Si parandalohet ethet reumatizmale të fëmijët

Si parandalohet ethet reumatizmale të fëmijët

Ethet reumatizmale te fëmijët është sëmundje akute dhe jo kronike, megjithatë ajo mund të shfaqet sërish.

Mjekja reumatologe, Teuta Orgocka, shpjegon se çfarë është se si mund të jetë ecuria e kësaj sëmundje, si mund të mjekohet dhe si mund të parandalohet.

A mund të shndërrohet kjo sëmundje në sëmundje kronike?

Kjo është një sëmundje akute, që do të thotë se nuk ka forma kronike, por nuk është sëmundje që lë imunitet. Që do të thotë se pavarësisht se mund ta kesh kaluar më parë këtë sëmundje, nëse krijohet terren i përshtatshëm, mikrobi që e ka shfaqur një herë, mund ta rishfaqë sërish.

Prandaj, personat që janë prekur më parë nga ethet reumatizmale, janë kontingjent risku për ta rishfaqur. Kjo është arsyeja që te ky kontingjent, jepet Dipeninë për 5 vjet rresht, sipas një skeme mjekimi, në mënyrë që të parandalohet rishfaqja e etheve reumatizmale.

Si është ecuria e sëmundjes?

Në përgjithësi, nëse kapet dhe trajtohet në kohën dhe mënyrën e duhur, kjo sëmundje ka ecuri mjaft të mirë. Sigurisht, nëse nuk shfaqen ndërlikime në zemër, gjë që do të kërkonte trajtime të mëtejshme dhe të vazhdueshme për zemrën.
Gjithësesi, nëse respektohet skema e mjekimit dhe kapet në kohë, kjo është një sëmundje që kalohet mjaft mirë dhe pacienti shërohet plotësisht.

Çfarë analizash bëhen në këtë rast?
Ekzaminimi kryesor është kultura e fytit me antibiogramë, e cila ndihmon të zbulohet shkaktari kryesor i shfaqjes së sëmundjes. Kjo ndihmon dhe në dhënien e mjekimit të duhur.

Si mund të parandalohet kjo sëmundje?
Parandalim të mirëfilltë nuk ka, përveç mjekimit dhe kujdesit të vazhdueshëm për personat që kalojnë shpesh bajamet. Si dhe personat që e kanë kaluar më parë këtë sëmundje, duhet të bëjnë mjekimin me Dipeninë, për 5 vjet rresht.

Si mjekohet ethja reumatizmale?
Në këto raste rekomandohet luftim i mikrobit, i cili duhet të bëhet me antibiotikë në doza të larta, që ne i konsiderojmë “doza sulmi” për 10 ditë rresht pa ndërprerje, pavarësisht se pacienti mund të shfaqë përmirësime. Aspirina është një mjekim tjetër që përdoret në këto raste, dhe kjo në doza disi të larta. Në rastet kur nuk përmirësohet, rekomandohen kortizonikë, në bazë të gjendjes së të sëmurit.

Rreziku
Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqen
Kjo sëmundje shfaqet me vështirësi në lëvizje dhe qëndrimin shtrirë në shtrat. Por përveçse prek kyçet, mund të shkojë deri në zemër duke dhënë dëmtime serioze, në valvulat e zemrës. Kjo është forma më e rëndë e sëmundjes. Mund të japë dëmtime dhe në veshka, por kjo është më e rrallë.

Shenjat
Kur duhet të mendojmë për ethe reumatizmale
Shenjat kryesore janë temperaturë të lartë, e cila mund të shkojë deri në 39-40 gradë si dhe skuqja lokale, dhimbja dhe pamundësia për të përkulur artikulacionin që preket nga kjo sëmundje. Dhimbja është e fortë, aq sa pacienti nuk mund të lëvizë dhe detyrohet të qëndrojë në krevat.

Komento