Home Shëndetësi Dhjetë efektet anësore të ilaçeve

Dhjetë efektet anësore të ilaçeve

Ilaçet të cilat i përdorim për shërim edhe nëse përdoren nën rekomandimin e doktorit mund të japin efekte anësore. Madje disa efekte anësore që mund të japin disa ilaçe të çudisin vërtet.

Disa prej tyre të krijojnë vartësi ndaj kumarit, disa të bëjnë të flasësh në gjumë e disa të tjerë i japin urinës ngjyrë të kuqe, jeshile apo vishnje.Sipas lajmit të dhënë në adresën “howStuffWorks”, pa parë llojin e ilaçit, efektet anësore më të përhapura janë përzierje, të vjella, reaksione alergjike, pagjumësi, rrahje zemre dhe vartësi.

Prandaj nëse duhet të merrni ilaçe lexoni me kujdes fletën e ilaçit në të cilën shkruhen dhe efektet anësore që mund të japë ai. Ja dhjetë efektet anësore më të çuditshme që shkaktojnë ilaçet:

1. Deformime të lindura: Ilaçi Thalidomide i cili filloi të rekomandohej me recetë që në vitin 1950 është përdorur nga mijëra gra shtatzëna në 50 shtete të botës për të fjetur më mire dhe për të ndërprerë të vjellat. Por pohohet se ilaçi nuk është i sigurt për gratë shtatzëna. Afërsisht 10 mijë gra të cilat përdorën këtë ilaç gjatë viteve 1956-1962 lindën fëmijë me deformime të ndryshme si (pa krahë apo pa këmbë, deformime të këmbëve dhe duarve). Edhe ilaçi Accutane i cili përdoret shumë në kurimin e akneve mund të shkaktojë fekomali (deformime në trup). Prandaj është shumë e rëndësishme që para se të fillojë përdorimi i këtij ilaçi të dihet nëse gruaja është apo jo shtatzënë.

2. Vetëvrasje: Ilaçi Lariam është përgjegjës për vetëvrasjen e disa ushtarëve. Ushtria e SHBA ndaloi përdorimin e këtij ilaçi në vitin 2005 tek marinarët. Bëhet e ditur që të sëmurët të cilët përdorin ilaçin antidepresiv mendojnë të vetëvriten. Në vitin 2003 FDA vendosi që ky ilaç të mos u rekomandohet fëmijëve dhe të rinjve nën moshën 18vjeç.

3. Sjellje të detyruara: efektet anësore të të gjitha ilaçeve nuk janë vetëm fizike, disa prej tyre mund të ndryshojnë sjelljen e personit. Tek disa të sëmurë që kanë përdorur ilaçin Mirapex janë vënë re probleme në mënyrën e të sjellurit, ndërkohë që personat kumarxhi kishin filluar të konsumoni alkool, atë të cilët nuk kishin luajtur asnjëherë bixhoz e kumar në jetën e tyre filluan të shkonin të paktën një here në javë në kazino ose të kalonin orë të tëra para lojërave të fatit. Si një shembull konkret kemi një njeri i cili kishte përdorur ilaçin Mirapex,në vitin 2008 hodhi në gjyq firmat Pfizer dhe Boehringer për shkak të varësisë që ilaçi i kishte shkaktuar ndaj bixhozit dhe nga ky gjyq fitoi 8,2 milion dollarë dëmshpërblim.

4. Probleme në kontrollimin e zorrëve: Ka shumë ilaçe të cilat të ndihmojnë në dietë. Një pjesë e tyre kanë efekte të pakëndshme. Hapi për dobësim Xenical është prodhuar për të parandaluar përthithjen e yndyrnave në trup dhe për të pakësuar kaloritë e përdoruesve. Studiuesit të cilët bënë një eksperiment klinik pohuan se ky hap mundëson nxjerrjen nga trupi të vetëm 30% të yndynave. Të sëmurët që përdorën këtë ilaç ishin të detyruar të konsumonin të paktën 15 gr yndyrë. Kur konsumonin më shumë se sasia e rekomanduar pas buke vihej re një aktivizim i zorrëve të cilin të sëmurët nuk mund ta kontrollonin. Përveç kësaj janë shfaqur edhe efekte të tjera anësore si gazra, sekrecione, diarre, shkuarje e shpeshtë në banjë .

5. Sjellje të çuditshme në gjumë: Disa ilaçe mund të bëhen shkak që të sëmurët të shohin ëndrra të pakëndshme, somnambulësh dhe të shfaqjes së sjelljeve të dhunshme në gjumë. P.sh ilaçi Chantix që të ndihmon në lënien e cigares mendohet se shkakton ankthe dhe ëndrra të frikshme dhe hap rrugën e terrorit të natës. Përveç kësaj ilaçet Lunesta dhe Ambien që jepen për pagjumësi mund të shkaktojnë të njëjtat efekte anësore. Efekti anësor i ilaçit nuk është vetëm shfaqja e somnambulizmit. Efekte tjera janë si ngrënia, bisedat telefonike dhe përdorimi i makinës gjatë kohës që personi është në gjumë.

