Zbulohen lëndë kimike në pelenat e fëmijëve

Zbulohen lëndë kimike në pelenat e fëmijëve

Jashtë standardeve dhe të falsifikuara. Bëhet fjalë për produkte që duhet të jenë sterile, pasi kanë kontakt direkt me trupin. Situata bëhet edhe më kritike kur bëhet fjalë për fëmijët.

Prindërit duhet të bëjnë kujdes me pelenat njëpërdorimëshe që u blejnë të vegjëlve nga mosha 0-3 vjeç. Një pjesë e mirë e tyre kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të substancave kimike. Të dhënat vijnë pas analizave të kryera në laboratorët e  Inspektoratit Qendror Teknik.

Burime pranë këtij institucioni bëjnë me dije se një raport i veçantë është hartuar nga specialistët për 5 lloje produktesh, ku bëjnë pjesë jo vetëm pelenat njëpërdorimëshe të fëmijëve, por edhe pambuku, pecetat higjienike dhe fashat higjienike. Monitorimi është kryer në qytetin e Tiranës. “Janë produkte shumë delikate, të cilat duhet të kenë një rëndësi të veçantë mbi të gjitha sa i përket kontrollit, pasi ndikojnë direkt mbi shëndetin e konsumatorit. Për këto të dhëna janë vënë në dijeni edhe autoritetet përkatëse të shëndetësisë”, thuhet në raportin e Inspektoratit Qendror Teknik. Sipas tij janë kryer disa fushata kontrollesh për këtë gamë produktesh dhe janë vërejtur shumë probleme.

Analizat e laboratorëve
“Gjatë analizave në laborator është vënë re se produkte të njëjta nga ana organoleptike, pra që kane të njëjtin emërtim dhe ambalazhim, por të marra për analize në distributorë të ndryshëm, mbas nënshtrimit të analizave kimike dhanë rezultate të ndryshme, herë brenda dhe herë jashtë standardit, gjë që na bën të mendojmë se parti të njëllojta produkti nga pamja e jashtme, nuk janë të njëllojta në përbërjen e tyre, duke të lënë të dyshosh se në treg hyjnë produkte të falsifikuara”, thuhet në raport. Në të janë përmendur edhe emra kompanish të veçanta, të cilat gazeta për efekt etike nuk po i përmend në shkrim. Por shqetësues mbetet fakti se këtë kategori produktesh e përdor çdo familje shqiptare. Pavarësisht se strukturat përkatëse janë vënë në dijeni, nuk është marrë asnjë masë. Janë kontrolluar dhe janë marrë për analiza më të hollësishme në laborator 21 kampione që i përkasin kategorive të përmendura më sipër. “Nga analizimi rezultoi që 5  kampione, rreth 23.8% e tyre, nuk i plotësojnë kushtet e standardeve shqiptare, që do të thotë se përmbajtja e substancave kimike dhe kryesisht sulfate dhe substanca reduktuese ishin të pranishme. Përcaktimi i tyre është kryesisht kualitativ, mbasi në këto lloje produktesh substancat e mësipërme nuk duhet të jenë fare të pranishme as në forme gjurmësh”, thuhet në raport. Pas këtyre të dhënave, Inspektorati Qendror Teknik ka dhënë edhe rekomandimet përkatëse, duke kërkuar vëmendje të veçantë dhe kontrolle të imtësishme, sidomos kundrejt distributorëve që sjellin të tilla produkte. “Mendojmë se kjo kategori produktesh kërkon vëmendje të veçantë e merr rëndësi për shkak të ndikimit direkt në shëndetin e konsumatorëve. Mbështetur në studimin e deritanishëm, nga sa më sipër, arrijmë në konkluzionin dhe njëkohësisht propozojmë për ta futur këtë kategori produktesh në grupin e kontrollit kryesor me standard te detyrueshëm”, thuhet në raport. Specialistët kanë kërkuar që kontrolli të behet në pikën doganore për të penguar futjen e mallrave të falsifikuara.

Kontrollet
Produktet

.Pelena njëpërdorimëshe përdoren nga fëmijë të moshave 0-3 vjeç.

.Fasha dhe pambuk hidrofil, të cilët kanë përdorim të gjerë në spitale.

