Dizajnohen grimcat të cilat shkatërrojnë mpiksjet e gjakut

Shkencëtarët kanë dizajnuar grimcat, të cilat lëvizin nëpër gjak, kërkojnë mpiksjet e gjakut dhe i shkatërrojnë.

Tashmë është dëshmuar që një qasje e tillë funksionon në minj, ndërsa në të ardhmen mund të kalohet edhe në testimet në njerëz. Mpiksjet e gjakut janë shumë të dëmshme për trurin, zemrën dhe organet e tjera.

Këto masa të qelizave të gjakut mund të rriten mjaftueshëm për të bllokuar venat dhe arteriet dhe kështu të ndalin liferimin e oksigjenit në organe.

Një nga pengesat kryesore për zgjidhjen e këtij problemi është gjetja e mpiksjeve. Madje edhe kur mjekët lokalizojnë mpiksjen, është e vështirë të eliminohet.

Inxhinieri biomjekësor, Donald Ingber, nga Universiteti Harvard me kolegët e vet është orientuar nga nanogrimcat. Të modeluara si trombocite, këto nanogrimca janë më të vogla se 100 nanometra dhe janë krijuar nga polimeret sintetike.

Sikurse edhe trombocitetet, këto grimca lëvizin lirshëmnë gjak. Grimcat janë dizajnuar ashtu që lëvizin drejt venave dhe artereve të bllokuara, sepse mund të ndiejnë ndryshimin e qarkullimit të gjakut.

Kur gjejnë mpiksjen, grimcat ngjiten për të dhe lëshojnë ilaçin e quajtur aktivatori i plazminogjenit (tPA), i cili e shkatërron. Grimcat janë biologjikisht të shpërbëshme dhe pas shkatërrimit të mpiksjeve zhduken. Testimet e kryera në minj janë treguar shumë efikase.