Si të flasim me fëmijët adoleshentë rreth seksit

Si të flasim me fëmijët adoleshentë rreth seksit

Është mirë të mbahen parasysh këto rregulla të thjeshta, kur bisedohet për seksin me fëmijën: Prindërit duhet ta dinë që fëmijët kanë shumë informacion për seksin, ndonëse shpesh të gabuar.

Në këto kushte, detyra e prindit është të pastrojnë keqinformimet që kanë fëmijët dhe këtë ta bëjnë me shumë kujdes.
Shumë herë ata gënjejnë.

Në këto momente prindi nuk duhet të qeshë e të bëjë shaka. Kurrë mos u përsërisni fëmijëve si qortim, ato që ata vetë ua kanë treguar. Po qe se bëhet kjo, me siguri ata do ta humbin besimin tek ju dhe nuk do t’ju besojnë më asnjë “sekret”.

Prindërit duhet t’i bëjnë të qarta për fëmijët, pikëpamjet e tyre lidhur me seksin. Prindi duhet të dijë se kur nuk ka rregulla të qarta prindërore, fëmijët do të ndikohen më shumë nga shokët.
Studimet, kudo në botë, kanë treguar se, kur fëmijët e kanë të qartë qëndrimin e prerë të prindërve, (p.sh., që ata nuk janë dakord me seksin në moshë të hershme), këta fëmijë përfshihen më pak dhe më vonë në marrëdhënie seksuale.

Adoleshentët e rinj, kanë nevojë ta dëgjojnë të formuluar shumë qartë kërkesën e prerë të prindit: “Ti je shumë i ri për të bërë seks”. Fëmijët duhet ta kenë të qartë se, pavarësisht nga ç’kanë dëgjuar, shumica e fëmijëve të kësaj moshe nuk bëjnë seks.
Leksionet mund të ndihmojnë, por mendimet këmbehen e gjallërohen, vetëm nëpërmjet diskutimeve. Fëmijët duhet të inkurajohen që t’i thonë hapur mendimet e tyre për seksin, ndërkohë që prindërit duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe të tregojnë se i respektojnë mendimet e tyre.

Unë e kuptoj, kjo për shumë prindër nuk është e lehtë, por le të mundohen të respektojnë këtë rregull të përgjithshëm: Të mos nevrikosen, kur fëmijët u thonë diçka që është diametralisht e kundërt me ato që mendojnë ata. Fëmijët duhet të ndjejnë se mund t’i shprehin mendimet e tyre pa u shqetësuar se prindi do t’i ndëshkojë.

Fëmijët druhen dhe impresionohen kur u bëhen pyetje specifike, lidhur me sjelljet seksuale personale. Prindërit duhet të gjejnë dhe të zbulojnë tendencat seksuale të fëmijëve, duke i pyetur se çfarë mendojnë, si veprojnë dhe si reagojnë ndaj këtyre sjelljeve dhe veprimeve te “fëmijët e tjerë në shkollë”.

Ja disa nga pyetjet që prindërit mund t’i përdorin për të filluar diskutimin për probleme të seksit me fëmijët:
– Çfarë mendojnë shokët për një vajzë që takohet me një djalë? Nëse kjo është mirë, kur mendon që ata duhet të fillojnë të bëjnë seks?
– Pse mendon që disa fëmijë të moshës tënde bëjnë seks?
– Cilat janë disa nga arsyet që adoleshentët e moshës tënde, duhet të presin për të bërë seks?
– Si mund t’i tregosh një djali, ose një vajze, se ti e do atë edhe pa bërë seks?
– Si mund t’i thuash të dashurit, ose të dashurës, se ti nuk je gati për seks?
– Pse mendon që disa fëmijë u bëjnë presion të tjerëve, për të bërë seks?

Ka disa pyetje lidhur me seksin, që i dëshpërojnë fëmijët.
Pas këtyre pyetjeve, fëmijët e mbyllin komunikimin me prindin aq shpejt, sa prindit i vjen mendja vërdallë. Këto pyetje që nuk duhet t’u bëhen fëmijëve, kanë të bëjnë me hollësira intime. Mos u bëni kurrë fëmijëve pyetje të “drejtpërdrejta”, sidomos pyetje të kësaj natyre: Cila nga shoqet e tua bën seks? Sa larg ke shkuar ti me të dashurën tënde? Etj./shekulli/

Komento