Shqiptarët hanë zarzavate me hormone

Shqiptarët hanë zarzavate me hormone

Koha e produkteve bio ka mbaruar. Shqiptarët denden nga produktet me hormone të stimuluara.

Pak për mungesë të informacionit e më shumë të nxitur nga etja për të fituar sa më shumë, fermerët tanë kanë abuzuar gjatë gjithë sezonit me produktet bujqësore që të gjithë i kemi pasur në tryezat tona. Përveç asaj çka dallohet me sy të lirë dhe në shije nga konsumatori, këtë e konfirmoi dje edhe drejtori i Autoritetit të Kontrollit Ushqimor, Genc Jukaj.

Dje, gjatë një konference për shtyp, ai se do të ketë penalizime të forta sezonin që vjen. “Kanë qenë preparate të paautorizuara për të hyrë në Shqipëri, që nuk qarkullojnë në vendet e BE-së dhe preparate me afate skandence të kapërcyera. Do t’i bëjmë një kërkesë ministrit të Bujqësisë që të revokojë licencën e këtyre importuesve”, tha Juka.

Sipas tij, të gjithë fermerët do të kenë kodin e tyre, çka tregon nga vjen një produkt me cilësi të dobët. Një tjetër problem madhor i bërë publik dje është tregtimi në kushte skandaloze i farërave, plehrave kimike dhe bimëve në farmacitë bujqësore. Drejtori i AKU-t sqaroi se nga kontrollet e ushtruara që nga muaji korrik e deri tani, ka rezultuar se në treg ka mjaft subjekte të palicencuara që ushtrojnë këtë aktivitet.

Por, nga ana tjetër, edhe ata që janë të licencuar, tregtojnë në të njëjtat ambiente, si farërat, ashtu dhe plehrat kimike, gjë që është e ndaluar me ligj. “Nuk plotësohet në rregull regjistri i magazinës së tregtimit me shumicë, në disa raste evidentohen preparate të mbrojtjes së bimëve që janë jashtë listës së miratuar nga Ministria e Bujqësisë. Ekzistenca e preparateve të mbrojtjes së bimëve në pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë janë jashtë afatit të skadencës”, tha Juka.

Në 10 subjekte të tregtimit me pakicë është bllokuar një sasi e konsiderueshme produkteve për mbrojtjen e bimëve që janë të paregjistruara ose që u ka kaluar afati i skadencës. Sipas kreut të AKU-t, do t’i paraqitet kërkesa ministrit të Bujqësisë për pezullimin e licencës në 3 subjekte të tregtimit me shumicë, pasi janë gjetur preparate që nuk janë të regjistruara në listën e miratuar të PMB-ve.

Është bllokuar aktiviteti në 8 fitofarmaci për mungesë dokumentacioni, masë kjo e cila është parashikuar në legjislacionin në fuqi”, tha Juka. Sipas tij, janë evidentuar farmaci bujqësore me sipërfaqe jo të përshtatshme, në kundërshtim me parametrat teknikë, pa ajrosje, pa akses në ujë etj. Shitja e preparateve të mbrojtjes së bimëve dhe plehrave të përdorimit për mbrojtje në bujqësi si farat, tregtohen në të njëjtin ambient.

Të gjitha rastet e tregtimit të preparateve të mbrojtjes së bimëve nuk bëhet i shoqëruar me recetën e lëshuar nga specialistë përkatës. Do t’i bëjmë kërkesë ministrit të Bujqësisë për të pezulluar licencën e 3 subjekteve të tregtimit me shumicë. Është bllokuar aktiviteti te fitofarmacia për mungesë dokumentacioni”, tha drejtor i AKU-t.

Kontrollet
Që nga muaji korrik, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zhvilluar rreth 373 inspektime, nga të cilat 265 janë zhvilluar në fitofarmaci, 33 në subjekte të tregtimit me shumicë të produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe 6 inspektime në subjekte që tregtojnë plehra kimike. Kontrollet do të vazhdojnë edhe në muajt në vazhdim. Ato synojnë garantimin e të gjithë zinxhirit të prodhimit ushqimor në vend, duke filluar nga importi i bimëve dhe farave bujqësore, deri te përdoruesi i fundit, që është fermeri. AKU, tashmë me funksione të plota në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore.

Komento