Home Shëndetësi Diabetes mellitus dhe sëmundjet paradontologjike

Diabetes mellitus dhe sëmundjet paradontologjike

Sëmundjet paradontale janë njëra ndër shkaqet kryesore të humbjes së dhëmbëve si në moshën e hershme ashtu edhe në atë të shtyrë.

Dr. Tefta Mjekiqi – Bislimi
Stomatologe
Tel. 044-153-454
e-mail: [email protected]

Në etiologjinë (shkaqet) e kësaj sëmundjeje rol të veçantë kanë:

Faktorët lokalë
* Pllaku dental që shkakton inflamacione të gingives (mishit të dhëmbëve)
* Kariesi (prishja e strukturës së dhëmbit)
* Punimet joadekuate protetikore

Faktorët e përgjithshëm
* Çrregullimet në sistemin endokrin, posaçërisht sëmundja e diabetes mellitus.
* Ndryshimet endokrine gjatë ciklit menstrual tek femrat, ndryshimet endokrine gjatë shtatzënisë që mund të karakterizohen me inflamacione të gingives, granuloma pyogenicum, kontraceptivët oral.
* Sëmundjet hematologjike si anemitë, leukemitë.
* Sëmundjet paradontologjike mund të jenë akute dhe kronike, që mund të karakterizohen si lokale dhe të gjeneralizuara.

Kësaj radhe do të paraqesim manifestimin e sëmundjes paradontologjike tek personat me Diabetes Mellitus (Sëmundja e sheqerit) .

Diabeti (sëmundja e sheqerit) e pakontrolluar në gjak është njëri ndër faktorët mjaft indikator për shfaqjen e sëmundjeve paradontologjike (sëmundje e mishrave të dhëmbëve).

Diabeti si faktor predisponues paradontopatik

Mënyra se si vjen deri te shkaktimi i paradontopatisë, është se tek personat me sëmundje të diabetit ngadalësohet furnizimi i mjaftueshëm i gingivës me gjak dhe kështu rritet ndjeshmëria e indeve ngjitëse (gingives) ndaj infeksioneve (që janë pjesë përbërëse e pllakut dental) dhe ndryshimi i pH-së së pështymës ka rol të rëndësishëm në balancimin e gjendjes orale.

Diabeti është sëmundje që ul rezistencën e organizmit ndaj infeksioneve,dhe kështu ndikon edhe në propabilitetin e infeksioneve të gingivës. Nivelet e larta të glukozës në përbërje të pështymës, nxisin rritjen e baktereve që shkaktojnë sëmundje paradontologjike. Personat me sëmundje diabetike tek të cilët pinë poashtu edhe duhan, janë më shumë të prirë për zhvillimin e sëmundjeve paradontologjike.

Në zhvillimin e sëmundjes paradontologjike rol shumë të rëndësishëm luan higjiena e rregullt orale e që është faktor me rëndësi edhe tek personat pa diabet.

Personi me ndryshime paradontologjike zakonisht karakterizohet me këto simptoma të sëmundjes:
* Gingiva (mishrat)e dhëmbëve gjakosin lehtë gjatë pastrimit të dhëmbëve
* Mishrat e dhëmbëve i kanë të skuqur dhe të fryrë
* Mishrat janë të ndara nga sipërfaqja e dhëmbit ku karakterizohen me zhveshje të dhëmbit, gjegjësisht tërheqje të gingivës (mishit) të dhëmbëve.
* Lëvizshmëri e dhëmbëve e cila karakterizohet si fazë mjaft aktive e paradontopatisë
* Aromë e rëndë nga goja (Fetor ex ore),që vjen si pasoj e infeksionit dhe baktereve prezente në pllakun dental.

Parandalimi dhe trajtimi i sëmundjeve paradontologjike tek personat me diabet

Sëmundjet paradontologjike të avancuara nuk mund të shërohen por mund të ndalohen në rrugën e progredimit të tyre dhe të bëhet trajtimi i tyre adekuat stomatologjik.

Tek personat me diabet parandalimi i paradontopatise bëhet:
* Faktori bazë te personat me diabet është mbajtja e sasisë së sheqerit në gjak e balansuar dhe nën kontroll.

* Është e ndaluar pirja e duhanit sepse është njëri nga faktorët favorizues të paradontopatisë.
* Higjiena orale të jetë në nivel te lartë, duke bërë pastrimin e dhëmbëve me pasta fluorizuese dhe me efekt të veçantë për periodonciumin pas çdo shujte ushqimi.
* Përdorimin e perit dental për largimin e shtresave të ushqimit ndërmjet hapësirave të dhëmbëve ku nuk mund të depërtojë brusha.
* Përdorimin e brushëzave interdentale (që karakterizohen me numra varësisht nga hapësirat interdentale), kjo posaçërisht te paradontozat e shprehura dhe personat me punime protetikore.
* Përdorimi i antiseptikëve në raste inflamacioni të gingivës të caktuar nga dentisti juaj,
* Të mbahet një dietë ushqimore e shëndetshme dhe mirë e ekuilibruar.
* Kontrolle të rregullta te dentisti, ku duhet ta informoni se jeni person me diabet dhe në këtë mënyrë dentisti juaj mund të zbulojë shenjat e hershme të sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve.

Kujdes: Nëse trajtimi i periodonciumit nuk bëhet me kohë dhe i rregullt, atëherë sëmundja e paradontopatisë do të bëhet e avancuar çdo herë e më shumë dhe do të sjellë ne humbjen e dhëmbëve në moshë të hershme.

/Telegrafi/

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Ushtrimet ua zgjasin jetën

Ushtrimi është i njohur për të përmirësuar shëndetin, por kërkimet e reja zbulojnë se thjesht duke shtuar më shumë lëvizje gjatë gjithë ditës, në të vërtetë mund të ndihmojnë njerëzit të jetojnë më gjatë, transmeton Gazeta Express. Ata që kërkojnë të përmirësojnë shëndetin e tyre në përgjithësi shpesh shkojnë në palestër – ose, në vend të kësaj, kapërcejnë ushtrimin krejtësisht. Shkencëtarët...