Home Këshilla për Prindër Çfarë mundet të bëjë bebi në muajin e dytë të jetës

Çfarë mundet të bëjë bebi në muajin e dytë të jetës

Pas javëve të para të stërmundimshme me bebin tuaj, vjen më në fund pakëz rutinë.

Tashmë jeni më të sigurt në gjërat e përditshme si ndërrimi i pelenave apo veshja e të voglit dhe e keni gjithmonë e më të thjeshtë të kuptoni se çfarë do të thotë fëmija juaj me të qarën apo me sjelljen e tij.

Hap pas hapi arrihet një ecuri tipike e ditës (rutinë) dhe sigurisht që zbuloni përditë aftësi të reja tek bebi juaj.  

Çfarë mundet të dalloni tani tek bebi juaj?

Hapa të rinj zhvillimi

Tani ndoshta e ngre kokën pak më mirë dhe më lart, nëse është shtrirë mbi bark. Apo mund të qëndrojë për sekonda të tëra drejt kur e mbani ulur në prehër. Megjithatë kjo është tepër e lodhshme për bebin, pasi muskujt e shpinës dhe të qafës nuk janë ende aq të fortë për një qëndrim të drejtë. Si më parë duhet që bebi në pjesën më të madhe të kohës të qëndrojë shtrirë dhe kur është zgjuar edhe përmbys.

Një buzëqeshje fantastike

Rreth javës së gjashtë të jetës ndoshta përjetoni momente mjaft të bukura: Bebi ju buzëqesh në mënyrë rrezatuese. Kjo është një lloj tjetër buzëqeshjeje që sinjalizon kënaqësi dhe lumturi, për shembull pasi ka pirë. Tani ai buzëqesh në mënyrë të ndërgjegjshme dhe do të përcjellë tek ju mesazhin: Ti je një njeri mjaft i veçantë për mua. Specialistët e quajnë këtë „buzëqeshje sociale“, dhe duhet të ndiheni krenar që fëmija juaj ka hedhur gurin e parë të rëndësishëm në mirëkuptimin social.

Më tepër kënaqësi për lojë

Si aftësia për të parë ashtu edhe ajo për të dëgjuar janë zhvilluar më tej. Prandaj dhe fëmijët i shijojnë më tepër lojërat në këtë kohë. Provoni thjesht të gjeni se cilët tinguj i duken bebit tuaj më tepër interesant: zhurma e puthjes, kërcitja e gishtave, tingulli i ëmbël i një këmbane… Mund të lëvizni ndonjë kukull apo ndonjë lodër tjetër sa nga njëra anë në tjetrën para fytyrës së bebit (por jo shumë afër, rreth 20 cm larg). Do të shihni që ai përpiqet t’ju ndjekë.

Pavarësisht se çfarë loje i pëlqen fëmijës suaj më tepër, shijoni kohën së bashku! Kështu do ta njihni më mirë dhe do të zbuloni vazhdimisht anë të reja tek njëri-tjetrit. Kjo i bën mirë lidhjes suaj dhe ndihmon zhvillimin harmonik të fëmijës në mënyrë krejtësisht të natyrshme.

Rregulli kryesor i lojës për prindërit thotë: Më mirë është më pak. Ngacmime të shumta dhe të shpejta e mbingarkojnë fëmijën. Në vend të kënaqësisë ai reagon me ngrindje dhe lodhje. Prandaj duhet të pushoni menjëherë kur të shihni se fëmija kthen kokën nga ana tjetër. Ky është një sinjal i qartë “Tani kam nevojë për qetësinë time”.

Çfarë mundet të bëjë i vogli?

Shumë gjëra. Për faktin se muskulatura e qafës, e duarve dhe e këmbëve bëhet çdo ditë dhe më e fortë, ai fiton një zotërim më të mirë mbi lëvizjet e tij.

Kontroll më i mirë i kokës

Rreth fundit të muajit të dytë të jetës shumica e fëmijëve mund ta ngrenë kokën kur gjenden të shtrirë përmbys, deri në një kënd 45°. Kjo është një arritje e madhe duke parë madhësinë e kokës në përpjesëtim me pjesën tjetër të trupit. Bebi përpiqet shumë për të ngritur kokën që të mund të shohë rreth e rrotull. Kur e ngrini fëmijën nga shtrati apo e merrni në krah, duhet gjithmonë të kujdeseni për t’i mbështetur mirë kokën.

Lëvizje më të forta të këmbëve dhe duarve

Lëvizja e këmbëve dhe e duarve në javët e para ishte kryesisht refleks. Sa më të forta bëhen ato aq më të orientuara bëhen lëvizjet e fëmijës. Koordinimi në tru i drejtimit të lëvizjeve me muskujt përgjegjës funksionon gjithmonë e më mirë. Tani ai fillon të ndryshojë edhe pozicionin e trupit. Prandaj kujdes: Mos e lini asnjëherë vetëm aty ku ka rrezik për tu rrëzuar.

Kapje më e mirë

Fillimisht bebi i mbante duart grusht të shtrënguara fort dhe rastësisht kapte gishtin e babit apo të mamit. Edhe kjo ishte një refleks. Tani duart nuk qëndrojnë më shtrënguar, por gjithmonë e më shumë të hapura. Përpiqet t’i fusë në gojë dhe t’i lëpijë. Ndoshta keni parë se i vogli përpiqet të kapë sende që janë në afërsi të tij.

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Pirja e duhanit çon në këtë gjendje vdekjeprurëse

Gratë duhanpirëse rrezikohen nga zgjerimi (aneurizmi) i aortës së barkut, arteria më e madhe në trupin e njeriut, në krahasim me ato që nuk kanë pirë duhan kurrë. Kjo është një tjetër pasojë e pirjes së duhanit në një seri të njohur tashmë. Në një studim klinik, shkencëtarët raportuan që gratë duhanpirëse kishin katër herë më shumë të ngjarë të...