Vaji i ullirit, ushqim dhe “ilaç” i rëndësishëm

Vaji i ullirit, ushqim dhe “ilaç” i rëndësishëm

Pema legjendare e ullirit dhe vaji i nxjerrë nga “fruti” i saj e kanë shoqëruar për rreth 8000 mijë vite historinë e njerëzimit. Kjo bimë kultivohej në Lindjen e Mesme, por më vonë feniksit e shpërndanë kultivimin e saj në të gjitha brigjet e Mesdheut, që nga Afrika e deri në Evropën e Jugut.

Me rritjen e prodhimit lindi edhe nevoja për ta përpunuar ullirin. Romakët arritën të ndërtonin edhe mjetet e para për shtypjen e ullinjve, duke perfeksionuar gjithmonë e më shumë edhe teknikat e konservimit të vajit.

Por, ndërkohë që kultivimi i ullirit po shtohej gjithmonë e më shumë, romakët ndoqën një tjetër teknikë. Ata provuan të kultivonin në çdo territor të pushtuar ullirin, pemën e shenjtë për ta.

Ndër vite, vaji i ullirit është përdorur jo vetëm për të pasuruar ushqimet, por edhe në kozmetikë. Druri dhe dega e ullirit janë cituar edhe në Bibël, edhe në Kuran, duke dëshmuar kështu rëndësinë historike të këtij “fryti” në jetesën dhe punën e njerëzve.

Studimet kanë treguar se vaji i ullirit luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen ndaj sëmundjeve, transmeton Top Channel. Ndër shekuj është protagonist i padiskutueshëm i dietave mesdhetare, duke ndikuar në uljen e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare e duke çuar në parandalimin e disa lloje tumoresh. Kështu, studiuesit në Spanjë dhe në SHBA gjetën se një prej përbërësve të vajit të ullirit ul pothuajse me 30% nivelin e substancave që shkaktojnë kancerin e gjirit. Që në lashtësi popujt rreth brigjeve të Mesdheut e kanë përdorur vajin e ullirit si balsam për zbutjen dhe rritjen e lagështisë së lëkurës së thatë, për shkëlqimin e flokëve, për masazh të muskujve, mbylljen e plagëve, parandalimin e rrudhave dhe për kurimin e pagjumësisë.

Vitet e fundit është zbuluar se vaji ullirit ka shumë ndikim mbi aktivitetin metabolik të organeleve të qelizës. Prej kohësh ai përdoret jo vetëm si ushqim, por edhe si medikament me vlera të larta për kurimin e disa sëmundjeve të ndryshme. Sipas specialistëve, vaji ullirit me hudhër ndihmon në kurimin e astmës, arteriosklerozës dhe hipertensionit.

Vaj ulliri me borzilok ndihmon në kurimin e lodhjes intelektuale.

Vaj ulliri me koreandër kuron vështirësitë në tretje.

Vaj ulliri me dëllinjë ndihmon në kurimin e diabetit dhe ngërçit.

Vaj ulliri me qepë ndihmon në kurimin e diabetit, sëmundjeve të frymëmarrjes, arteriosklerozës, majisjeve gjenito-urinare.

Vaj ulliri me frutat e myshkut kuron asteninë dhe gurin në tëmth.

Vaj ulliri me lavandër ndihmon në kurimin e enteritit dhe sëmundjeve infektive.

Ulliri njihet edhe për ndihmën që i jep zhvillimit të trurit dhe kockave si te fëmijët, ashtu edhe tek të rriturit, duke ruajtur metabolizmin e tyre gjatë humbjes së kalciumit.

Ndërkohë janë të shumta maskat e bukurisë që e kanë të pazëvendësueshëm vajin e ullirit si një nga përbërësit kryesorë.

Me pak fjalë mund të themi se ulliri është ushqim, është kurativ dhe jep ndihmesën e tij kryesore për të na ushqyer, për të na kuruar dhe për të na bërë më të bukur.

Komento