Të verbërit shohin me ekolokator

Të verbërit shohin me ekolokator

Në bazë të klikeve dhe jehonës të verbërit mund të orientohen shumë mirë. Ata dëgjojnë sa larg janë pengesat. Një teknikë që përdoret tek delfinët dhe lakuriqët e natës.

Ai orientohet nëpërmjet tingujve kur lëviz në distanca të shkurtra dhe kur ka të bëjë me distanca më të gjata, Eskandar Abadi vë në funksionim gishtërinjtë. Këto tinguj dhe zhurma përplasen në një objekt, duke prodhuar jehonën e cila kthehet mbrapsht.

53 vjeçari Eskandar Abadi ka lindur i verbër dhe ekolokatori e ndihmon për tu orientuar. “Nëpërmjet jehonës unë mund të kuptoj nëse kam të bëj me një mur apo me një pemë. Sepse jehona është gjithnjë e ndryshme.”

Eskandar Abadi llogarit pa vështirësi distancat. Deri tek muri duhen tre metra e gjysëm dhe deri tek dritarja rreth katër metra. Dhe aty më tej ndodhet një derë. Abadi ka studiuar gjermanistik dhe shkencat politike dhe që prej vitit 2002 punon në redaksinë e gjuhës perse të Deutsche Welles. Këtu ai lëviz pa probleme, ekolokatori e ndihmon.

 

Jehona aktivizon tek të verbërit zonat vizuale të trurit

Për të gjetur çfarë ndodh vërtet në tru gjatë përdorimit të ekolokatorit shkencëtarët kanë matur aktivitetet e trurit. Për këtë vendosën mikrofonë të vegjël në veshët e probandeve. Në këtë mënyrë u regjistruan si klikimet ashtu edhe jehonat përkatëse.

“Pjesëmarrësit në studim luajtën në MRI regjistrimet dhe matën ndërkohë aktivitetet e trurit”, shpjegon Lore Thaler. Shkencëtarja gjermane ka marrë pjesë në një studim të Universitetit të Ontarios perëndimore, që kishte të bënte me echolokacionin tek të verbërit.

Shkencëtarët krahasuan aktivitetet e trurit me dhe pa jehonë. “Kështu u bënë matje në pjesën vizuale por jo auditive të trurit”, thotë Lore Thaler. “Sa kohë të verbërit dëgjonin jehonën, jepej një sinjal në korteksin vizuel, pra që përpunon tek shikuesit përshtypjet e syrit, dhe jo pjesë të trurit që janë përgjegjës për tingujt.” Aftësinë e lëvizjes me anë të echolokatorit mund ta mësojnë edhe njerëzit që nuk janë të verbër.

 

Të dëgjosh sipërfaqet dhe strukturat

Me anë të ekolokatorit njerëzit me përvojën e duhur nuk mund të vlerësojnë vetëm distancën, por mund të njohin edhe sipërfaqe dhe struktura. Një livadh lëshon të tjera jehona nga një mur betoni, një bimë tjetër nga një skelë druri. Edhe qoshet, kthesat dhe skajet tingëllojnë në mënyrë të ndryshme. Në këtë mënyrë të verbërit mund të krijojnë një pamje precize të ambientit të tyre.

Lore Thaler u fut në një fushë të re me hulumtimet e saj shkencore. Ajo ka shkruar shumë tekste shkencore, por mblodhi edhe përshtypjet e jetës së përditshme të një të verbëri. “Ata kanë shumë aftësi orientuese dhe pavarësi, kur për shembull shëtisin në qytet, është vërtet e jashtëzakonshme.”

 

Si delfinët dhe lakuriqët e natës

Eskandar Abadi e përshkruan veten si baterist, këngëtar dhe violinist, si kompozitor dhe artist. Ai është gazetar, ka lindur në Isfahan të Iranit dhe erdhi në këtë botë pa dritën e syrit. Këtë është dashur ta mësojë që kur ka qenë fëmijë, madje edhe duke u lënduar. “Kur kam qenë fëmijë i jepja biçikletës dhe kam marrë pjesë edhe në një garë. Gjatë saj u ndesha me një shtyllë,” tregon ai. “Të qepurat shihen edhe sot në ballin tim. Por mamaja ime ka qenë pedagoge e mirë. Që ditën tjetër ajo më dërgoi sërish jashtë, t`i jepja biçikletës.

 

Komento