Testi i gjakut për zbulimin e depresionit

Testi i gjakut për zbulimin e depresionit

Shkencëtarët kanë shpikur testin e parë me të cilën mund të diagnostikohet depresioni i rëndë tek adoleshentët.

Metoda aktuale e diagnostikimit të depresionit mbështetet në aftësinë e pacientit që të njohë dhe të zbulojë simptomat e veta dhe kualifikimin e mjekut që t’i interpretojë si duhet.

Hulumtuesit thonë që diagnoza adekuate e depresionit tek adoleshentët është problem i madh, sepse ata janë të prirë ndaj ndryshimeve të humorit, çka është karakteristike për moshën e tyre.

Testi i ri po ashtu duhet të identifikojë edhe nënllojet e depresionit: ta zëmë, pacientë që vuajnë nga depresioni “i pastër” dhe ata që vuajnë nga depresioni në kombinim me anksiozitetin.

Hulumtuesi kryesor, Eva Redei, prof. e psikiatrisë dhe e shkencave biheviorale në Fakultetin e Mjekësisë Feinberg në Universitetin Northwestern në SHBA, thotë që tani “depresioni shërohet me instrument ‘të topitur’. Kjo është sikur të shërojmë diabetin e tipit 1 dhe 2 me të njëjtën mënyrë. Duhet të mundohemi më shumë për fëmijët tonë”.

Adoleshentët të cilët nuk e shërojnë depresionin kronik kanë më shumë shanse që në periudhën e mëvonshme të jenë të prirë ndaj ndonjë nga sëmundjet e varësisë, mospërshtatjes sociale, sëmundjes fizike madje edhe ndaj vetëvrasjes. Zhvillimi i tyre normal është devijuar, ndërsa sëmundja është e pranishme edhe gjatë moshës së pjekur.

Në hulumtim kanë marrë pjesë 14 adoleshentë që vuajnë nga forma serioze e depresionit dhe 14 të shëndetshëm, të gjithë në moshën 15 deri 19-vjeçare.

Laboratori i prof. Redeit i ka testuar të gjithë për 26 markerë gjenetikë, të përcaktuar më parë të bazuar në dekada hulumtimesh në minjtë depresivë dhe anksiozë.

Është zbuluar që 11 markerë kanë dalluar te fëmijët e shëndetshëm dhe të sëmurë.

Përveç kësaj, 18 nga 26 markerë kanë treguar dallimin tek ata që janë të sëmurë vetëm nga depresioni dhe tek ata, të cilët, përveç depresionit, ishin edhe me ankth.

“Këto 11 gjene me siguri janë vetëm maja e ajsbergut, sepse depresioni është sëmundje komplekse”, ka thënë prof. Redei. “Por kjo paraqet një hap më afër një fenomeni shumë më të madh të cilin duhet ta hulumtojmë. Ai tregon qartë që mund të përcaktojmë diagnozën e depresionit në bazë të gjakut.

Depresioni, veçanërisht tek adoleshentët, ende është një lloj i stigmës shoqërore, çka mund të ketë pasoja fatale për të rinjtë.

Kur të mundemi në mënyrë objektive ta diagnostikojmë depresionin, siç është rasti me tensionin e lartë ose diabetin, kjo stigmë do të zhduket”.

Studimi është i publikuar në revistën “Translational Psychiatry”.

Komento