Home Këshilla të ndryshme Arrat e njoma shqiptare, ushqimi i mrekullueshëm i jetëgjatësisë

Arrat e njoma shqiptare, ushqimi i mrekullueshëm i jetëgjatësisë

Momentet e fëmijërisë të kaluara tek gjyshja ose të afërmit në fshat mbeten më mbresëlënëset. Pjesë e këtyre momenteve janë padyshim pemët. E mbani mend shijen e mrekullueshme të arrave të njoma dhe gjurmët e lagështa që na linin nëpër gishta? Këto arra të shijshme mund të ruhen gjatë gjithë vitit, disa i ngrijnë e disa i ruajnë kryesisht në formën e glikosë.

Kujtimet mund të fashiten por shija e arrave të njoma jo, ndonëse tani jemi më shumë të mësuar me shijen e arrave të thata. Me një kërcitje të vetme, arrat shpalosin vlera dhe fantazi. Ato mund t’i hamë siç janë, t’i hedhim në sallatë ose t’i gatuajmë në ëmbëlsira. Arrat e njoma nga ana tjetër kanë një shije të pakrahasueshme dhe të rrallë. Ato janë kremoze, kanë një ngjashmëri me arrën e kokosit por me një aromë unike të lehtë prej arrori.

Për më tepër, këto arra janë më të mbushura dhe më të ëmbla se varianti i tyre i thatë. Në mjekësinë popullore, arrat e njoma përbëjnë një zgjidhje të rëndësishme kundër disa sëmundjeve. Të thatat por edhe të njomat janë plot me vlera shëndetsore. Ato janë të pasura me acidet yndyrore omega-3 dhe një burim i pakonkurueshëm i acideve yndyrore mono-të-pangopura (72%) siç është acidi oleik. Ngrënia e arrave ul kolesterolin e keq dhe rrit atë të mirin.

Konsumi ditor prej 25 gramë plotëson 90 përqind të dozës së rekomanduar ditore të këtyre acideve që mjaftojnë për pakësimin e gjasave të shfaqjes së tensionit të lartë të gjakut dhe sëmundjeve të zemrës. Nga ana tjetër, arrat fuqizojnë shtyllat e organizmit tonë siç janë kockat. Arrat shumëfishojnë përthithjen dhe depozitimin e kalciumit dhe pakësojnë nxjerrjen e këtij minerali jashtë organizmit.

Një tjetër vlerë e shtuar e konsumit të arrave qëndron në përmirësimin e metabolizmit. Arrat ofrojnë minerale si mangani, bakri, kaliumi, kalciumi, hekuri, magnezi, zinku dhe seleniumi. Këto minerale kontribuojnë në mirëqenien e metabolizmit, rritjen dhe zhvillimin, fertilitetin tek meshkujt, tretjen dhe sintetizimin e acidit nukleik. Arrat janë një burim i pasur antioksidantësh dhe yndyrnash të shëndetshme. Ato pakësojnë faktorët e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, gjithnjë nëse janë pjesë e një stili të shëndetshëm jetese.

Shumë studime me subjekt njerëzit tregojnë se ngrënia e arrave përmirëson funksionet e trurit, lufton depresionin dhe frenon problemet mendore si pasojë e moshës. Thënë shkurt, arrat janë një ushqim fantastik i jetëgjatësisë. Çuditërisht, arrat janë një burim i lartë i melatoninës, një ushqyes i lidhur fort me gjumin. Thënë ndryshe, pa melatoninën nuk ka gjumë. Rrjedhimisht ngrënia e arrës luan një rol në qetësimin gjatë ditës dhe në gjumin e mirë dhe të qetë gjatë natës.

Arrat përmbajnë acide esenciale yndyrore siç është edhe acidi alfa linolenik, përbërësit e të cilit janë të lidhur me fortësinë dhe shëndetin e kockave. Falë arrave, ne furnizohemi me acidet yndyrore omega 3, nëpërmjet të cilave luftojmë inflamacionin dhe kemi kocka të forta për një periudhë të gjatë.

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Pesë arsye thelbësore si përhapet Covid-19 përmes ajrit

Shkencëtarët kanë paralajmëruar prej muajsh, se koronavirusi mund të përhapet nga aerosolet ose spërklat e vogla të frymëmarrjes që përhapin njerëzit kur flasin ose teshtijnë, dhe të cilat mund të qëndrojnë pezull në ajër për jo pak kohë. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, e pranoi publikisht këtë rrezik më 18 shtator. Ajo postoi udhëzime në faqen...