Trendët e grimit vjeshtor

Trendët e grimit vjeshtor

Nëse nuk ju pëlqen grimi i tepërt, atëherë këtë vjeshtë përfundimisht do ta gjeni veten. Grimi minimal, respektivisht pamja sa më e natyrshme, përsëri është në modë. Më së vështiri është që të arrihet pamja e freskët, e cila do ta vejë theksin te bukuria juaj e natyrshme, e që të mos e teproni me grim.

Gjithçka që ju duhet të bëni është që ta gjeni një bazë e cila përshtatet shumë mirë me tenin tuaj, një hije me ngjyrë neutrale, respektivisht për një deri në dy nuanca më të errët sesa lëkura juaj, një maskarë, e cila do t’i theksojë sytë tuaj, një bojëkuq të butë për faqe, si dhe një shkëlqyes apo buzëkuq me ngjyrë mishi.

Po ashtu, nuk duhet ta teproni me grimin “nude” (“të padukshëm”), sidomos me hije të bardha kozmetike. Me rëndësi është që ta arrini një pamje natyrore dhe të shëndetshme.

Buzët e vampirit

Kjo vjeshtë është në shenjë të kontradiktës. Nga njëra anë aty është pamja natyrore, thuajse pa grim, e në anën tjetër preferohen edhe buzëkuqtë me ngjyra të ndezura, paksa jo të rëndomtë. Preferohen nuancat e portokallta, të kuqe, të kuqërremta dhe vjollcë të errëta. Këtë trend e kanë shpikur shtëpitë e modës “Diane von Furstenberg” dhe “Yves Saint Laurent”, të cilat e kanë kombinuar me një ten të përkryer, si porcelan.

Vetullat natyrore të trasha

Nëse edhe ju keni vetulla paksa më të trasha, mos u mërzitni – përfundimisht ka ardhur koha juaj. Vetullat e holla, të shkulura me kujdes, i takojnë së kaluarës, kurse një pamje paksa djaloshare është në modë këtë sezon. Këtë vjeshtë theksoni lirshëm vetullat tuaja me laps, në mënyrë që sa më mirë t’i theksoni ato dhe të duken sa më natyrore.

Sytë “smokey” në nuanca të ndryshme

“Sytë e tymosur” (“Smokey eyes”) gjithmonë janë “in”, sidomos për mbrëmje. Dallimi i vetëm ka të bëjë me faktin se këtë vit mund të eksperimentoni me ngjyra të ndryshme, duke filluar nga e gjelbra, e kaltra, e deri te ngjyra vjollcë e errët. Nëse ju mërzitet pamja klasike “smokey”, atëherë atë mund ta zëvendësoni me një variant më të gjallë dhe me siguri se do të bini në sy.

Vija me tush bën mrekulli

Një vijë e vetme bën mrekulli, për këtë shkak këtë vit merreni tushin apo lapsin e syve dhe vëreni theksin te ta. Mos e frenoni imagjinatën, përdorni vijat e holla, për një pamje klasike, ato të trasha për një pamje dramatike, apo vijat lehtësisht të pjerrëta për një pamje sikur të viteve 1970.

Komento