Shtatzënitë e padëshiruara, mënyrat për t’i shmangur

Shtatzënitë e padëshiruara, mënyrat për t'i shmangur

Shtatzënitë e padëshiruara sjellin aborte, një fëmijë të paplanifikuar dhe plot probleme të tjera.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Lumturi Merkuri, shpjegon metodat kontraceptive se si mund të shmangësh një shtatzëni të paplanifikuar, se si duhet të përdoren këto metoda dhe efektet anësore që kanë ato në raste të veçanta.

Çfarë janë kontraceptivët?

Kontraceptivët janë metoda që të mbrojnë nga një shtatzëni e padëshiruar. Quhen edhe metoda të planifikimit familjar. Do të doja këtu të sqaroja termin “kontraceptiv” me “prezervativ”, të cilët shpesh ngatërrohen dhe identifikohen me njëri-tjetrin.

Kontraceptivet janë tërësia e metodave që përdoren për të shmangur një shtatzëni të padëshiruar, ndërsa prezervativi është vetëm një nga llojet e kontraceptivëve. Kontraceptivet përfshijnë një sërë metodash ku hyn dhe prezervativi, si; pilulat nga goja, DIU (apo tubi, sterileje), injeksionet, prezervativi, lidhja e tubave dhe sterilizimi mashkullor.

A kanë efekte anësore kontraceptivët?

Është e vërtetë që tek disa gra kontraceptivët mund të japin shqetësime, të cilat ndryshojnë nga një grua tek tjetra. Shqetësimet më të zakonshme janë: marrje mendsh, të vjella, tensionim të gjinjve, të cilat përgjithësisht kalojnë pas 2-3 muajve të parë të përdorimit.

Nëse dikush që fillon përdorimin e kontraceptiveve ka shqetësime nga përdorimi i kontraceptivit që ka zgjedhur, duhet të shkojë tek mjeku për të zgjedhur një metodë tjetër, apo për të vendosur së bashku se çfarë duhet të bëjë.

Por, disa prej metodave kontraceptive, madje kanë efekte pozitive për gruan. Kështu, pilulat ulin rrezikun për disa lloje kancerësh femërore. Ato lehtësojnë dhimbjet menstruale dhe pakësojnë humbjen e gjakut menstrual e aneminë.

Pilulat mund të pakësojnë aknet (puçrrat). Prezervativi të mbron nga infeksionet seksualisht te transmetueshme, përfshi HIV/AIDS. Tek shumë gra ulin stresin e shkaktuar nga frika e ngeljes shtatzënë, sepse ato e dinë që nuk ngelen shtatzënë, ndërkohë që përdorin pilula.

Cila është metoda më e mirë për t’u përdorur?

Kjo varet nga veçoritë dhe preferencat e secilit. Metoda të ndryshme kanë përparësitë dhe mangësitë e tyre. Duhet zgjidhur ajo metodë që është më e përshtatshme për secilën. Për ta bërë këtë, duhet qe në fillim kur vendos për të përdorur një metodë kontraceptive, të shkohet tek mjeku për të vendosur së bashku mbi metodën që do të përdoret, që është më e përshtatshme dhe që personi mund të ndihet rehat me të.

Prezervativi është metoda që siguron mbrojtje të dyfishtë, si nga shtatzënia e padëshiruar ashtu dhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Të gjitha metodat e tjera të mbrojnë vetëm nga shtatzënia. (Shënim: Nesër do të lexoni për pilulat kontraceptive, kontraceptivin e emergjencës, efektet anësore që mund të sjellin dhe mënyra se si duhet të përdoren).

Kur kanë filluar Shërbimet e planifikimit familjar në Shqipëri?

Shërbimet e planifikimit familjar në Shqipëri janë miratuar me vendim të KM; në 27 maj 1992 dhe janë shtrirë në 36 rrethet e vendit. Ky shërbim ofrohet falas në shërbimet shëndetësore publike nga një personel i trajnuar dhe sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Qendrat e Planifikimit Familjar pranë qendrave shëndetësore në fshat dhe qytet janë të furnizuara me disa lloje kontraceptivësh modern, të cilët ofrohen falas, kanë personel të trajnuar për ofrimin e metodave moderne kontraceptive, si dhe dhënien e informacionit e këshillimit mbi planifikimin familjar. Cilësia e kontraceptivëve që i ofrohen popullatës është e kontrolluar./shekulli/

Komento