Gratë e rrezikuara nga cistitet

Infeksionet e fshikëzës së urinës, të rrezikuara femrat?
Gratë më të rrezikuara nga cistitet. Madje, çdo grua të paktën një herë në jetë mund të preket nga infeksionet e fshikëzës së urinës. Por, nuk përjashtohen as burrat pas moshës 40 vjeç, periudhë që shoqërohet me probleme të gjëndrës së prostatës. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, mjekja nefrologe Benereta Hoxha, shpjegon shkaqet e prekjes nga ky infeksion, mënyrat e parandalimit dhe trajtimit të tij:

Çfarë janë cistitet, ose siç njihen infeksionet e fshikëzës së urinës?
Cistitet janë infeksione të rrugëve të poshtme të urinës që prekin fshikëzën e urinës, e cila inflamohet nga mikroorganizma të ndryshëm siç janë: E.coli, proteus mikrobilis, klebsiella, kokët etj.

A ka faktorë favorizues të tjerë për shfaqjen e cistiteve?
Arsye të tjera përveç mikroorganizmave që përmendëm, mund të jenë anomali të lindura të kanaleve të fshikëzës, shtatzënia, përdorimi i kateterit, diabeti i sheqerit, infeksionet gjinekologjike te gratë. Por dhe mbajtja e urinës, për një kohë të gjatë, kur ky është një fenomen i përsëritur, siç mund të ndodhë gjatë udhëtimeve të gjata dhe të shpeshta.

Si shfaqet kjo sëmundje?
Cistiti është një infeksion që merret në mënyrë ngjitëse, pra këto mikroorganizma që përmendëm më lart ndodhen në jashtëqitjen e njeriut, dhe mund të ndodhë të ngjiten nëpërmjet kanalit të urinës në fshikëz, ku zhvillojnë infeksionin.

Cila grupmoshë është më e predispozuar të ketë të tilla probleme?
Prek të gjitha moshat, që nga fëmijët dhe deri te të moshuarit. Te fëmijët e vegjël shkaku kryesor i infeksionit urinar janë reflukset veziko-urinar (rikthimi i urinës mbrapsht si një defekt i sfinkterit ureteral).

Është e vërtetë që preken më shumë gratë sesa burrat?
Po, kjo është e vërtetë. Për këtë mjafton të themi se çdo grua gjatë jetës së saj kalon të paktën një herë cistit. Raporti midis grave dhe burrave është 3:1. Arsyet lidhen me vetë ndërtimin e uretrës të grave (kanalit të jashtëm) që është më i shkurtër dhe më afër anusit (kanalit të jashtëqitjes).
Po ashtu dhe shtatzënitë ndikojnë në shfaqjen e infeksioneve. Por gjithsesi kujdes duhet të kenë edhe meshkujt, sidomos pas viti të 40 të jetës, sepse në këtë periudhë nisin problemet me gjëndrën e prostatës, që shfaq dhe infeksione urinare.

Po shtatzënia si ndikon?
Gjatë shtatzënisë, zmadhohen kanalet e urinës, duke favorizuar prekjen më të lehtë nga infeksioni, po ashtu vetë pesha e barrës shtyp fshikëzën duke nxitur urinimin e shpeshtë e për pasojë acarimin e mukozës së brendshme të fshikëzës së urinës. Shënim: Nesër do të lexoni se si mjekohen cistitet, komplikacionet dhe rekomandime.

Si mund të parandalohen?

– higjienë personale sa më e mirë
– pini sa më shumë lëngje pa gaz
– mos pini alkool
– mjekoni sëmundjet e tjera favorizuese si: diabeti apo dhe infeksionet gjinekologjike te gratë
– tregoni kujdes gjatë shtatzënisë, duke bërë kontrolle të shpeshta me analizë urine
– zbrazni fshikëzën sa herë që ndjen nevojën për të urinuar
– bëni analiza të urinës komplet të paktën 1-2 herë në vit.