Të lodhur? Pini shumë ujë, hani mëngjes dhe ecni!

Të lodhur? Pini shumë ujë, hani mëngjes dhe ecni!

Lodhja pranverore e cila shfaq veten në dëshirën për të fjetur vazhdimisht, humbjen e përqendrimit, mendimin për t’i shtyrë më vonë punët dhe këputja, mund të kthehen në gjendje kronike nëse nuk merren masat e duhura.

Ndryshimi i kohës bashkë me pranverën mund të ndikojë negativisht tek njerëzit.Prandaj është shumë e rëndësishme të ushqehemi mirë, të mos e nënvlerësojmë mëngjesin, të pimë shumë ujë dhe të ecim.

Me ardhjen e pranverës dhe nxehjen e kohës shumë njerëz ndihen të lodhur. Psikologët theksojnë se nga lodhja pranverore dikush ka dëshirë të flejë, dikush nervozohet më shumë apo bëhet më agresiv.

Ata shpjegojnë se lodhja pranverore pasqyrohet në vështirësinë e të zgjuarit në mëngjes, dëshirën për të mos shkuar në punë dhe për t’i shtyrë më vonë punët, dëshirën për të fjetur vazhdimisht, personi mund të ndihet i vetmuar, i pafuqishëm, i mërzitur, i shqetësuar, dembel, mund të ketë mungesë përqendrimi, etj.

Nëse ndjeni që keni një ose të gjitha shenjat e mësipërme do të thotë që po përjetoni lodhjen pranverore. Ndryshimi i kohës sjell nervozizëm, shqetësim dhe stres dhe gjithashtu përgatit territorin për zhvillimin e një lodhjeje pranverore. Stresi duke rritur ngushtimin e enëve të gjakut në muajt e pranverës mund të bëhet shkak edhe për rritjen e sëmundjeve reumatizmale dhe të enëve të gjakut.

Ndërkohë ngarkesa elektrike e kohës ndihet më tepër në qytete dhe ndotja e ajrit dhe rritja e mbetjeve industriale bëhen shkak për rritjen e ngarkesës elektrike. Përshpejtimi i metabolizmit dhe ndryshimet hormonale gjithashtu shkaktojnë një lodhje pranverore. Lodhja pranverore shfaqet më tepër tek personat që konsumojnë cigare, që ushqehen në mënyrë të çrregullt, tek adoleshentët, tek personat që nuk kanë një punë të caktuar dhe tek personat që kanë një tempo të lartë pune.

Lodhja pranverore nuk është një sëmundje, por nëse nuk merren masa mund të kthehet në një lodhje kronike dhe në sindromën e pamjaftueshmërisë. Psikologët theksojnë se sindroma e pamjaftueshmërisë (apo e shterjes së fuqive) është një gjendje që duhet kuruar; nëse nuk mund të rregullohet atëherë mund të hapë probleme shumë serioze.

Ajo mund të shfaqet në punë me shenja si një performancë e ulët, probleme në komunikimin me të tjerët, ndërsa në familje apo në jetën shoqërore mund të përjetohen probleme në marrëdhënie.

Personi duke u mbyllur në vetvete ndihet i mërzitur, nuk ka dëshirë të bëjë asgjë dhe këput të gjitha lidhjet me ambientin që e rrethon.

Si ta mundim lodhjen?
Duhet të konsumoni zarzavate të pasura me fibra, zarzavate jeshile dhe fruta, domate, patate dhe kajsi. Vakti më i rëndësishëm është mëngjesi dhe atë duhet ta hani rregullisht.
Duhet të pini të paktën 3 litra ujë në ditë.
Ajri në vendin ku punoni duhet të jetë gjithnjë i pastër.
Ruani një ritëm gjumi. Ngritja herët në mëngjes është shumë e rëndësishme.
Ecjet në vende të hapura apo në orët e mëngjesit janë të dobishme. Edhe ushtrimet të cilat zgjasin 15-20 minuta në mëngjes dhe pa ngrënë asgjë janë të shëndetshme.
Në rastet kur zhvillohet sindroma e lodhjes kronike mund të ulet tempoja e punës dhe të bëhen pushime të shkurtra.

Komento