Fenomeni, tashmë periodat edhe tek vajzat 9-vjeçare

Drejtoresha e maternitetit “K. Gliozheni”, Moisiu, pohon se po ulet mosha mesatare e ardhjes së menstruacioneve. Ja shkaqet dhe pasojat

Vitet e fundit vihet re që femrave po iu vijnë gjithnjë e me herët menstruacionet. Kjo tashmë është kthyer në fenomen dhe shkaktarët janë të ndryshëm, ndonëse jo të gjithë janë identifikuar. Shënohen plot raste kur vajzave u vijnë periodat që në moshën 9 vjeç, ndërsa mosha mesatare është ulur në 11-13 vjeç.

Drejtoresha e maternitetit Koço Gliozheni, Rubena Moisiu, shpjegon disa nga faktorët e këtij fenomeni. Ndërkohë, doktoresha Moisiu shpjegon edhe pasojat dhe si duhet të veprohet në raste të tilla.

Ka më shumë se dy dekada që mosha mesatare e ardhjes së periodave te fermat po vjen në ulje gjithnjë. Nëse më parë mosha e ardhjes së menstruacioneve ishe më shumë se 14 vjeç tashmë shënohen edhe raste tek vajzat 9-vjeçare.

Sipas dok. Rubena Moisiu, ky fenomen po vihet re edhe në botë por edhe vendi ynë nuk bën përjashtim. “Mjekët ndeshin plot raste kur periodat u vijnë vajzave 9-vjeçare. Më parë, kjo do të bënte habi, por, për mjekët, nuk po duket më fenomen i pazakontë.

Madje, mund të them se mosha mesatare është 11 deri në 13 vjeç e vajzave që iu vijnë periodat për herë të parë”, – shpjegoi Rubena Moisiu, në një takim me gazetarët organizuar nga USAID me programin C-Change. Sipas saj, ky fenomen ka disa shkaqe, si mënyra e ndryshimit të stilit të ushqyerjes, pasi fëmijët po marrin ushqime me përbërje të madhe hormonale. Gjithashtu, sipas saj, janë edhe faktorët ambientalë.

“Mund të përmend edhe faktorët psikologjik. Fëmijët marrin shumë informacion në mënyrë të përgjithshme rreth këtyre fenomeneve dhe sigurisht që kjo ka lidhje me psikologjinë e tyre, duke sjellë edhe ndikim në zhvillimin e tyre”, – pohon Rubena Moisiu.

Ardhja e periodave në moshë të vogël nuk ka ndonjë pasojë të madhe negative mbi shëndetin e vajzave, por doktoresha Moisiu pohon se duhet treguar kujdes në këtë aspekt.

Sipas saj, ndodh që vajzat e përjetojnë rëndë nga ana emocionale, pasi ato qajnë, mbyllen në vetvete dhe shpesh i kalojnë edhe me dhimbje. “Duhet të dini se sa më herët që vijnë periodat tek femrat aq më herët i lënë ato, pra menopauza vjen më herët. Gjithashtu, me ardhjen e periodave duhet treguar kujdes maksimal ndaj higjienës, pasi mund të shkaktohen një seri infeksionesh seksualisht të transmetueshme”, – pohon Rubena Moisiu.

Ndërkohë, ajo theksoi se në këtë fazë prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të rrinë sa më pranë vajzave të tyre, pasi ato kanë nevojë për mbështetje psikologjike. Gjithashtu, ajo rekomandoi se Edukata Seksuale duhet të fillojë që në shkollat 9-të vjeçare, pasi fëmijët kanë nevojë të edukohen dhe të informohen./shekulli/