Të rikthesh shikimin, pas operacionit “robotik”

999

999Kirurgë studiues kanë përdorur një robot në brendësi të syrit, duke rikthyer madje edhe shikimin te një person që e kishte humbur atë. Ky është zhvillimi i parë i këtij lloji në botë.

Ekipi shkencor i spitalit “John Radcliffe” në Oksford të Britanisë përdori pajisjen të kontrolluar nga një levë, për të hequr membranën me trashësi sa një e njëqindta e milimetrit.

Pacienti 70-vjeçar Bill Beaver, një famulltar në Oksford, tha se ky zhvillim ishte si një përrallë. Kirurgët shpresojnë që procedura t’i hapë rrugën operacioneve më komplekse të syrit, nga sa është e mundur nga dora e njeriut.

“BBC” pati aksesin ekskluziv në procedurën e ndjekur për këtë arritje historike.

Pacienti Beaver tha se “më duket sikur jam në botën e përrallave, por ky është realiteti. Jam thjesht me fat, që jam personi i parë të cilit i është rikthyer shikimi me operacion”.

Operacionet e asistuara nga robotët janë të zakonshme, por deri më tani asnjëherë nuk ishte përdorur një i tillë brenda syrit.

Profesor Robert MacLaren nga Universiteti i Oksfordit, i cili udhëhoqi procedurën, tha se “operimi në pjesën e pasme të syrit ka nevojë për një saktësi të jashtëzakonshme, ndaj dhe sfida ishte të gjendej një sistem robotik që të mund ta bënte këtë gjë përmes një vrime jashtëzakonisht të vogël në murin e syrit, pa shkaktuar dëme teksa lëviz përreth”.

“Shumica e robotëve që njihen deri më sot janë të mëdhenj, por me ndihmën e teknologjisë kemi arritur të krijojmë edhe një robot kaq të vogël, saqë të mund të merret edhe me gjëra kaq të vogla”.

Roboti “Preceyes” është zhvilluar nga një kompani holandeze, me kontributin e Universitetit të Teknologjisë së Eindhovenit.

Komento