.Pecetat higjienike të përdorura nga një grup i gjerë i popullsisë

.23 për qind e tyre kanë rezultuar jashtë standardeve dhe me përmbajtje të lartë kimike

Rekomandimet

Propozojmë që kjo kategori produktesh të futet në:
.Grupin e kontrollit kryesor me standard te detyrueshëm.

.Sugjerojmë që kontrolli të bëhet në pikën doganore për të penguar futjen e mallrave të falsifikuara

Kontrollet e lodrave
Nga kontrollet e ushtruara në treg nga Inspektorati Qendror Teknik janë konstatuar një sërë problemesh lidhur me lodrat e fëmijëve, me veshjet tekstile të ndryshme për fëmijë, të cilat janë në kontakt me trupin e fëmijës, si dhe me veshjet për këmbët, këpucë, çorape. Inspektorati ka marrë masat paraprake duke filluar nga këshillime, deri në heqje të prodhimit nga tregu. “Nuk kishte asnjë të dhënë për përmbajtjen kimike të materialit plastik prej të cilit ato përbëheshin, gjë kjo me rrezikshmëri të lartë, duke ditur problemet e mëdha shëndetësore që mund të krijojë tek një fëmijë që është në kontakt dhe prek me duar një lodër plastike, për të cilën nuk ka të dhëna për materialet kimike të përdorura”, thuhet në raportin e Inspektoratit Qendror Teknik.

Penalizimet sipas ligjit
Sipas ligjit, vendosja në treg e produktit që mbulohet nga rregullat teknike është nën përgjegjësinë e plotë të personit që e vendos në treg këtë produkt. Produkti vendoset në treg vetëm nëse përmbushen kërkesat e kërkuara nga ligji,në rast të kundërt penalizohet me gjobe deri në 5 milionë lekë.

Këto produkte duhet të përputhen me rregullat teknike të zbatueshme duhet të kenë  markën e konformitetit, në përputhje me rregullat teknike përkatëse. “Kur subjekti nuk ka pajisur brenda afatit kohor të dhënë strukturën përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut me dokumentacionin, informacionin e kërkuar, apo me veprimet,mosveprimet e tij e bën të pamundur ose e vështirëson verifikimin e dokumentacionit dhe informacionit, me gjobë 200 000 lekë”, thuhet në ligjin për sigurinë e produkteve jo ushqimore.

Ushqimet me hormone
Një tjetër problem veç veshjeve janë edhe ushqimet me kimikate e hormone. Pak për mungesë të informacionit e më shumë të nxitur nga etja për të fituar sa më shumë, fermerët tanë kanë abuzuar gjatë gjithë sezonit me produktet bujqësore që të gjithë i kemi pasur në tryezat tona. Krerët e Autoriteti i Kontrollit vetëm pak ditë më parë kanë ngritur alarmin. Sipas tyre, një pjesë e hormoneve që u janë induktuar produkteve bujqësore kanë qenë të skaduara. Gjatë sezonit që vjen, do të ketë penalizime të forta për fermerët. “Kanë qenë preparate të paautorizuara për të hyrë në Shqipëri, që nuk qarkullojnë në vendet e BE-së dhe preparate me afate skadence të kapërcyera. Do t’i bëjmë një kërkesë ministrit të Bujqësisë që të revokojë licencën e këtyre importuesve”, është shprehur drejtori i AKU-së, Genc Juka, pak javë më parë.

Sipas tij, të gjithë fermerët do të kenë kodin e tyre, çka tregon nga vjen një produkt me cilësi të dobët. Një tjetër problem madhor i bërë publik dje është tregtimi në kushte skandaloze i farërave, plehrave kimike dhe bimëve në farmacitë bujqësore. Drejtori i AKU-së sqaroi se nga kontrollet e ushtruara që nga muaji korrik e deri tani në farmacitë bujqësore,ka rezultuar se në treg ka mjaft subjekte të palicencuara që ushtrojnë këtë aktivitet. Por, nga ana tjetër, edhe ata që janë të licencuar, tregtojnë në të njëjtat ambiente, si farërat, ashtu dhe plehrat kimike, gjë që është e ndaluar me ligj./panorama/

Komento