6. Haluçinacionet: Mirapex shkakton halucinacione. Të sëmurët me Parkinson që përdorin ilaçin theksuan se shohin gjarpërinj që zvarriten nëpër mur. Në vitin 2000 FDA vendosi që para përdorimit të ilaçit Lariam i cili bëhet shkak për shfaqjen e haluçinacioneve duhet të informohemi rreth të kaluarës së të sëmurit nëse ka kaluar depresion apo ndonjë psikozë tjetër.

7. Urinë me ngjyrë: Disa ilaçe të rekomanduara me recetë mund të ndryshojnë ngjyrën e urinës. Ilaçet si Phenazopyridine që përdoren për të kuruar infeksionet e rrugëve urinare i japin urinës ngjyrë të kuqe. Edhe ilaçet si Flagyl, Furazolidone apo Aldomet që përdoren nga gratë shtatzëna për të kuruar tensionin e lartë mund ta errësojnë urinën. Kur ilaçi Phenolphthalein përdoret për një kohë të gjatë e kthen urinën në ngjyrë vishnje. Edhe ilaçi Elavil që përdoret si antidepresiv tek fëmijët që lagin natën apo Roxabin që përdoret për çlirimin muskular e ngjyrosin urinën me ngjyrë jeshile. Edhe Dyrenium e kthen urinën tuaj në ngjyrë të kaltër.

8. Probleme në shikim dhe në shqisat e tjera: Ndërkohë që disa ilaçe të lënë në gojë një shije të hidhur disa të tjerë mund të ndryshojnë shqisën tuaj të të shijuarit. Vasotec që përdoret për kurimin e tensionit të lartë dhe sëmundjeve të zemrës ndikon në pesë shqisat tuaja. Zhduk shqisën e nuhatjes dhe të shijuarit, shkakton oshëtimë në vesh dhe një shikim të turbullt.

9. Dhimbje dhe djegie: Allegra si ilaç alergjie shkakton dhimbje shpine dhe muskulare. Ndërsa Lipitor përveç shkaktimit të lodhjes muskulare bëhet shkak edhe i djegies dhe paralizimit.

10. Humbje kujtese: Humbja e kujtesës mund të rrjedhë dhe nga ilaçet. Tek disa përdorues të Mirapex është vënë disa here një humbje kujtese aftashkurtër. Ky efekt anësor shihet dhe tek ato që përdorin statinë për të ulur kolesterolin.

Ndërkohë, paralelisht me përdorimin e ilaçeve, po rritet vazhdimisht edhe vështirësia për të diagnostikuar saktë një sëmundje. Po i ilustrojmë këto që sapo thamë me një rast që tregon qartë efektet anësore që ka dhënë tek një i moshuar përdorimi i një medikamenti të gabuar. Mario kishte qenë gjithmonë shumë i përkushtuar ndaj punës dhe familjes derisa një ditë, pak ditë pas përvjetorit të 58-të, ashtu krejt rastësisht, ai ndryshoi karakter, duke u shndërruar në një vartës ndaj lojërave me para. Tërhiqte shuma të mëdha parash nga llogaria bankare, më pas filloi të vidhte fshehurazi portofolat e familjarëve, u kërkonte të afërmve dhe miqve para borxh, duke u treguar gënjeshtra.

Bashkëshortja, e cila nuk po e vërente ndryshimin, mbeti e shokuar kur pa se edhe bizhuteritë e saj ishin zhdukur. Në fund, kur u zbulua gjithçka, u vu re se gjërat kishin ndodhur për shkak të efekteve anësore të një ilaçi: kur mjeku i familjes zëvendësoi pramipexolin (mirapex), një antagonist i dopaminës, me të cilin po kuronte simptomat
e sëmundjes së parkinsonit te Mario, burri u shndërrua në babain e dashur siç kishte qenë gjithmonë.

Efektet anësore
Rasti i Marios tregon se efektet anësore të ilaçeve nuk mund të dallohen lehtë, por për shkak të ngjashmërive të shumta përdoren tepër. Një sërë studimesh tregojnë se reaksionet e nxitura nga ilaçet shkaktojnë në 5-7 për qind të rasteve të sëmurë, të cilët duhet të shtrohen menjëherë në spital. Kjo përqindje rritet në bazë të moshës dhe ilaçeve të marra. Por ndoshta ky nuk është thelbi i problemit. Në vitin 2006, një studim i publikuar në një revistë shkencore ka llogaritur se çdo vit në spitalet angleze efektet anësore të ilaçeve shkaktonin 250 mijë të sëmurë, duke u kushtuar kështu spitaleve kombëtare një pagesë prej 466 milionë sterlinash.

