Ujera termale, jo vetem kunder reumatizme

Ujera termale, jo vetem kunder reumatizme

Edhe kundër anemisë, diabetit, mungesës së hormoneve, infeksioneve, lodhjes nervore etj. Për relaks dhe shëndet të mirë jo vetëm buzë detit, por edhe në ujëra termale.

Jo vetëm për të sëmurët, por edhe ata që nuk vuajnë nga sëmundjet për t’iu paraprirë atyre. Pleqtë dhe të rinjtë, gjithmonë e më të shumtë në shfaqjen e problemeve të hershme me shëndetin.

Të ashtuquajturat ‘llixha’ edhe në antikitet njiheshin si vende relaksi, dhe mbrojtëse për shëndetin, veçse edhe kuruese kur shëndeti shfaq lloj-lloj problemesh. Janë një terapi gjatë gjithë vitit, edhe në dimër efekti është njësoj. Tashmë pranë llixhave të Elbasanit dhe Peshkopisë janë ngritur edhe qendra kurative që ofrojnë shërbime të plota, duke shtuar edhe mjekun në gatishmëri për të ndjekur ecurinë e terapisë. “Jo vetëm për sëmundjet reumatizmale, si poliartritet, spondeliatrozat, hernie diskale, ‘guta’ që kap këmbët dhe duart si pasojë e tepricës së acidit urik në gjak, por edhe sëmundje të enëve të gjakut si anemia dhe problemet hormonale.

Përmirëson kolitet kronike, pastron organizmin nga sëmundje të lëkurës si ekzemat, myku, e rinon atë si një krem anti-plakje, apo kundër infeksione të ndryshme të vezoreve, pneumonare etj. Edhe kundër diabetit, por jo kur është në shkallë të rëndë. Stimulon mjaft edhe seksualitetin dhe lindjen e fëmijëve në çiftet që kanë probleme. Ka pasur mjaft çifte që pas 21 ditësh kurë kanë pasur sukses. Por vlen edhe si një relaks nervor kundër nevralgjisë, lodhjes nervore”, shpjegon mjeku kirurg Agim Rama i qendrës kurative ‘Iliria’ në Llixhat e Elbasanit. Më e mira është të bëhet dy herë në vit me nga dhjetë ditë, por edhe një herë në vit mjafton.

Kush nuk duhet të bëjë llixha

Ata të sëmurë që vijnë në fazë akute, pas operacionesh, pas një bronkopneumonie akute, duhet të kalojnë një herë këtë fazë , rreth dy-tre muaj, e pastaj të bëjnë llixha. Ata që kanë kaluar infarkt, trompozë cerebrale duhet të presin një vit e pastaj të bëjnë llixha nën kujdesin e mjekut.

Nuk këshillohen të bëjnë llixha ata që vuajnë nga sklerozë e rëndë, epileptikët dhe ata që kanë dekompozim të zemrës me buzë të nxira, ënjtje të këmbëve, marrje fryme apo që vuajnë në shkallë të lartë nga variçet. Edhe atyre që vuajnë nga sëmundje të pashërueshme nuk i’u rekomandohet llixha pa një kontroll tek mjeku. Gjithashtu edhe grave shtatëzana në tremujorin e parë dhe të fundit i’u ndalohet.

Komento