Zukatja e cila nuk ndalet

2

2Tinitusi është zhurma e cila duket që krijohet në vesh apo në kokë. Mund të jetë fishkëllimë, tingëllimë, gjëmim, kumbim, apo impuls, dhe vetëm pacienti mund ta dëgjojë zhurmën.

Shkaktarët

Disa vuajnë nga tinitusi që nga lindja, por shpesh merret edhe në çfarëdo moshe të jetës, nga shume arsye. Tinitusi mund të krijohet në veshin e jashtëm, të mesëm apo të brendshëm apo për shkak të abnormalitetit në tru. Disa forma janë normale – kur gjendemi në “dhomën e zbrazët”, ku ka mungesë të plotë të zërit nga ambienti i jashtëm, bëhemi të vetëdijshëm për tingujt normalë të trupit tonë, të cilat i maskon zhurma e jashtme, transmeton Koha.net. Çdo gjë që bllokon atë tingull të jashtëm, siç është dylli i akumuluar në veshë apo trupi i huaj mund të krijojë tinitusin.

Mbledhja e lëngut, infeksioni apo sëmurja e veshit të mesëm apo timpanit të veshit mund të krijojnë tinitusin, sikurse edhe dëmtimet mikroskopike të nervit të dëgjimit në veshin e brendshëm, që ndodh më shpesh sa më të moshuar që bëhemi.

Shkaqet e zhurmave në vesh janë të ndryshme, të shumta dhe përfshijnë dëmtimin e qelizave të dëgjimit me zhurmë, traumën me zhurmë, pengesat në qarkullim, sëmundjet e shtyllës kurrizore, sëmundjet në zonën e dhëmbëve dhe nofullave, plakja, tumori i nervit të dëgjimit, sëmundja e Ménière, sëmundjet e zemrës dhe qarkullimit të gjakut, çrregullimet metabolike, sëmundjet e veshkave, çrregullimet hormonale, otoskleroza, ndezjet kronike të veshit të mesëm, pengesat funksionale të tubit Eustachian, helmimi, lëndimet e kafkës dhe trurit, sëmundjet e sistemit nervor qendror, – thonë mjekët. Tinitusi mund të jetë edhe pasojë e përdorimit të disa llojeve të medikamenteve.

Diagnoza

Verifikohet historia e sëmundjes, kryhet kontrolli i përgjithshëm dhe seria e testeve speciale të cilat ndihmojnë të përcaktohet se ku saktësisht është shfaqur tinitusi. Është e rëndësishme që mjeku ta dijë se a është tingulli konstant, i ndërprerë apo pulsues në përputhje me rrahjet e zemrës, a ka lidhje me dëmtimin e dëgjimit apo humbjen e baraspeshës. Të gjithë pacientët me tinitus konstant të pashpjegueshëm duhet të bëjnë testin e dëgjimit (audiogramin). Ndonjëherë është e rëndësishme të kryhen edhe testet shtesë për t’u vërtetuar që tinitusi nuk është shenjë e ndonjë sëmundjeje edhe më të rrezikshme.

Shërimi

Nuk ka terapi unike. Për disa mjafton të shkojnë te mjeku i cili do t’ua largojë tepricën e dyllit të veshit dhe njëkohësisht t’i lirojë nga kumbimet në veshë. Sipas mjekëve, merren ilaçe të ndryshme, si ato të cilat përmirësojnë qarkullimin e gjakut në veshin e brendshëm dhe tru. Aparatet e dëgjimit janë po ashtu të dobishme. Përveç medikamenteve, aplikohet edhe terapia bihejviorale, muzikoterapia, terapia me laser. Personave me tinitus u këshillohet të shmangin qetësinë absolute, por edhe zhurmën për shkak të parandalimit të dëmtimit të mëtejshëm të dëgjimit dhe përkeqësimit të zukamës – këshillojnë mjekët.

Në disa raste nuk ka ilaç të vërtetë. Tinitusi mund të zhduket ashtu siç edhe është shfaqur, pa shpjegim, apo edhe mund të mbetet pjesë e përditshmërisë deri në fund të jetës. Kjo është mjaft frustuese, por pacienti mund ta përballojë këtë vetëm duke u mësuar ta injorojë. Në botë madje edhe me psikoterapi provojnë t’i bëjnë pacientet të “harrojnë” ekzistencën e tingujve frustues.

Për t’i zvogëluar vuajtjet, duhet të reduktohet sasia e kripërave dhe zhurmës në mjedis, si dhe i stresit, dhe të kontrollohet tensioni i gjakut, të shmangen stimuluesit si kafeja, coca-cola dhe duhani, transmeton koha.net. Siguroni mjaft pushim dhe ushtroni. Maskojeni zërin në veshë natën. Tiktaket e orës, muzika e qetë apo tingujt e jashtëm do të zvogëlojnë fokusimin në zukatjen në kokë.

Disa mjekë rekomandojnë përdorimin e niacinës apo ekstraktit bimor ginkgo biloba, por nuk ka dëshmi shkencore që ato me të vërtetë ndihmojnë shërimin e tinitusit. Disa pacientë pohojnë që u ka ndihmuar vitamina E, ndërsa disa tjerë që ua ka rritur zukatjen në veshë, dhe që sapo e kanë zvogëluar dozën, është zvogëluar edhe fuqia e zukatjes, por nuk është zhdukur krejtësisht. Ekziston probabiliteti që shtrëngimi i nofullave dhe kërcitja e dhëmbëve janë të ndërlidhura me shfaqjen e tinitusit.

Komento