Fëmija i rritur pa kufij dhe rregulla nuk sjell lumturi

Disa fëmijë e kanë të vështirë të përcaktojnë fillimin dhe mbarimin e kufijve të tyre në shtëpi, shkollë apo në mjedise të tjera shoqërore. Në një situate të tillë cenohen të drejtat dhe liria individuale e personave përreth.

Për këtë arsye ata përballen me një sërë problemesh përsa i përket ambientimit dhe komunikimit. Ky fakt na kujton edhe një herë rëndësinë e ‘të vendosurit të kufijve në edukimin e fëmijëve’. Të vendosësh kufi do të thotë të dallosh ekzistencën tënde nga të tjerët në komunikim dhe të dish ku të ndalosh.

Kufijtë kanë një funksion mbrojtës, mbështetës dhe e përgatisin fëmijën për jetën. Të vendosësh kufi është njësoj si të kesh një udhërrëfyes i cili të tregon rrugën e drejtë.

Fëmija bashkë me disa veçori zotëruese të cilat i japin kuptim jetës së tij ka nevojë edhe për disa rregulla, korniza e të cilave është punuar qartë, në këtë mënyrë ai mund të fitojë besimin në vetvete, të ndihet pjesëtar i një komuniteti dhe të zhvillojë një personalitet të pavarur.

Personat të cilët mund t’ia mësojnë fëmijës sjelljet dhe veprimet që kërkojnë kufizim janë nëna dhe babai. Nënat dhe baballarët duhet të vlerësojnë më objektivisht dëshirat dhe kërkesat e brendshme. Duhet të shikojnë edhe një herë me syrin kritik veprime e shoqëruara me fjalët “Ne nuk kemi pasur mundësi, ai le ta shijojë, ne nuk e kemi bërë, ai le ta bëjë”. Ata duhet të vendosin kufij duke qëndruar larg gabimeve.

Fëmija i rritur pa kufij dhe rregulla, pavarësisht të gjitha mundësive që gëzon në pamje të parë, nga aspekti shpirtëror ndihet i vetmuar dhe i pasigurt. Fëmija i rritur në një ambient të tillë nuk mund të ketë një personalitet të pjekur dhe si rrjedhojë nuk mund të pranojë pasojat e veprimeve të tij. Rritet si një person i varur dhe i pasigurt.

Ai fëmijë i cili është mësuar të ketë gjithçka, do të ketë më shumë probleme me familjen. Duke e pasur të vështirë të kontrollojë reagimet fëminore është e pashmangshme edhe shfaqja e më shumë shqetësimeve në lidhjen prind-fëmijë. Ai do ketë gjithnjë e më shumë kërkesa dhe do të veprojë me një ego e cila shfaqet tek mendimi ‘e dua tani, menjëherë, këtu.’