Të shijosh kënaqësinë e seksit, nuk është imoralitet

Të shijosh kënaqësinë e seksit, nuk është imoralitet

Seksi, kurrë nuk duhet të jetë një detyrim. Në qofte se dëshironi të bëni seks me një person që e doni, shprehjani atij dëshirën tuaj.

Mos prisni që ai të ndjejë atë që ndjeni ju. Mos përdorni kurrë shprehje si kjo: ” Në qoftë se më do me të vërtetë, ti duhet të bësh seks me mua”. Këtu dëshira ngatërrohet me detyrimin.

Që të tregoni se jeni të kujdesshëm dhe të ndjeshëm, gjuha që përdorni duhet të jetë plot dhembshuri. Kur ju përdorni moralizime me tepri, ju e keni humbur dhembshurinë.

Për shembull, është krejt pa takt, pa ndjeshmëri dhe pse jo, shkatërruese, po qe se i etiketoni si “kurva”, “kurvarë”, ”bredharakë” dhe me terma të tjera të papërshtatshme, ata që bëjnë më shumë seks nga ju.

Përpiquni të jeni vetja juaj, që të gjeni mënyrën më të mirë për të vepruar së bashku. Nuk është as e shëndetshme e as tërheqëse, kur përpiqeni të bëheni si dikush që nuk jeni. Mos e gjykoni e mos e krahasoni veten me të tjerë. Vlera juaj unike nuk qëndron në ngjashmërinë me shokët, ose me yjet e medias. Ju do të dukeni kallp, po qe se imitoni të tjerët dhe nuk paraqiteni si vetja juaj.

Që të jeni vetja, ju duhet të ndjeni e të dini se kush jeni në të vërtetë. Përqendrohuni në përsosjen dhe lartësimin e personalitetit tuaj. Vetëm kështu, do të bëheni më interesantë dhe më specialë. Për të qenë të ndershëm dhe të dashur me të tjerët, ju duhet të jeni të ndershëm me veten dhe ta doni veten tuaj. Ju duhet të jeni të vërtetë me veten, që të jeni të vërtetë me të tjerët. Është me rëndësi të jeni të ndershëm, por duhet të tregoni simpati e dhembshuri për shokët e shoqet.

Shokët tuaj gay, lesbiane dhe biseksualët nuk duhet të diskriminohen dhe të trajtohen si qytetarë të klasit të dytë. Mungesa e barazisë dhe e respektit të vërtetë për ata që janë ndryshe, përgatit skenën ku më vonë do të shfaqet agresioni seksual, përdorimi i forcës, abuzimi, violenca dhe përdhunimi në takime.

Përdhunimi në takimet e të rinjve, ndodh, sepse vajzat portretizohen prej djemve si “kundërshtuese seksuale”, ndërsa, djemtë, shikohen prej vajzave si të “vendosur për seks”. Për sa kohë që ju u besoni këtyre roleve tradicionale, ju i vini kufij kënaqësisë dhe intimitetit. Ju i hapni rrugën shfrytëzimit seksual.

Në qofte se djemtë i trajtojnë vajzat si të barabarta, shoqërisht dhe ekonomikisht, vajzat do të inkurajohen për më shumë seks, madje, për seks më të mirë. Me këtë dua të them se vajzat duhet të jenë po aq të lira sa edhe djemtë, për të filluar marrëdhënien. Barazia i bën më të përshtatshëm kufijtë fizikë dhe emocionalë midis djemve dhe vajzave. Kjo ndihmon që pëlqimi të jetë i ndërsjelltë. Kur vajzat dhe djemtë ndjehen mirë dhe të barabartë me njëri-tjetrin, e kanë më të lehtë të zhvillojnë Diskutimin Para Seksit, që është i domosdoshëm, përpara se ata t’i thonë “po” ose “jo” uverturës seksuale.

Në të gjitha llojet e marrëdhënieve që mund të keni, seksi, duhet t’iu ndihmojë të përmirësoni cilësinë dhe kuptimin e marrëdhënies. Të kënaqesh me seks, nuk është e pamoralshme. Ata që nuk bëjnë seks, nuk janë më të moralshëm nga ata që e duan seksin. Po qe se e trajtoni njëri-tjetrin si të barabartë dhe jeni të ndershëm, të hapur, të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, seksi nuk ka si të jetë imoral.

Studimet në të gjitha kulturat e botës tregojnë, se sa më represive të jetë një shoqëri lidhur me seksin, aq më shumë inkurajohet frustrimi, agresioni dhe violenca seksuale. Suedia është më pak violente, nga ç’janë shumë vende të tjera. Pse? Sepse në Suedi ka më shumë mbështetje për kënaqësinë seksuale dhe për edukimin seksual.

Nuk është e shëndetshme e as normale, që kënaqësia seksuale të kufizohet e të shtypet, ose të censurohet. Për të vendosur, nëse duhet të jeni seksualë, ju duhet të vini në peshore faktet pro dhe kundër. Do të ishte gjë e mençur, që ju t’i bënit vetes këto pyetje:

” A dëmtohet dikush nga që unë bëj seks?”,

“ A do të përfitoj unë dhe dashnori im i mundshëm, prej seksit ?”

“ A më bën të lumtur kjo marrëdhënie seksuale?”

Natyrisht, ju nuk mund të dini nëse dikush do të lëndohet. Ju nuk mund të dini nëse një sëmundje infektive seksuale, ose një shtatzëni e padëshiruar do të ndodhë. Por, ju e keni një mjet të mençur në dispozicion. Ky mjet është Diskutimit Para Seksit. Ky diskutim do t’u lejojë të llogarisni rreziqet e mundshme dhe përfitimet që do të keni nga seksi. Para se të filloni seksin, bashkërisht, duhet të vendosni të jeni të përgjegjshëm dhe të praktikoni seksin më të sigurtë.

Seksi duhet të jetë aktivitet serioz, por në të njëjtën kohë duhet të jetë edhe gëzim, edhe lojë, edhe kujdes edhe kënaqësi e madhe. Në këtë libër ju do të mësoni takimet, për të ashtuquajturit shokë për përfitime dhe hooking up-et. Ju do të mësoni për të mirat dhe të këqijat e tyre. Revistat e adoleshentëve dhe të rinjve, si dhe ëeb-sitet, i trajtojnë, vazhdimisht këto zgjedhje seksuale. Disa autorë, i ngatërrojnë “hooking-upet”, me “shokët për përfitime”. Ju duhet të dini, se këto dy nocione janë dy lloj zgjedhjesh të ndryshme. Të jesh një shok i vërtetë, siç ndodh në marrëdhëniet “shokë për përfitime”, është krejt ndryshe, nga të bësh seks me një të huaj, të cilin, kurrë, nuk e ke njohur më parë, siç ndodh ne “hooking-up”, ose seksin rastësor.

Pavarësisht zgjedhjes që keni bërë, ju e keni të vështirë të kontrolloni tërësisht ndjenjat tuaja, kur jeni duke bërë seks. Nuk është mirë të shtireni sikur nuk çani kokën për dashnorin, kur në të vërtetë, shqetësoheni për të.

Komento