periudhën e përfundimit të zhvillimit të dhëmbëve të përhershëm në kavitetin oral.

Vlen për t’u theksuar roli i madh i dhëmballëve të qumështit në procesin e kafshimit. Për këtë arsye mbajtja në gojë e këtyre dhëmbëve në mënyrë sa më të shëndetshme vlen më shumë për tu theksuar.

Nëse vërehen prishje të këtyre dhëmbëve është e rëndësishme trajtimi i tyre pranë mjekëve stomatologë të specializuar.

Parandalimi i prishjes së dhëmbëve është kryesisht detyrë e familjes, pra e prindërve të fëmijëve.

Larja e rregullte dhëmbëve, përdorimi i fillit dentar dhe mënyra e shëndetshme e të ushqyerit luan një rol vendimtar për një shëndet oral sa më të mirë.

Përdorimi i sheqernave dhe pijeve me aciditet të lartë për bëjnë një rrezik shumë të madh në zhvillimin normal të dhëmbëve të fëmijëve.

Për më shumë informacione kontaktoni mjekun tuaj stomatolog. /Telegrafi/

Komento