Home Këshilla për Prindër Këshilla për shtatëzëna “Diabeti i zbuluar gjatë shtatzënisë, si mund të mbahet nën kontroll”

“Diabeti i zbuluar gjatë shtatzënisë, si mund të mbahet nën kontroll”

Rreth 12 për qind e grave shtatzëna rrezikohen nga diabeti. Mjeku obstetër gjinekolog Gjergji Theodhosi thotë se koha më e përshtatshme për diagnozën e diabetit te shtatzënat është në mbarimin e tremujorit të dytë të shtatzënisë, midis javëve 24 dhe 28

Është e rëndësishme që pas vendosjes së diagnozës të ndiqet një regjim ushqimor i ekuilibruar. Rekomandohet po ashtu ecje, gjysmë ore pas ushqyerjes. Sa i takon pasojave, doktori shton se gratë me diabet të shtatzënisë, si rregull, nuk janë të kërcënuara për keqformime fetale, por ato janë të rrezikuara për të lindur fëmijë me peshë e vëllim të madh, makrosom, dhe të porsalindurit e tyre mund të kenë ulje të sheqerit në gjak dhe shtim të bilirubinës.

PROF. GJERGJI THEODHOSI

Diabeti, ose sëmundja e sheqerit si emërtohet në popull, përmbledh disa forma si diabeti i shtatzënisë, me specifikën e tij të veçantë dhe diabeti si sëmundje me të gjitha të dhënat klinike. Të sëmurat, në të cilat diabeti është diagnostikuar përpara fillimit të shtatzënisë, vuajnë nga diabeti si sëmundje me të gjitha veçoritë dhe mund të kategorizohen në diabetin e tipit 1, që kërkon mjekimin me insulinë ose në diabetin e tipit 2, i cili mund të trajtohet me dietë etj.. Të sëmurat me diabet të emërtuara diabet të shtatzënisë, janë ato shtatzëna në të cilat kjo gjendje e intolerancës ndaj sheqernave, diagnostikohet për herë të parë gjatë shtatzënisë.

DIABETI MELLITUS I SHTATZËNISË

Karakterizohet nga çrregullime në shkëmbimet e karbohidrateve, sheqernave dhe që shfaqet për herë të parë gjatë shtatzënisë. Këto gra mund të kenë pasur metabolizëm normal të sheqernave para dhe me fillimin e shtatzënisë situata ndryshon, sepse hormone të prodhuar nga shtatzënat, si laktogjeni i placentës, e rëndojnë përpunimin e karbohidrateve mbasi shtojnë rezistencën ndaj insulinës dhe ulin aftësinë e përpunimit të glucideve. Te këto shtatzëna fillon të rritet niveli i sheqerit në gjak sidomos pas ushqyerjes, por mund të rriten këto nivele edhe në matjet e sheqerit në gjak në gjendje esëll.

Meqenëse niveli i hormoneve placentave, që rëndojnë shkëmbimet e lucideve, shtohen sidomos në tremujorin e dytë e të tretë të shtatzënisë, edhe metabolizmi rëndohet me shumë në këto tremujor, edhe mundësitë për diagnozën e diabetit të shtatzënisë janë më të mëdha. Gratë me diabet të shtatzënisë, si rregull nuk janë të kërcënuara për keqformime fetale, por ato janë të rrezikuara për të lindur fëmijë me peshë e vëllim të madh, makrosom dhe të porsalindurit e tyre mund të kenë ulje të sheqerit në gjak dhe shtim të bilirubinës. Këto gra rrezikohen që më vonë të zhvillojnë diabetin e tipit 2, rreth 4-10 herë më tepër se gratë pas një shtatzënie normale gjatë jetës së tyre.

EPIDEMIOLOGJIA

Diabeti i shfaqur gjatë shtatzënisë llogaritet të ndodhë në 1-12 % të shtatzënave. Në SHBA, ai shfaqet në 5 deri 8 % të shtatzënave. Kjo varet edhe nga grupet e popullatës dhe nga metoda diagnostike e përdorur. Konsiderohet se diabeti i shtatzënisë është më i shpeshtë në gratë afro-amerikane. Faktorë rreziku janë obeziteti dhe diabeti në të afërmit e gruas shtatzënë, si dhe lindjet nga gratë e afërta të shtatzënave, që patën lindje të fëmijëve me peshëlindje mbi 4000 gram ose edhe lindje të fetuseve të vdekur nga nëna e gruas, tezet etj..

Për të klasifikuar shkallën e rëndimit të diabetit te shtatzënat përdoret një klasifikim i posaçëm. Koha më e përshtatshme për diagnozën e diabetit është në mbarimin e tremujorit të dytë, midis javëve 24 dhe 28 të shtatzënisë, në gratë e rrezikuara për diabetin e shtatzënisë ose në gratë me rrezik të ulët për diabetin. Sidoqoftë, për të zbuluar në se dyshojmë për prani të diabetit të tipit 2, në gratë me faktorë rreziku, një testim kërkohet që në vizitën e parë të shtatzënës. Nëse glicemia esëll rezulton në nivele normale, atëherë planifikohet testimi për diabetin në javën e 24-28 të shtatzënisë.

