Home » Shëndetësi » Sinusiti, si të parandalojmë rikthimin nga i ftohti

Sinusiti, si të parandalojmë rikthimin nga i ftohti

Sinusiti, si të parandalojmë rikthimin nga i ftohtiMe uljen e temperaturave gjatë stinës së ftohtë shtohet rreziku për rishfaqjen e sinusitit.

Sipas mjekëve, kalimi i menjëhershëm i temperaturave nga të larta në të ulëta, brenda pak orësh, dhe e kundërta ndikojnë në shfaqjen e rrufës, që njihet si një nga shkaktarët e pezmatimit të mukozës së hundës dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes.

Për këtë arsye, mjekët otoriono-laringolog, shpjegojnë se si mund të parandalohen dhe trajtohen sinusitet në këtë periudhë.

Ndërrimi i klimës ndikon në shfaqjen e rrufës, që njihet si një nga shkaktarët e pezmatimit të mukozës së hundës dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, si pasojë edhe në riakutizimin e simptomave të sinusitit. Sipas mjekëve, ky është edhe sinusiti më i përhapur dhe që haset rëndom tek pacientët e prekur nga kjo sëmundje.

Problemet me bllokimin e hundëve dhe rrugëve të frymëmarrjes nxisin virusin e gripit, i cili shkatërron sistemin mbrojtës të hundës, duke bërë të mundur aktivizimin e mikrobeve, që ndodhen në rrugët e frymëmarrjes.

Rishfaqja e sëmundjes
Përveç uljes së temperaturave, që ndikojnë në rishfaqjen e sinusitit ka edhe disa faktorë të tjerë, që riaktivizojnë sëmundjen. Për këtë, mjekët shpjegojnë se sinusitet krijohen edhe nga sëmundje të ndryshme infektive, si skarlatina, tifo, pneumoni, por edhe nga dhëmballët e prishura. Kryesisht janë dhëmballët e nofullës së sipërme, që mbështeten në murin e poshtëm të zgavrave të nofullës.

Po kështu, ndikojnë negativisht dhe që favorizojnë sinusitin edhe traumat e jashtme, si dhe ndërhyrjet kirurgjikale në hundë, veçanërisht në rastin e tamponeve të hundës (vendosja e gazrave në hundë në rast hemoragjie). Përsa i përket funksionit të sinuseve apo këtyre zgavrave të fytyrës, ato shërbejnë për lagështimin dhe ngrohjen e ajrit që thithim. Kur ato së bashku me hundën janë të pezmatuara, japin një të “folur me hundë”, pezmatimi i sinuseve e merr emrin sipas sinusit që është prekur, pra kemi sinusit ballor, të nofullës së sipërme ose të mbrapahundës. Një personi mund t’i preken nga sëmundja njëri prej sinuseve apo edhe dy e tre menjëherë.

Faktorët favorizues
Çdo pezmatim akut ose i mprehtë dhe kronik në hundë nuk jep sinusit. Sistemi i shtresave mukoze ushtron një mbrojtje të vazhdueshme në kanalet përkatëse dhe ndalon hyrjen e mikro-organizmave në mbulesën mukoze të sinuseve. Sinusitet me origjinë nga hundët e sëmura favorizohen nga rritja e mishit të huaj, nga shtrembërimet e perdes kockore të hundës. Po kështu, këto sinusite favorizohen edhe nga procese që mund të ndodhin në zgavrat e hundës, të cilat në mënyrë mekanike pengojnë zbrazjen normale të lëngjeve të sinusit në hundë. Këto ndryshime të sinusit shoqërohen me pagjumësi, ashtu si dhe rrufa. Ato nuk shkaktojnë shenja të rënda të sëmundjes, përveç rasteve kur procesi bëhet qelbësues dhe pengohen rrugët e shkarkimit të sinuseve. Kur ka probleme të tilla shtohet presioni brenda hundëve dhe, si rrjedhojë, dhe dhimbjet bëhen më intensive. Shpeshherë formohen edhe mishrat në hundë që dalin nga sinuset.
Shenjat klinike
Shenjat subjektive të sinusitet janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga çrregullime të gjendjes së humorit, lodhje dhe paaftësi në punë. Por mund të shfaqen edhe probleme në pamje dhe në nuhatje. Ankesa kryesore është dhimbja në ballë, faqe, dhëmbë etj. Dhimbja e kokës në sinusitet e mprehta është gjithmonë prezente, ndërsa në sinusitet e vjetra mund të mungojë. Karakteri dhe intensiteti i dhimbjes ndryshon sipas ndjeshmërisë së presionit dhe vrullit të procesit inflamator.

