Trajtimi i infeksioneve të veshit

Trajtimi i infeksioneve të veshit

Mahisjet e veshit janë mjaft të shpeshta, sidomos në fëmijët e vegjël (mesatarisht tre episode në vit) dhe shkaktohen kryesisht nga infeksione.

Doktori i të vegjëlve, Polikron Çelo, në rubrikën tonë parashtron përgjigjet e pyetjeve më të zakonshme që ngrejnë prindërit dhe gjyshërit në këto raste. “Fëmija qan me dënesë, mos i dhëmb veshi?”

Dhe pediatri përgjigjet: “Tipike për dhimbjet e veshit janë pikërisht të qarat me dënesë për periudha të gjata ose me ndërprerie, me ose pa “britma”, herëpashere duke çuar dorën te veshi. Nëse bëni një presion të lehtë në pjesën e përparëshme të veshit (tragus), të qarat bëhen më të forta. E njëjta gjë ndodh dhe kur presioni bëhët në përiudhë pak më të qetë.” Më poshtë, ai u jep përgjigje edhe pyetjeve të tjera.

-Si të qetësojmë dhimbjet e veshit të mahisur tek fëmija?
Pavarësishjt nga shkaku (me ose pa infeksion), veproni si më poshtë:
Vendosni pranë veshit një copë të ngrohtë ose një borsë të vogël me ujë të ngrohtë të mbështjellë me peshqir. Nëse fëmija është i vogël, mbajeni pak në pozicion vertikal, më të rriturit të mbajnë çamçakiz në gojë (në të dy rastet ndihmohet rregullimi i presionit brenda veshit)
Jepini Paracetamol ose Ibuprofen (jo Aspirinë). Mos hidhni asgjë në vesh, para se ta vizitojë mjeku (pengohet ekzaminimi po mund të jetë dhe i dëmshëm). Me këto masa, dhimbjet e zakonshme qetësohen brenda një kohe të shkurtër

-Kur duhet të lidhemi me mjekun?
Kur shoqërohen me temperaturë të lartë. Dhimbjet vazhdojnë mbi 24 orë, shoqëruar me tëmeraturë të lartë. Shfaqen shenja të tjera (marrëmëndje, dhimbje të forta koke, të vjella etj). Rrjedh qelb ose vëreni ënjtje rreth veshit. Dhimbjet e padurueshme shfaqen kur fëmija është duke kaluar një sëmundje tjetër. Shenjat e mësipërme kurrë mos i nënvleftësoni; ato zakonisht janë tregues i mahisjeve (sidomos të veshit të mesëm). Sa më shpejt të zbulohen e mjekohen, aq më e mirë ecuria, aq më pak pasoja.

-Dhimbjet filluan gjatë udhëtimit me aeroplan ose menjehëherë mbas zbritjes?
Shkaku lidhet me ndryshimet e presionit midis veshit të mesëm dhe të jashtëm (barotrauma). Për ti parandaluar, jepini fëmijës të mbajë në gojë një karamele; më të vegjëlve, një shishe biberon me qumësht. Dhimbjet e kësaj natyre kalojnë brenda një periudhe shumë të shkurtër. Nëse zgjasin, merrni masat e zakonshme për ti qetësuar.

-Në vesh ka hyrë një trup i huaj?
Fëmijët fusin shpesh në vesh sende të vogla (misër, bizele, fasule, rruaza etj) duke krijuar një problem delikat. Para se të merrni ndonjë veprim, shikoni me kujdes vendndodhjen dhe mundësinë e nxjerrjes. Nëse nuk është thellë dhe mund të kapet lehtë, hiqeni me dorë ose me ndonjë pincë të vogël; nëse jo (qoftë dhe në dyshimin më të vogël) mos ndërmerrni asnjë veprim, por nisuni menjëherë te mjeku. Çdo veprim i nxituar për ta nxjerrë mund ta shtyjë më poshtë duke shkaktuar dëmtime gjatë lëvizies.

-Po nëse hyn ndonjë insekt, si të veprojmë?
Kthejeni fëmijën me kokë anash dhe hidhni në vesh një sasi të vogel ujë të vakët (një formë lavazhi) dhe tërhiqni pak llapën e veshit poshtë, me qëllim që të lirohet më mirë kanali. Me këtë veprim të thjeshtë e pa asnjë rrezik, insekti do të dalë. Nëse jo, duhet ndihma e mjekut.

-Mahisjet e veshit, përsëriten, lënë pasoja?
Shkaqet e përsëritjeve duhen kërkuar me mangësi, përsa i përket mjekimit si dhe me rrethanat që ndikojnë në mahisjet e veshit (mjediset ku pihet duhan, familjet e mëdha në numër ose më shumë vizitorë, kushtet higjenike, jeta kolektive si çerdhe, kopshte etj.) Nëse mjekohen siç duhet, mahisjet e veshit shërohen plotësisht pa lënë pasoja. Në të kundërt, jo vetëm përsëriten, por mund të lindin probleme lidhur me dëgjimin.

Pak njohuri më tepër
– Fëmijët pa gji sëmuren më shpesh në krahasim me ata që ushqehen me gji.
– Veshët të lahen si gjithë pjesët e tjera të trupit. Asnjëherë nuk duhen pastruar në thellësi të kanalit me shkopinj pambuku.Veprime të tilla bëjnë që “dylli i veshit” (një sekrecion normal), të kalojë drejt daulles duke favorizuar mahisjen e tij. Pjesët e jashtme të llapës së veshit, pastrohen me një pece të pastër.

2 Comments

  1. Per dhimbje ne brendesi te veshit

  2. Pershendetje jam nje nen e nje femije 6muajsh po kohen e fundit ka dhimbje te veshit edhe rregullisht ja pastroj me uj te vakt por veshi rrin i skuqur edhe vetem qan dhe gjat gjith kohes emban doren te veshi amundesh mema dhon nje kshill per lehtsimin e dhimbjes veshit

Komento