Transplantimi i mitrës

Transplantimi i mitrës

Kirurgët e klinikës universitare Akdeniz, në provincën jugore Antalya, kanë kryer më 9 gusht transplantimin e parë të suksesshëm të mitrës, njoftuan sot agjencitë e lajmeve.

Turkja Deria Sert u bë kësisoj gruaja e parë në botë së cilës i është transplantuar mitra nga një donatore e vdekur, me çka ka zgjuar shpresën e miliona grave për të linduir fëmijë.

“Lumturia, emocionet, të gjitha janë të përziera”, deklaroi 21-vjeçarja Sert, e cila ka lindur pa uterus si çdo e 5 000 grua në botë. “Nëse më lejon Zoti, së shpejti do të mbajmë foshnjën tonë në duar”, tha pacientja e re.

Ky është rasti i dytë i përpjekjes së transplantimit të mitrës në botë. I pari qe tentuar në Arabinë Saudite në vitin 2000, por ai përfundoi me refuzimin e organit të transplantuar pas 99 ditëve.

Kirurgët turq pohojnë se megjithë suksesin e operimit, suksesi i vërtetë do të shihet vetëm pasi Sert të lindë foshnjën.

Pas lindjes, kirurgët planifikojnë që të nxjerrin mitrën e transplantuar, në mënyrë që të shmangin riskun e mundshëm të refuzimit dhe infeksionit.

Në mbarë botën vetëm tri qendra mjekësore punojnë në transplantimin e mitrës. Një nga këto qendra gjendet në Suedi dhe një tjetër në SHB.

Komento