Home » Uncategorized » Vlerat e çokollatës

Vlerat e çokollatës

Çokollata ka vlera antidepresive që lidhen me praninë e magnezit dhe të molekulave të ngjashme me endorfinat

Çokollata është një ushqim energjik, për shkak të përbërjes së saj me sheqer dhe yndyrë. Në 100 g çokollatë ka 560 kilokalori, ndërkohë që në 100 g bukë ka 250 kilokalori. Mesatarisht, njeriu ka nevojë për 2.400 kilokalori në ditë.
Çokollata përmban polifenole, të cilat janë molekula natyrale që u japin ngjyrën shumë bimëve. Polifenolët janë antioksidantë që veprojnë kundër radikaleve të lira toksike, duke reduktuar kështu stresin oksidues të qelizave, i cili ndikon në plakjen e organizmit. Polifenolët ndikojnë gjithashtu në uljen e rrezikut të kancereve dhe sëmundjeve kardiovaskulare.
Çokollata e zezë përmban 0.80% polifenolë, ndërsa çokollata me qumësht 0,50%. Çaji jeshil përmban 0,30%, ndërsa vera e kuqe 0,15%.
Çokollata e zezë përmban 35% yndyrë, gjalpë kakao. Falë përmbajtjes së tij me acide të yndyrshme, gjalpi i kakaos çliron në një zorrë mëse 70% acid oleik, i cili merr pjesë në eliminimin e kolesterolit dhe në parandalimin e arteriosklerozës. Kujdes me çokollatën me qumësht:  përmban yndyrna shtazore, të cilat favorizojnë kolesterolin.
Metilksantinat janë molekula natyrale që gjenden në bimët stimuluese, si kafeja, kakaoja, çaji… Kafeina përbën vetëm 0.4% të kakaos. Teobromina, metilksantina tjetër e kakaos, përbën 1.6%. Kafeina dhe teobromina janë substanca që heqin gjumin. Këta elementë e bëjnë çokollatën një produkt tonizues. Teobromina ndikon edhe në zgjerimin e bronkeve, stimulon sistemin nervor qendror dhe përmirëson performancën muskulore.
Çokollata ka vlera antidepresive që lidhen me praninë e magnezit dhe të molekulave të ngjashme me endorfinat, të cilat janë substanca natyrale të prodhuara nga organizmi ynë. Ato shkaktojnë eufori dhe kanë vlera psikostimuluese.
Çokollata përbën një burim të rëndësishëm për oligoelementët më të domosdoshëm të organizmit. 100 g çokollatë me 70% kakao mbulojnë nga 20 deri në 50% të nevojave ditore me magnez, fosfor, potas, bakër dhe hekur të të rriturve. Çokollata përmban edhe fluor, një element që ndihmon për parandalimin e prishjes së dhëmbëve.
Çokollata ka edhe vlera të tjera, por në disa raste është mirë të mos përdoret. Në rastin e diabetikëve, duhet treguar kujdes, edhe pse diabetologët mendojnë se çokollata me mbi 70% përmbajtje kakaoje përbën një rrezik shumë të kufizuar. Probleme kanë edhe personat të citë vuajnë nga reflukset gastrike në ezofag. Edhe në raste kolitesh hepatike, përdorimi i çokollatës ka ndikim negativ, për shkak të sasisë së tepërt të sheqerit dhe yndyrës.  Thuhet se çokollata shkakton alergji, por këto janë alergji ushqimore të shkaktuara ndoshta nga prania e feniletilaminës dhe tiraminës.
Duhet theksuar se në qytetërimet e hershme, kakaoja përdorej si medikament dhe se prodhuesit e parë të çokollatave ishin farmacistë.

burimi: living.al

Publikoje ne:
  • Postoje tek Kapsit
  • Bookmark tek RuajFaqet
  • Facebook
  • Print this article!
© 2014 Keshilla.NET · RSS · Designed by Theme Junkie · Powered by WordPress