Ja shkaktarët e dhembjes se kokës

dhimbjakokoesGjakderdhjet trunore, tumoret në tru, meningjiti, infeksionet e sinuseve apo të fytit janë ndër arsyet e shpeshta të dhembjeve të kokës.

Nëse dhembja e kokës fillon përnjëherë, në mënyrë të befasishme, shfaqet nga asgjëja dhe është shumë e fortë, paraqet një urgjencë për vlerësimin mjekësor.

Dhembja e kokës nuk njeh moshë, por është një gjendje që e shoqëron njeriun nga lindja gjerë në vdekje.

Mjeku Neurolog, Blerim Myftiu thekson se nga dhembjet e kokës mund të vuajnë edhe fëmijët e moshës shkollore dhe tek ata është shumë vështirë të përcaktohet lloji i kokëdhembjes, sepse shumë prej tyre nuk i kanë elementet tipike që e karakterizojnë dhembjen në moshë më të madhe.

Dr. Myftiu shprehet se për fëmijët duhet patur kujdes i veçantë, për shkak të vëllimit më të vogël të kafkës, ku çdo ndryshim në tru jep simptoma shumë shpejt.

Çfarë e shkakton kokëdhembjen dhe si ndahen ato?

Kokëdhembjet në përgjithësi ndahen në ato primare dhe sekondare. Kur themi sekondare, nënkuptojmë se ato janë të shkaktuara nga një shkak i dukshëm në imazheri apo në teste laboratorike. Gjakderdhjet trunore, tumoret në tru, meningjiti, infeksionet e sinuseve apo të fytit janë ndër arsyet e shpeshta të dhembjeve të kokës.

Mirëpo, pjesa më e madhe e dhembjeve të kokës janë të ashtuquajtura “kokëdhembje primare”, raste të cilat nuk mund të përcaktohet shkaku i saktë i dhembjes. Asnjë imazheri apo analizë gjaku nuk mund ta konfirmojë shkakun, përkatësisht këto analiza dalin të jenë normale. Migrena, kokëdhembja tip tensioni dhe ajo tip “cluster” janë më të shpeshtat që numërohen në këtë grup.

Mekanizmi i saktë që çon në dhembje në këto raste nuk është i njohur. Ka hipoteza që ndërlidhen sidomos me zgjerimin dhe ngushtimin e enëve të gjakut në tru dhe ndërlidhjen e këtyre ndryshimeve me funksionimin nervor (hipoteza trigemino – vaskulare), por që nuk janë të mjaftueshme për ta shpjeguar plotësisht gjenezën e dhembjes.

Cilat janë shenjat e saj më të rrezikshme të cilat kërkojnë kontakt të menjëhershëm me mjekun?

Nëse kokëdhembja ka fillim të përnjëhershëm, të befasishëm, shfaqet nga asgjëja, është shumë e fuqishme, përshkruhet sikur “pëlciti bomba në kokën time”, paraqet një urgjencë për vlerësimin mjekësor. Duhet të bëhet me patjetër një tomografi e kompjuterizuar e trurit me të cilën synohet të konfirmohet apo të përjashtohet gjakderdhja në tru (sidomos ajo subaraknoidale).

Edhe nëse tomografia rezulton të jetë normale, në rast të dyshimit të mëtejeshëm për gjakderdhje, duhet bërë edhe punksioni lumbal (marrjen e mostrës së lëngut trunoshpinor nga beli) me të cilin konfirmohet përfundimisht dyshimi. Cfarëdo kokëdhembje e re me karakter të panjohur deri atëherë për individin apo me karakter të ndryshuar, më e fuqishme dhe më e gjatë se zakonisht, përcjellja e saj me ndryshimet e tjera eventuale trupore (vetëdija, paraliza, temperatura, ethe, ndryshime në laborator) duhet të jenë alarm për të pasur një qasje më të kujdesshme në trajtimin e saj.

Mund të themi se kokëdhembja prek një moshë të caktuar?

Kokëdhembja është shoqëruese e çdo moshe, kështu që nuk mund të themi se një grup – moshë e caktuar ka prirje më tepër. Dallon forma e dhembjes sipas moshës.