DIAGNOZA

Ekzistojnë disa metoda për zbulimin e diabetit gjatë shtatzënisë. Nga ato më të rekomanduara gjerësisht është, duke i dhënë shtatzënës 50 gram glukozë të tretur në ujë dhe matja e sheqerit në gjak 1 orë më vonë. Nëse niveli i sheqerit në gjak rezulton mbi 140 miligram për decilitër, testi orientues konsiderohet pozitiv dhe do të aplikohet prova e tolerancës ndaj glukozës. Prova e tolerancës ndaj glukozës: Realizohet nëpërmjet dhënies së 100 gramëve glukozë, tretur në ujë dhe matet niveli i sheqerit në gjak 1, 2 dhe 3 orë pas marrjes së glukozës.

Tre ditë para provës mbahet dietë e lehtë. Një natë përpara qëndrohet pa ushqim. Konsiderohen si kufij brenda normës vlerat e sheqerit në gjakun venoz të shtatzënës në këto nivele: Esëll glicemia 90 mg/dl, Pas 1 orë glicemia 165 mg/dl Pas 2 orëve glicemia 145 mg/dl Pas 3 orëve glicemia 125 mg/dl Për vlera më të larta se këto, shtatzëna kërkon ndjekje të veçantë dhe të hollësishme të gjendjes. Ajo do të konsiderohet me diabet të shtatzënisë dhe regjimi i përcaktuar mirë i ndjekjes do të parandalojë problemet e mundshme, si zhvillimi i tepruar i fetusit që mund të shkaktojë probleme gjatë lindjes, si dhe mundësi për ndërlikime gjatë zhvillimit të shtatzënisë.

TRAJTIMI

Mbasi vendoset diagnoza e diabetit të shtatzënisë, gruaja duhet të fillojë dietën e rekomanduar për këto shtatzëna. Dieta e rekomanduar përmban 2200 kalori në ditë. Kjo dietë duhet të përmbajë 200 deri 220 gram glucide në ditë. Këto të shpërndahen me kujdes sipas vakteve të ngrënies. Sipas peshës, jepen 30-35 kilokalori për kg/peshë. Rekomandohet marrja e 30-45 gram karbohidrateve në mëngjes, 45-60 gram karbohidrate në drekë e darkë dhe 15 gram si zemër (snake). Krahas kësaj, matet glicemia esëll dhe pas ushqimit. Rekomandohet ecje, shëtitje rreth 15 minuta, gjysmë ore pas ushqyerjes.

Në rast se me një dietë të tillë, glicemia esëll qëndron rreth 90 mg/dl dhe ajo 1 orë pas ushqyerjes 140 mg/dl, e ajo 2 orë pas bukës është nën 120 mg/dl, ky regjim duhet të mbahet gjatë gjithë shtatzënisë. Ky diabet, sipas klasifikimit të “White” konsiderohet në grupin A1, i cili pranohet se trajtohet vetëm me dietë. Sidoqoftë, ka rëndësi ndjekja e diabetit në vazhdimësi, nëse shifrat e glicemisë fillojnë të jenë më të larta dhe ndjekja nuk ka arritur të ekuilibrojë gjendjen, e vlerat e sheqerit në gjak fillojnë të jenë më të larta, do të ndryshohet plani i mjekimit dhe përveç dietës do të shtohet në mjekim insulina. Në këto raste do të vlerësojmë se diabeti ka kaluar në shkallën A2 dhe do të përdoret mjekimi i kombinuar me dietë dhe insulinë.

NDJEKJA E SHTATZËNISË

Orientimet e trajtimit të gruas diabetike përfshin shtimin e njohurive të saj për sëmundjen nëpërmjet edukimit dhe sqarimit të hollësishëm të veçorive të sëmundjes, në kontrollin e rregullt të niveleve të sheqerit në gjak si dhe mbajtjen nën kontroll të gjendjes së gruas dhe kontrollit të shtatzënisë, me ndjekje të posaçme të zhvillimit të pasardhësit. Për të realizuar këto objektiva, kryhet vlerësimi i rregullt i nivelit të glicemisë, që do të ishte më mirë të jetë kryer qysh përpara fillimit të shtatzënisë dhe të vazhdohet gjatë zhvillimit të saj. Studimet e shumta tregojnë se mbajtja nën kontroll e niveleve të glukozës në serumin e gruas gjatë gjithë shtatzënisë, parandalojnë ndërlikimet e mundshme amtare dhe fetale.

Është e këshillueshme që, përveç respektimit të dietës së rekomanduar, shtatzëna duhet të marrë 4 mg acidin folik çdo ditë. Ndjekja e zhvillimit të fetusit kryhet me vizitat klinike, ekografike dhe biokimike të shtatzënisë dhe ekuilibrimin e çdo shmangieje sado të vogël nga norma. Lindja rekomandohet të përfundohet në javën e 38-39 të shtatzënisë, duke lejuar lindje natyrale nëse nuk ka vëllim të madh të fetusit dhe në rastet e tjerë kur vlerësohet se fetusi ka zhvillim mbi normë, pra, vlerësohet makrosom, kryhet lindje me seksio cezarea. Një kujdes i veçantë kërkohet për të porsalindurit që të mos zhvillojnë ulje të sheqerit në gjak dhe ata ndiqen me kujdes nga mjeku pediatër neonatolog deri në normalizimin e plotë të gjendjes së tyre shëndetësore.

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Pirja e duhanit çon në këtë gjendje vdekjeprurëse

Gratë duhanpirëse rrezikohen nga zgjerimi (aneurizmi) i aortës së barkut, arteria më e madhe në trupin e njeriut, në krahasim me ato që nuk kanë pirë duhan kurrë. Kjo është një tjetër pasojë e pirjes së duhanit në një seri të njohur tashmë. Në një studim klinik, shkencëtarët raportuan që gratë duhanpirëse kishin katër herë më shumë të ngjarë të...