Vitaminat na mbrojnë prej rrezeve të dëmshme të diellit

Vitaminat na mbrojnë prej rrezeve të dëmshme të diellit

Si shenja të para të dëmtimit të lëkurës së pari shfaqen rrudhat, njollat e errëta dhe skuqjet.

Por, më brengosëse është ajo që nuk mund të shihet me sy. Këto janë dëmtimet që shfaqen nga ndikimi i rrezeve UV të cilat shtojnë rrezikun për kancerin e lëkurës. Gjatë hulumtimeve ishte vlerësuar ndikimi i disa antioksiduesve në parandalimin e kancerit të lëkurës.

Beta karotina

Është një nga antioksiduesit më të njohur që e hasim në burimet bimore dhe në alga. Beta karotina është një ‘ombrellë natyrore’, që e mbron lëkurën nga rrezet e dëmshme UV, duke zvogëluar ndikimin e radikalëve të lirë. Rezultatet e studimeve të shumta tregojnë se beta karotina ndikon si masë mbrojtëse edhe kundër sëmundjeve akute dhe kronike që shfaqen si pasojë e ekspozimit në diell.

Vitamina C

Sipas studimeve të fundit nga ana e dermatologëve, vitamina C mund t’ju ‘kundërvihet’ pasojave negative që shfaqen si pasojë e ekspozimit të tepërt në diell. Radikalët e grumbulluar shkaktojnë dëme në indin e lëkurës duke shkaktuar shfaqjen e rrudhave në lëkurë. Vitamina C, si antioksidues i fuqishëm neutralizon radikalët e lirë dhe në këtë mënyrë parandalon dëmtimin e lëkurës. Pos parandalimit të dëmtimeve, vitamina C luan rol të rëndësishëm edhe në rigjallërimin e lëkurës tashmë të dëmtuar. Sipas dermatologëve amerikanë, konsumi ditor prej 500 – 1000 mg vitamina C mund të jetë dobi e madhe në ruajtjen e shëndetit të lëkurës.

Vitamina E

Vitamina E ndryshe quhet edhe si ‘vitamina e bukurisë’ sepse nxit shumë reagime kimike në organizëm të cilat reagime përmirësojnë gjendjen e lëkurës tonë. Është antioksidues i fortë dhe ndikon në mbrojtjen e të gjitha llojeve të lëkurës.

Vitamina E:

– Lagështon lëkurën

– Nxit përmirësimin e dëmtimeve të shkaktuar si pasojë e pranisë së radikalëve të lirë

– Mbron lëkurën nga shkaktarët e dëmshëm të mjedisit

– Ndihmon në zbutjen e skuqjes së lëkurës si pasojë e ekspozimit të tepërt në diell

– Parandalon shfaqjen e njollave të errëta në lëkurë

– Zvogëlon shfaqjen e rrudhave dhe lëkurën e mban të butë. Vitamina E apo kremrat që përmbajnë këtë vitaminë janë të shkëlqyeshme për ekspozim ndaj diellit, apo thënë më mirë, vitamina E është e nevojshme të vendoset 10-20 minuta para se t’i ekspozoheni diellit.

Vitamina A

Vitamina A është esenciale kur kemi të bëjmë me shëndetin e lëkurës. Luan rol të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e qelizave të lëkurës dhe ndikon në përmirësimin e tyre si pasojë e shfaqjes së radikalëve të lirë. Vitaminën A duhet konsumuar përmes ushqimit, apo si pjesë shtesë anti-oksiduese dhe këtë në kombinim me vitaminat C dhe E sepse, përveç që vitamina C merr pjesë në rigjallërimin e vitaminave E, edhe metabolizmi i vitaminave A është ngushtë i lidhur me vitaminën C.

Komento