Për shembull, në adoleshencë, rini dhe në moshën para asaj të mesme dominojnë dhembjet primare të kokës, siç janë migrena, kokëdhembja tip tensioni apo “cluster”, si edhe format e tjera më të rralla. Kur kokëdhembja manifestohet në moshën e mesme apo të shtyrë, te një individ i cili nuk ka pasur histori kokëdhembjesh të mëparshme, gjithmonë duhet pasur kujdes dhe duhet të eliminohet gjakderdhja në tru apo tumori në të. Nga kokëdhembjet mund të vuajnë edhe fëmijët e moshës shkollore.

Tek ata është shumë vështirë të përcaktohet lloji i kokëdhembjes, sepse shumë prej tyre nuk i kanë elementet tipike që e karakterizojnë dhembjen në moshë më të madhe. Te fëmijët duhet patur kujdes të veçantë, sepse për shkak të vëllimit më të vogël të kafkës, çdo ndryshim në tru jep simptoma shumë shpejt. Prandaj, mund të thuhet se kokëdhembja nuk e pëlqen një moshë të caktuar, por është një gjendje që e shoqëron njeriun nga lindja gjerë në vdekje.

Përse uria apo dehidratimi i trupit japin dhembje koke? Truri ka nevojë për ujë dhe oksigjen. Mungesa e ujit në organizëm shkakton tkurrjen e trurit. Tkurrja e tij i stimulon receptorët në mbështjellësit e trurit duke aktivizuar receptorët e dhembjes. Mungesa e ujit nënkupton edhe uljen e vëllimit të gjakut në trup ndaj ka më pak gjak për të shkuar edhe në tru. Uria ndërlidhet me mungesën e substancave ushqyese, në radhë të parë të sheqerit, i cili është karburanti i vetëm i trurit për të prodhuar energji.

Si mund ta parandalojmë kokëdhembjen?

Kokëdhembjet primare mund të parandalohen duke u shmangur nga faktorët që shpesh e nxisin dhembjen. Për shembull, uria e stërzgjatur, pagjumësia, konsumimi i substancave të caktuara ushqimore (vera e kuqe, djathi i bardhë, çokollata, lëngje e gazuara, kafja, çaji në disa raste, turshitë, shtesat e acidike të konservave), llojet e caktuara të motit (fryma, furtuna, shiu) mund të jenë nxitëse të dhembjeve. Prandaj, është me rëndësi që secili individ ta gjejë atë faktor që është pengues për të dhe të mundohet ta eliminojë nga jeta e tij.

Këshillohet përdorimi i vazhdueshëm i ilaçeve për të qetësuar dhembjen, pa recetën e mjekut?

Jo. Përdorimi i vazhdueshëm i analgjetikëve nuk këshillohet, sepse edhe ato i hapin rrugë kokëdhembjes e cila klasifikohet si “kokëdhembje e shkaktuar nga përdorimi i tepërt i analgjetikëve”. Analgjetikët mund të përdoren nëse një individ ka 2 – 3 dhembje brenda muajit dhe rrjedhimisht ka nevojë për 2 – 3 tableta në muaj.

Nëse kjo dhembje është e vazhdushme dhe merren analgjetikë rregullisht, kjo shkakton probleme. Prandaj, në rastet e kokëdhembjeve kronike nevojitet përdorimi i terapisë së ashtuquajtur profilaktike apo mbrojtëse e cila për qëllim ka pakësimin e numrit të dhembjeve brenda muajit dhe zbutjen e intensitetit të tyre.

Po dhimbja kronike përse ndodh?

Kokëdhembjet primare të lartpërmendura përveç se shfaqen në mënyrë episodike, ato kanë tendencë edhe të shpeshtimit e të grumbullimit dhe të manifestimit më pas në mënyrë kronike.

Kjo shkaktohet për shkak të ndryshimit të mekanizmit që qëndron në bazën e tyre dhe nxitjes së tyre të vazhdueshme. Për shembull, kokëdhembja tip tensioni ka ndërlidhje shumë të madhe me spazmën muskulore në qafë. Tkurrja e vazhdueshme e muskujve të qafës (shkaktuar nga pozita e papërshtatshme, puna e zgjatur në tavolinë, në kompjuter) i hap rrugë kësaj dhembjeje dhe nëse kjo spazmë vazhdon për një kohë të gjatë, atëherë edhe dhembja bëhet kronike. Shkaktarët duhen shmangur, evituar apo eliminuar në mënyrë që mos të shndërrohet dhembja në kronike.

