Home » Shëndetësi » Si mund t’i parandalojmë infeksionet e veshit të mesëm?

Si mund t’i parandalojmë infeksionet e veshit të mesëm?

Shkaktarët e infeksionit të veshit të mesëm, grupmoshat më të prekura dhe shenjat e sëmundjes mjeku otorino-laringolog, Ylli Kërçani, i shpjegoi në numrin paraardhës.

Sot, mjeku do të shpjegojë se si shfaqet, parandalohet dhe trajtohet kjo sëmundje, shenjat klinike të otitit të mesëm, si mund të mjekohet dhe rekomandime për parandalimin e sëmundjes.

Mund të flasim për “faktorë ndihmues” për shfaqjen e otitit të mesëm?
Faktorët ndihmues janë të ndryshëm dhe lidhen kryesisht me ndryshimet e temperaturës, kohën e paqëndrueshme, të cilat favorizojnë shfaqjen e virozëve, që bëhen shkak për bllokimin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe si rezultat shfaqjen e problemeve të veshit të mesëm.

Çfarë shenjash klinike ka otiti i mesëm?
Pacienti ankohet për dhimbje të fortë, të menjëhershme, pulsante të veshit. Përveç dhimbjes, ai mund të ketë rrjedhje sekrecionesh nga veshi. Nëse pacienti është fëmijë, e shfaq dhimbjen me nervozitet dhe grindje pa shkak. Shpesh pacienti ka temperaturë, që mund të shkoj deri në 38-39 gradë celsius, ka hundë të bllokuara. Ai ankohet për dhimbje koke dhe më rrallë për humbje ekuilibri dhe marrje mendsh.

Si mjekohet otiti i mesëm?
Nëse pacienti nuk ka sekrecione nga veshi, mjekimi është me antibiotikë me spektër të gjerë veprimi. Por nëse ka rrjedhje përveç antibiotikut, rekomandohet marrja e materialit për antibiogramë për të evidentuar llojin e mikrobit. Në këtë rast shtohen vazokonstruktorët. Mjekimi zgjat deri në 10 ditë.

Mund të ndodhë që sëmundja të kronicizohet?
Në qoftë se kjo sëmundje e veshit nuk trajtohet në kohë sa ma të shpejt dhe efikase, mund të kronicizohet. Kjo do ta bëjë pacientin që t’i nënshtrohet kurave të vazhdueshme, sidomos në periudhën e riakutizimit të sëmundjes: pranverë dhe vjeshtë.

Po nëse trajtohet në kohë mund të shërohet plotësisht?
Nëse kapet në kohë dhe trajtohet si duhet, otiti mund të kurohet fare mirë. Megjithatë, kjo është një sëmundje që nuk lë “imunitet” kështu që, nëse veshi bie në kontakt sërish me faktorët shpërthyes të otitit, atëherë sëmundja mund të riakutizohet.

Doktor, është e vërtetë që periudha e plazhit ndikon në shfaqjen dhe në acarimin e otitit të mesëm?
Po, kjo është shumë e vërtetë, prandaj para plazhit duhet treguar një kujdes maksimal për veshin, sidomos ata që vuajnë nga infeksione kronike të veshit. Këta persona, por dhe të tjerët, duhet të ruajnë veshët nga kontakti me ujin e ndotur, duke vendosur tapa për veshët ose kapuç. Më pas mund të bëjnë dizifektimin e veshëve me alkool borik, të kenë kujdes për hundën që të mos u bllokohet, të thajnë mirë veshin. Mbi të gjitha duhet ta ruajnë organin e dëgjimit nga trupat e huaj (sidomos rëra), të cilët mund të futen në hapësirën e veshit të mesëm.

Mjekimi në kushtet e shtëpisë
– vendosni kompresa të ngrohta, të thata në vesh
– përdorni si qetësues alkool borik
– pini analgjezikë për temperaturën
– përdorni vazokonstruktor për zhbllokimin e hundëve: ilaç me pika
– shmangni kontaktin e veshit me ujin, deri në shërim të plotë
(kur laheni mund të vendosni tapa veshi ose pambuk me ndonjë solucion që nuk depërton uji p.sh., vaj)
Parandalimi
-Regjim ushqimor i pasur me vitamina, për të rritur rezistencën e organizmit
– Veshje e përshtatshme, sipas ndryshimeve të temperaturës
– higjienë e organeve ORL (veshë, hundë, gojë) në veçanti dhe konsulta me mjekun otorinolaringolog
– fëmijët e grupmoshës 2-5-10 vjeç që paraqesin sekrecione të shpeshta nga hundët, që marrin frymë me gojë hapur, që jargosen shumë, duhet të jenë nën kontrollin e mjekut
– përdorni ilaç me pika për të pasur hundë të zhbllokuara/shekulli/

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!

Komentoni

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress