Si të parandalohet era e keqe e gojës?

Si të parandalohet era e keqe e gojës?

Si të parandalohet era e keqe e gojës?Era e keqe mund të vijë si shkak i problemeve mjekësore në hapësirën e gojës dhe në organizëm

Halitoza apo era e keqe e gojës mund të jetë sinjal për praninë e sëmundjeve të ndryshme në organizëm. Shpesh ajo është një simptomë e pranisë së një sëmundjeje orale, e një gjendjeje fiziologjike ose një sëmundjeje sistemike e organizmit.

Halitoza ose siç njihet ndryshe “fetor ex oris”, është përshkruar që në kohën e grekëve të lashtë dhe përshkruan erën e keqe të gojës. Megjithatë, ajo nuk është një sëmundje e mirëfilltë. Vetë era e keqe shkaktohet nga përmbajtja e sulfurit dhe përbërjeve të tij në ajrin që nxjerrim nga goja. Përbërjet sulfurore mund të transmetohen nëpërmjet gjakut nga një organ i sëmurë, si psh: mëlçia cirrotike dhe shkojnë në mushkëri ku i japin dhe ajrit erën karakteristike.

Era e keqe e gojës e përkohshme ose momentare mund të shkaktohet nga konsumimi i disa produkteve ushqimore, si: ushqimet pikante ose përdorimi i duhanit dhe kjo ndjehet në orët e para të mëngjesit nga mungesa e pështymës gjatë orëve të natës.

Ushqimet të cilat shkaktojnë erën e keqe të gojës momentare janë: qepa, hudhra, ushqimet pikante dhe shumë të kripura. Kjo lloj halitoze konsiderohet fiziologjike dhe mund të trajtohet shumë lehtë falë një higjiene të mirë dentare. Era e vazhdueshme e gojës shkaktohet në pjesën më të madhe të rasteve nga flora mikrobiale që gjendet në hapësirën e gojës. Goja shërben si një rezervuar i mirë dhe si një depo e këtyre baktereve.

Në hapësirën e gojës janë gjetur mbi 500 specie bakteresh, ku gati 150 prej tyre janë të përhershme në hapësirën e gojës. Megjithatë, jo të gjitha janë shkaktare për shfaqjen e erës së keqe. Halitoza patologjike nuk ikën pa u larguar shkaktari, sepse në hapësirën e gojës përveç pështymës, kemi dhe derdhje të sekrecioneve ose substrateve të tjera që shfrytëzohen nga bakteret për të çliruar erën e keqe.

Kështu p.sh. qelizat e nekrotizuara, qelizat e gjakut, eksudatet ose qelbi, sekrecionet në xhepat gingivarë, të cilat e bëjnë halitozën patologjike. Falë disa studimeve është vënë re se 90 për qind e halitozave patologjike e kanë origjinën në kavitetin oral dhe 60 për qind e atyre që vuajnë nga halitoza me origjinë orale. Era e keqe, pra, e ka origjinën nga gjuha.

Halitoza patologjike është shoqëruar gjithmonë me higjienë të ulët orale, gingivitet ulcerative, sëmundje të mishrave, periodontite, pericoronarite (infeksionet e dhëmballëve të pjekurisë), xhepat e thatë të dhëmbëve, kariesi, infeksione kancerogjene të gojës dhe nga veshja e gjuhës me cipa. Pra, në të gjitha rastet që përmendëm më lart, halitoza është simptomë e këtyre problemeve, të cilat mund të zgjidhen vetëm me ndihmën e dentistit. Por çfarë mund të bëhet? Këshilla e parë që jepet është një higjienë orale e rregullt: larje e rregullt e dhëmbëve, pastrim me fije dentare, pastrim i gjuhës me pjesën e pasme të furçës dhe shpëlarja e gojës me kloreksidinë. Por, mbi të gjitha, rekomandohen vizita periodike te mjeku stomatolog për të parë shëndetin e dhëmbëve në përgjithësi dhe që do të bënte të mundur trajtimin në kohë të të tilla problemeve./shendeti/\

Komento