Temperamenti

Temperamenti

TemperamentiPërfytyroni dy bebe, të dyja nga e njëjta familje dhe të dyja vajza:

Vajza e parë është e qetë, e kënaqur, luan me veten e vet, vështron çdo gjë që ndodh rreth saj, por rrallë kërkon vëmendje. E lënë me vetveten, ajo fle për periudha të gjata dhe ha jo shpesh.

Vajza e dytë është gjithmonë në lëvizje. Ajo lëviz duart dhe këmbët vazhdimisht kur është zgjuar dhe në gjumë. Ndërsa të porsalindurit flenë rreth 14 orë në ditë, ajo fle 10 orë dhe zgjohet sa herë ka ndonjë aktivitet afër saj. Ajo duket sikur do të bëjë çdo gjë me nxitim, ha me nxitim duke gëlltitur ajër me shumicë, kështu që ka nevojë të bëjë më shumë gromësima.

Të dyja këto bebe janë normale dhe të shëndetshme. Asnjëra s’është më e mirë se tjetra, por temperamentet e tyre janë të ndryshme dhe të dyja duhet të trajtohen ndryshe që nga lindja.

Ashtu si këto bebe, edhe fëmija juaj shfaq një temperament të vetin që në javët e para të jetës. Zbulimi i këtyre sjelljeve është një nga gjërat më të bukura, kur kemi një bebe të re në shtëpi. Sa më të vëmendshëm të jeni ndaj këtyre shenjave, aq më shumë mësoni t’i përgjigjeni në mënyrë të përshtatshme personalitetit të saj dhe aq më e qetë dhe më e parashikueshme do të jetë jeta juaj në muajt e ardhshëm.

Shumë nga këto sjellje janë të lindura. Shfaqja e tyre mund të jetë e vonuar, si për shembull, të lindurit para kohe nuk i shfaqin nevojat si uria, lodhja etj., aq qartë sa fëmijët e tjerë. Ata mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj dritës, zhurmave dhe prekjes për disa muaj dhe loja me to mund të jetë shumë e forte dhe t’i ngacmojë, irritojë apo hutojë. Kur kjo ndodh, prindi duhet të ndalojë dhe të presë, derisa bebi të jetë aktiv dhe pastaj të vazhdojë. Me kalimin e kohës reagimet e fillimit do të largohen dhe tiparet e lindura të fëmijës do të bëhen më të dukshme.

Bebet që janë nën peshë në lindje, edhe nëse kanë lindur në kohë, mund të jenë po ashtu më pak reagues se të porsalindurit e tjerë. Në fillim ata janë të përgjumur dhe nuk duken shumë aktivë. Mbas disa javësh ata duken sikur zgjohen, hanë me ngut, por ngelen të irritueshëm dhe të ndjeshëm ndaj ngacmimeve, ndërmjet dy të pirave të gjirit. Ky irritim mund të zgjasë deri sa ai të rritet dhe të piqet. Sa më shumë të mbrohen nga nxitja e tepërt dhe sa më tepër rehati t’u sigurohet gjatë kësaj periudhe, aq më shpejt do të kalojë kjo situatë.

Që nga fillimi temperamenti i bebes tuaj do të ndikojë në sjelljen tuaj ndaj tij. Nëse ju kishit disa ide rreth reagimit të tij, mbas lindjes duhet t’i rivlerësoni duke parë në se përshtaten apo jo me fëmijën tuaj. Po e njëjta gjë ndodh me këshillat e librave, artikujve, kushërinjve, shokëve, rreth mirërritjes së fëmijës. E vërteta është se kjo nuk është rruga e drejtë dhe nuk funksionon për çdo fëmijë. Ju duhet të krijoni rregullat tuaja sipas fëmijës tuaj qe ka një personalitet të caktuar, besimeve tuaja dhe kushteve specifike të familjes suaj.

Gjëja kryesore është se ju duhet t’i përshtateni individualitetit të tij. Kjo do ta bëjë atë ta ndjejë veten të dashur dhe të vlerësuar dhe do ta ndihmojë të krijojë raporte të drejta me të tjerët në të ardhmen.

Komento