Ku konsiston trajtimi i dhembjes së kokës?

Nëse dhembja e kokës është episodike, d.m.th. ballafaqohemi 2 – 3 herë me të brenda muajit, ajo trajtohet me analgjetikë të zakonshëm. Por nëse kemi një person i cili ka dhembje koke çdo ditë, çdo të dytën ditë apo më shumë se 4 – 5 herë në muaj dhe janë të fuqishme e penguese në punë, bën që të dëmtohet cilësia e jetës së tij atëherë kemi nevojë për përdorimin e terapisë mbrojtëse. Analgjetikët shërbejnë vetëm për ndalimin e përkohëshëm të dhembjes, por nuk kanë funksion në parandalimin e rishfaqjes së saj.

Prandaj, barnat e tjerë, me efekt të ndryshëm veprimi, përdoren për ta pakësuar frekuencën dhe intensitetin e dhembjes. Këtu përdorim një varg barnash të grupeve të ndryshme, ndër të tjera amitriptilinën dhe nortriptilinën (antidepresivë treciklikë), propranololin dhe flunarizinën (antiaritmikë), natrium-valproatin, topiramatin, lamotrigjinën (antiepileptikë) etj.

Duhet të theksoj se nuk ekziston fatkeqësisht një bar magjik që do t’i ndërpriste një herë e përgjithmonë kokëdhembjet. Këto barna që përmenda shërbejnë që numri i dhembjeve të rrallohet dhe të ulet intensiteti i tyre. Përveç barnave, duhet të shmanget çdo lloj nxitësi tjetër dhe të modifikohet eventualisht stili i jetës për shmangien e faktorëve nxitës të dhembjes.

Nga dallohet kokëdhembja nga migrena?

Migrena është një lloj i kokëdhembjes dhe ka karakteristikat e saj simptomatike me të cilat dallohet nga llojet e tjera të dhembjeve të kokës. Në të vërtetë, kokëdhembja është kurora e migrenës, sepse migrena shoqërohet edhe me një varg ndryshimesh të tjera trupore dhe shpirtërore. Shpesh para kokëdhembjes, kemi simptoma të nervozizmit, të shqetësimit, ankthit që paralajmërojnë se pas disa orësh apo të nesërmen, dhembja e kokës do të vijë.

Më pas kemi fazën e dhembjes e cila në përgjithësi i ka këto karakteristika: dhembja është zakonisht e njëanshme, ka karakter pulsues (sikur goditja e çekanit në kokë), shoqërohet shpesh me ndjeshmërinë e shtuar ndaj dritës, zhurmës apo aromave, prandaj këta njerëz kanë tendencë që t’u shmangen këtyre burimeve, mundim dhe të vjellja paraqiten shpesh.

Te femrat kemi tendencë të shpeshtimit të dhembjeve gjatë kohës së ciklit menstrual. Disa persona para fillimit të dhembjes kuptojnë disa ndryshime në fushën e tyre vizive që mund të jenë në formë të dritave, shkëlqimeve, penjve apo fijeve që lëvizin, ngushtimit të fushës në formë tuneli apo dylbie.

Këto ndryshime njihen si aurë, zgjasin rreth 20 – 30 minuta dhe me pushimin e tyre manifestohet më pas dhembja. Migrena prek moshat e reja, zakonisht pas menopauzës zbutet apo largohet.

Sa zgjat dhembja e kokës në një situatë normale?

Kohëzgjatja ndryshon varësisht nga lloji i dhembjes. Për shembull, kriteri për ta quajtur një dhembje migrene është se ajo duhet të zgjasë së paku 4 orë dhe maksimalisht 72 orë.

Kokëdhembja tip tensioni mund të zgjasë 5 -10 minuta, por mund të jetë edhe me ditë. “Cluster” është një kokëdhembje specifike, shumë më e fuqishme se migrena dhe kohëzgjatja e saj varet se sa shpejt i ofrojmë individit ndihmën me inhalim të oksigjenit në vëllim të lartë.

Dhembja e veçantë që quhet neuralgji është një sekondësh, është si therje apo prerje me thikë.

Prandaj, kohëzgjatja ka rol të rëndësishëm në përcaktimin e llojit të dhembjes dhe në dhënien e terapisë adekuate./klan.tv/