Diagnoza të vështira
Pse i kushtohet kaq pak rëndësi një problemi kaq shumë të përhapur? Shkaqet janë më shumë se një. “Problemi kryesor vjen si pasojë e një studimi jo të rregullt e të pamjaftueshëm në universitet”, – thotë një agjenci ilaçesh. Ndër të tjera, informacioni i kësaj industrie ka prirje të nënvleftësojë problemet, e pavarësisht efekteve mbi popullatën dhe kostove, nuk është raportuar si problem i shëndetit publik; në fund diagnoza është e vështirë. Vështirësia për të diagnostikuar një sëmundje po rritet gjithnjë e më shumë.

Një studim i publikuar prej “Archives of Internal medicine” nga kërkuesit e Pensilvanisë dhe Karolinës së Veriut, ka treguar se në 7 vjet, nga 1998-2005, efektet anësore të ilaçeve janë rritur në 2,6 herë, ndërsa ato fatale janë trefishuar. “Efektet e rënda anësore rriten me një shpejtësi katër herë më të madhe se rritja e precizonit farmaceutik. Gjithashtu, ilaçet më moderne janë absolutisht më të rrezikshme: në shtatë vjet, efektet e rënda anësore të 13 ilaçeve bioteknologjike janë rritur 15,8 herë”, – pohon një studiues nga Karolina e Veriut.

Të moshuarit
Ndoshta më shumë të prekur nga ky rrezik janë të moshuarit.
Shpesh ata marrin një “koktej” ilaçesh: antidepresivë, për tensionin, diabetin, gjumin. Shpeshherë ka ndodhur që vetë mjeku, i cili u ka dhënë recetën, t‘i harrojë pjesën më të madhe të tyre. Pra, në një farë mënyre të moshuarit janë konsumatorët më të mëdhenj të ilaçeve.

Sot efektet anësore të ilaçeve janë shkaku i pestë i vdekshmërisë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt, te të moshuarit organet e ndryshme, si zemra, mushkëritë, veshkat nuk funksionojnë më si më parë dhe ilaçet tentojnë të ndihmojnë në funksionimin e tyre. Për këtë arsye, me mirëkuptimin e mjekut, të moshuarit duhet të nisin terapitë me dozën më të ulët, 1/3 ose 1/2 e dozës. Kjo dozë mund të rritet më vonë nëse është e pamjaftueshme. Megjithatë, kjo nuk është rruga e vetme për t‘u mbrojtur.

Kufizimi i dozave
Çdo porosi e mjekut duhet të ndiqet me kujdes dhe të paktën çdo 3-6 muaj duhet të bëni vizitë te mjeku për të ulur në maksimum dozën e ilaçeve. Dhe nëse kjo ndodh, ju duhet të merrni ato që janë më të nevojshme. Duhet të pranoni që një terapi të mos “kurojë” vetminë apo izolimin.

Në këtë rast do të ishte e këshillueshme një shëtitje, apo një punë e vogël për të hequr mendjen, ose një antidepresiv. Nëse jeni në mbipeshë bëni pak gjimnastikë ose mundohuni të mbani dietë. Për hipertensionin ose kolesterolin e lartë, bëni mirë të ndryshoni stilin e jetesës. Pra të përdorni ilaçe vetëm nëse ato janë vërtet të nevojshme. Gjithashtu duhet të shmangni në maksimum të gjitha ilaçet e reja që nuk kanë një përdorim të konsoliduar. “Disa ilaçe provohen me studime te 800 pacientë, të tjerë te 20 mijë.

Efektet anësore më të rralla (jo për këtë qëllim më të rënda) mund të shfaqen vetëm pas hedhjes në treg”,- tregon një nga drejtorët e repartit të ilaçeve. Jo rastësisht, mes viteve 1975-1999, në Amerikë janë aprovuar 548 ilaçe dhe 10,2 për qind e tyre janë tërhequr nga tregu me kalimin e kohës. Mes viteve 2000-2001 në Europë gjashtë ilaçe u tërhoqën nga tregu, ndërsa 10 të tjera morën autorizim për të dalë.

Por sipas studimeve, kohëzgjatja mesatare e komercializimit për ilaçet e tërhequra nga tregu është mesatarisht 4-5,4 vjet. Kjo është edhe një nga arsyet që Shoqata e Konsumatorëve “Public Citizen” këshillon që për një ilaç të sapohedhur në treg duhet të kalojnë të paktën pesë vjet para se të përdoret. Lista e ilaçeve të reja e që po monitorohen intensivisht është paraqitur në faqen e internetit Aifa./tiranaobserver/

TË TJERA

Çfarë duhet të dini që të parandaloni sëmundjen e diabetit

Simptomat më klasike të diabetit janë lodhja, urinimi i shtuar, etja dhe uria e tepruar. Por ka edhe disa simptoma të tjera që mund të jenë shenja paralajmëruese, që janë më pak të dukshme. Periodontiti Periodontiti është një sëmundje e mishrave të dhëmbëve, që mund të shkaktojë lirimin ose rënien e tyre. Kjo sëmundje është dy deri në tre herë më e...