Ushqimet qe e parandalojne kancerine prostates

Tumori i prostatë

Tumori i prostatës është forma e dytë më e përhapur e kancerit që prek meshkujt (pas atij të mushkërive) dhe i pari në vendet më të pasura. Përveç domateve, ushqime të tjera të dobishme janë çaji jeshil, soja, sheg...

E gjitha, me lëkurë e fara dhe e pjekur: kështu duhet konsumuar në tavolinë domatja për të mbrojtur shëndetin mashkullor. Prej kohësh, mbretëresha e kuzhinës mesdhetare është studiuar për vetitë kundër kancerit, mbi të gjitha për një nga përbërësit e saj, likopenin.

Por tani, një studim italian ka treguar se domatja në përgjithësi është shumë efikase në parandalimin e tumorit të prostatës. Virtytet e domates së gatuar janë studiuar më parë te kafshët. Studimi i kryer nga Qendra Shkencore kundër Plakjes në Universitetin e Chieti-t, në bashkëpunim me Universitetin Federico II i Napolit, është publikuar në revistën “Cancer Prevention Research”.

Manuela Iezzi, e cila drejtoi këtë kërkim, shpjegon se përse salca e domates ka më shumë veti se sa të hash një kokërr të “gjallë” e të pagatuar. “Vëzhguam se si një dietë e pasur me domate, sidomos të gatuara bashkë me lëkurë, ashtu siç ndodh në ushqimet e dietës mesdhetare, redukton rrezikun për zhvillimin e tumorit të prostatës dhe faktorët inflamatorë të përfshirë në procesin tumoral. Gjithçka i detyrohet likopenit, një përbërës që gjendet tek domatja, shumë efikas në luftën kundër kancerit”. Kërkuesit e Universitetit të Chieti-t kanë stimuluar minjtë e laboratorit, duke manipuluar gjenetikisht stadet e një tumori në prostatën e meshkujve. Një pjesë e kafshëve u ushqye me ekstrakte salcë domateje të variantit “qershi”, në sasinë 10 për qind të dietës së tyre të përditshme. Në këtë grup mbijetesa u rrit nga 11 në 67 për qind, tumori evoluoi më ngadalë dhe u vu re një aktivitet më i madh antioksidues dhe një nivel më i vogël në organizmin e “shënuesve” të inflamacionit (Ky i fundit është një proces shumë i rëndësishëm në formimin e tumoreve që prekin gjëndrën prostatike). “Studimi u financua nga programe kërkimi të zhvillimit industrial që shohin bashkëpunimin e sektorit publik dhe të disa kompanive ushqimore dhe ka shërbyer, mes të tjerave, të provojë se jo të gjitha gatimet dhe jo të gjitha kualitetet e domates kanë të njëjtat veti në parandalimin e tumoreve të ndryshme, jo vetëm të atij të prostatës”, shpjegon më tej Iezzi.

Tumori i prostatës është forma e dytë më e përhapur e kancerit që prek meshkujt (pas atij të mushkërive) dhe i pari në vendet më të pasura. Përveç domateve, ushqimet që janë studiuar më shumë në lidhje me tumoret e prostatës janë çaji jeshil (i pasur me polifenole antioksiduese), soja, shega, përveç integratorëve si seleni, vitamina D dhe vitamina E. Edhe pse këto rezultate nuk janë ende të qarta, ekspertët e vënë theksin te një dietë e ekuilibruar dhe e shumëllojshme, e pasur me fruta dhe perime.

Ushqimet mike
Janë të shumta ushqimet e domosdoshme për organizmin, por që njerëzve nuk u shkon në mendje kurrë t’i blejnë kur nisen për të bërë pazarin. Për disa prej tyre mbase nuk kemi dëgjuar kurrë, ndërsa për të tjerat, ndoshta kemi harruar që ekzistojnë.

Kjo është edhe arsyeja kryesore se përse po mundohemi t’iu kujtojmë disa prej tyre. Sipas studimeve të fundit shkencore është e sigurt se nëse do t’u bëni një vend në tavolinën tuaj, do të përmirësoni menjëherë shëndetin tuaj, pa e pasur aspak nevojën e ilaçeve. Të parat në listë janë farat e kungullit. Kjo pjesë që zakonisht nuk përdoret, është më e ushqyeshmja te kungujt.

Pse janë të shëndetshme? Farat e kungullit mund të quhen pa frikë si mënyra më e lehtë dhe më e shpejtë për ta pasuruar organizmin tonë me magnez. Kjo është vërtet e rëndësishme, pasi kërkuesit francezë kanë përcaktuar se njerëzit me nivel të lartë magnezi në gjak kanë 40 për qind më pak rrezik për të vdekur më shpejt se ata që kanë një nivel më të ulët të këtij elementi. Mesatarisht, njerëzit konsumojnë 353 mg minerale në ditë nga 420 që është minimumi që duhet konsumuar. Si mund t’i hamë: të gjitha, pa i qëruar, sepse lëvozhgat përmbajnë shumë fibra. Farat e kungullit të pjekura përmbajnë 150 miligramë magnez. Ndaj për të rregulluar regjimin tuaj ushqimor dhe për të arritur nivelin e 420 mg mineraleve në ditë është e këshillueshme që t’i përdorim. Pastaj vjen lëngu i shegës. Ai është një pije popullore me origjinë nga Lindja e Mesme. Tashmë ka filluar të përdoret gjerësisht në të gjitha vendet.

Pse duhet ta përdorim? Shkencëtarët izraelitë, pas një studimi, kanë zbuluar se njerëzit që kishin pirë dy gota me lëng shege të shtrydhur në ditë, prej vitesh, kishin rregulluar me 21 për qind presionin e gjakut dhe mbrojtur zemrën nga sëmundjet e ndryshme dhe parandaluar kancerin e prostatës. Për më tepër, një gotë mbulon rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminën C. Pastaj vjen kanella. Është një bimë shumëvjeçare e cila rritet në vendet tropikale.

Lëkura e saj mund të hiqet dhe të përdoret në mjekësi, apo për pije dhe në gatime. Nga lëkura e tharë e kësaj bime mund të përftohet një pluhur me ngjyrë kafe, që ka erë të këndshme dhe që u hidhet pijeve ose ëmbëlsirave për t’u dhënë aromë e shije të mirë. Pse është e shëndetshme? Kanella ndihmon në kontrollin e sheqerit në gjak, i cili ndikon drejtpërdrejt në sëmundjet e zemrës. Në fakt, shkencëtarët amerikanë kanë zbuluar se njerëzit me diabet të tipit 2 që konsumojnë rreth 1 gram kanellë në ditë, për gjashtë javë rresht, (rreth gjysmë lugë kafeje çdo ditë) reduktojnë në mënyrë të ndjeshme jo vetëm sasinë e sheqerit në gjak, por edhe trigliceridet dhe kolesterolin. Si mund ta hamë? Hidheni në kafe, kakao ose sipër ushqimit tuaj.

Komento