Disa herë të sëmurët ankohen për rëndim të kokës ose gjendje hutimi. Në shumicën e rasteve dhimbjet janë të forta dhe therëse. Këto dhimbje therëse provokohen në lëvizje aktive, kur i sëmuri ulet, ngrihet ose shtrëngohet. Në përgjithësi, kur sekrecionet nuk mund të derdhen jashtë, dhimbja ka karakter lokal dhe kufizohet përgjithësisht në faqe, ballë ose tëmtha. Nga lokalizimi i sinusit nuk mund të zbulohet se në cilin sinus ndodh pezmatimi, pasi dhimbja mund të përhapet edhe në anë të kundërt. Sekrecionet ose rrjedhja e hundës është shenjë tjetër e sinusitit. Shpeshherë i sëmuri nxjerr sekrecione të ujshme ose të trasha, të verdha nga hundët.

Por mund të shfaqet bllokimi i hundëve dhe flluska në hyrje të hundës, në varësi nga gjendja e përgjithshme e organizmit, e cila është e kompromentuar dhe manifestohet dhe me temperaturë. Vlen të përmendet se në rast se i sëmuri vuan nga rrufa dhe kjo zgjat deri në dy javë duhet menduar për sinusit. Një rëndësi të veçantë merr sinusiti i mprehtë, i qelbëzuar, tek fëmijët e vegjël, madje edhe tek të porsalindurit.

Kur sinusi “maxillare” është i vogël, në formën e një të çare, ky sinusit karakterizohet dhe me komprometim të gjendjes së përgjithshme, temperaturë të lartë. Po kështu ka temperaturë të njëjtë të faqes dhe qepallës së poshtme të syrit, shtim të rrjedhjeve të qelbit. Në këto raste sëmundja kalon në gjendje të rëndë dhe operacioni dhe mjekimi me antibiotikë janë e vetmja metodë kurimi. Në 90 për qind të rasteve, sinusiti maxillare është me origjinë nga pezmatimi i hundëve. Shenjat e mësipërme janë prezente në të gjitha llojet e sinusiteve, por me lokalizime të dhimbjes në vende të ndryshme të kokës, në varësi nga sinusi që është prekur.

Shenjat
Rëndim të kokës
Vështirësi në pamje
Shpeshherë nuk nuhasin lehtë
Çrregullime të gjendjes së humorit
Lodhje dhe këputje
Paaftësi për të punuar
Dhimbje në ballë dhe faqe
Shoqërohet edhe me dhimbje në dhëmballë
Në disa raste edhe gjendje hutimi

Këshilla
Shmangni qëndrimin në ambiente me korrent ajri
Qëndroni larg personave të prekur nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes
Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të lagështa
Mbrohuni në maksimum nga gripi
Tregoni kujdes në mënyrën e veshjes
Kujdes në ditët kur ka luhatje të theksuara temperaturash
Vizitë tek mjeku, kur keni rrjedhje hundësh më shumë se dy javë
Marrja e ilaçeve në mënyrë të rregullt
Antibiotikë kur sëmundja ka përparuar
Nuk këshillohen larjet para se të dilni nga shtëpia./gazeta albania/

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!

1 Response to " Sinusiti, si të parandalojmë rikthimin nga i ftohti "

  1. isa pi Kercove says:

    kam vajzen 12 vjet i ka ka problem me sinusin ka dhimbje ne kok ne faqe dhe ne ball qka na keshilloni juve dhe cfar barerash te perdorim incizimet i kimi ber poashtu ka dhe alergji ke syt i han syt dhe sikur ka berdhok nder sy ju lutem cfar barenash na preferoni ju dhe qe nuk e demtojn ne lukth sepse ka pasur dhimbje para 2 muajsh me nder dhe respekt

Komentoni

© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress