Ushqyerje me gji apo biberon?

Ushqyerje me gji apo biberon?

Nuk ka si ushqyerja me gji” – Kjo është këshilla më e shpeshtë që u jepet nënave të reja, të cilat janë të dyzuara përballë pikëpyetjes: Ushqyerje më gji, apo me biberon?

Vitet e fundit, jo vetëm në vendin tonë, por kudo në botë ka nisur një fushatë e fuqishme për të bindur nënat e reja të ushqejnë fëmijët e sapolindur me qumësht gjiri. Mbrojtësit e kësaj teze rendisin një sërë argumentesh në favor.

Qumështi i nënës ka veçori imunitare dhe e mbron fëmijën ndaj infeksioneve. Ai përmban ushqimin e nevojshëm për gjashtë muajt e parë të jetës së foshnjave dhe njëkohësisht i bën ata rezistues ndaj infeksioneve si diarreja, infeksioneve të veshit, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes…etj.

Përmban ujë të mjaftueshëm për fëmijën edhe kur moti është tepër i nxehtë, në të njëjtën kohë është zgjedhja numër një në ndalimin e dehidratimit. Përmban më shumë laktozë se çdo qumësht tjetër, dhe kjo është ajo për të cilën ka më shumë nevojë fëmija. Përmban hekur të mjaftueshëm dhe të përshtatshëm për t’u absorbuar në zorrët e fëmijës, prandaj dhe te fëmijët e ushqyer me qumështin e nënës nuk vërehet anemia dhe mungesa e hekurit. Përveç këtyre është përherë i gatshëm dhe nuk kërkon ngrohje të ujit, apo shishe me biberon të sterilizuar.

Studimet gjithashtu thonë se gjidhënia është e dobishme sa për fëmijën ashtu edhe për nënën. Fillimi i gjidhënies menjëherë pas lindjes, ndihmon nënën në rimarrjen e formës fizike të mëparshme, duke djegur yndyrat e tepërta. Gjidhënia pengon fryrjen dhe qelbëzimin e gjirit nga qumështi. Po ashtu pengon shtatzëninë në gjashtë muajt e parë. Te nënat që e praktikojnë gjidhënien, kanceri i gjirit dhe i vezoreve është më i rrallë. Në të njëjtën kohë gjidhënia ndikon edhe në psikologjinë e nënës dhe fëmijës, i bën ata që të lidhen fort me njëri-tjetrin.

Por përballë gjithë të mirave që shtrojnë studimet lidhur me gjidhënien, qëndron ushqimi me biberon dhe të mirat e tij. Sot në botë gati kjo metodë përdoret nga 50 – 70% e nënave.

Kjo mënyrë të ushqyeri, e cila është më e shkurtër në kohë dhe me frekuenca më të rralla i siguron nënës më shumë kohë për vetveten, duke mos e bërë të ndihet e varur gjatë gjithë ditës pas fëmijës, pasi gjidhënia kërkon që fëmija të ushqehet mesatarisht tetë deri në dhjetë herë në ditë, frekuencë e shpeshtë e cila e kushtëzon nënën në shumë aspekte: për nënat që janë të punësuara, nuk e përballojnë dot një frekuencë të tillë, pasi nuk largohen dot nga fëmija për më shumë se një orë e gjysmë.

Nuk e ushqejnë dot fëmijën në ambiente publike. Gjatë natës detyrohen të ngrihen dy apo tri herë për të ushqyer fëmijën, një lodhje dhe mundim i cili dëmton nënën e si pasojë edhe fëmijën, pasi një nënë e lodhur dhe e pagjumë nuk jep dot kujdesin maksimal për foshnjën saj. Përveç kësaj ushqimi me biberon, shihet si një mënyrë e cila mund të lidhë shumë mirë fëmijën me babanë, i cili gjatë gjidhënies përjashtohet krejtësisht nga procesi, duke bërë që herë-herë të largohet nga fëmija, e herë–herë të largohet nga bashkëshortja.

Jetesa e kohëve moderne përveçse është bërë më komode, në anën tjetër ka shtuar impenjimet, por gjithashtu ka shtuar dhe vëmendjen e nënave ndaj vetvetes. Kështu një nënë, e cila është së pari femër, kërkon të ketë kohë të lirë për vetveten, për bashkëshortin për punën dhe për shoqërinë, pjesë të jetës të cilat kufizohen gjatë gjidhënies.

Dihet tashmë që një pjesë e mirë e femrave, kalon një fazë të shkurtër depresioni pas lindjes së fëmijës, fazë e cila vjen si pasojë e shkëputjes së nënës nga jeta e mëparshme. Ushqimi me biberon i siguron nënës vijimin e aktivitetit të mëparshëm. Kështu që një nënë që punon, që siguron të mira materiale për familjen, që bën një jetë sociale, siguron një mirërritje dhe miredukim të sigurt për fëmijën e saj.

Shpeshherë kjo metodë ushqyerjeje shihet edhe si një egoizëm i tepruar i nënave, të cilat luftohen me shprehjen: “Biberoni nuk mund t’i japë foshnjës atë ngrohtësi dhe dashuri që i përcjell gjidhënia”. Duke parë argumentet e të dyja metodave të mësipërme është e vështirë, të thuhet se cili nga grupimet ka të drejtë dhe kush ka gabim. Por ajo që mund të thuhet me siguri, është fakti se nënat kërkojnë gjithmonë më të mirën për fëmijën e tyre. Kështu, duhet të jenë ato dhe vetëm ato të cilat duhet të vendosin për rrugën që duhet të zgjedhin. Një nënë që di të vlerësojë kufizimet, mundësitë dhe pamundësitë e jetesës së sotme, që di të vlerësojë të mirat dhe të këqijat e dy metodave të ushqyerjes, e që më pas merr vendime të pavarura dhe të pakushtëzuara, është një nënë që gjithmonë do të dijë të edukojë dhe të zgjedhë më të mirën për fëmijën e saj.

Komento