Home Shëndetësi Kanceri i mushkërive

Kanceri i mushkërive

Kanceri i mushkërive është sëmundje malinje (e keqe ) që në popull njihet edhe me emrin tumor femëror (emërtim që nënkupton metastazimin – përhapjen gjegjësisht shumimin e “mishit të egër”).

Ass dr Skender R. Baca, mr.sci.
pulmolog-specialist i sëmundjeve të mushkërive
Klinika e Pulmologjisë në QKUK, Prishtinë
Këshillimorja “Medicon” Prishtinë, rruga Agim Ramadani B-II.
tel. 044 199-349

Është e vetmja sëmundje që i është ndërruar vendi i klasifikimit nga entiteti (grupimi) mjekësor patologjik (vuajtje natyrore) në atë tragjik (fatal), sepse në 87-92% të rasteve, njeriu këtë sëmundje ia shkakton vetvetes duke pirë duhan. Shkaktarë tjerë të paraqitjes së kësaj sëmundjeje janë: rrezatimi nga nëntoka e thellë, ndotja e ambientit (gazrat helmues), nafta dhe produktet e naftës, posaçërisht ato që inhalohen (thithen në mushkëri). Faktori gjenetik (trashëgimtar) po ashtu ka rëndësi të madhe në paraqitjen e kësaj sëmundjeje fatale, si dhe gjendja psikike dhe imunitare e organizmit.

Problemi i parë në lidhje me kancerin në përgjithësi, si dhe kancerin e mushkërive është kohëzgjatja e madhe prej momentit kur fillojnë ndryshimet në qeliza dhe organizimi tumoral, gjer në momentin kur paraqiten simptomat e para. Gjatë kësaj kohe mund të vie gjer te metastazimi i qelizave malinje (përhapja në organe tjera: tru, eshtra, nyje limfatike etj.) dhe gjithsesi gjatë kësaj periudhe që ndonjëherë zgjatë me muaj, organizmi dëmtohet në mënyrë të pariparueshme (pa mundësi në kthimin e gjendjes së mëparshme). Ky problem është i kushtëzuar nga natyra e sëmundjes, dhe në te për kohën e tanishme shumë pak mund të ndikohet me të arriturat shkencore e teknologjike mjekësore. Si i tillë ky problem, që nuk varet nga faktori njeri, ekziston në tërë botën.

Problemi i dytë, është po ashtu kyç sepse, edhe koha prej se janë lajmëruar simptomat e para e gjer te kërkesa për ndihmën mjekësore, dhe rrjedhimisht diagnostikimi, shpesh është në mënyrë të paarsyeshme e gjatë dhe kjo varet nga kultura shëndetësore e pacientit dhe niveli i shërbimit shëndetësor. Për fat të keq në Kosovë, për dallim nga shtetet e zhvilluara, edukimi shëndetësor i qytetarëve dhe organizimi i shërbimit shëndetësor ende janë të dobëta, ashtu që këtu humbet një kohë e çmueshme dhe e pakthyeshme për menaxhimin e kësaj sëmundjeje.

Simptomatologjia
Simptomat e para që kanë lidhje me kancerin e mushkërive janë të përgjithshme (lodhja, plogështia, kolla e thatë, apo edhe me këlbazë, temperaturë lehtësisht e ngritur) dhe si të tilla edhe pacienti, por edhe mjeku i nënvlerësojnë. Më vonë, me paraqitjen e prezencës së gjakut në këlbazë, dhembjeve në kraharor dhe humbje në peshë, alarmohet pacienti dhe mjeku kërkon rëntgenin e mushkërive ku mund të vërehen hije të madhësisë dhe formës së ndryshme të dyshimta në kancer. Prej këtij moment fillon intensivisht dhe në mënyrë të programuar diagnostikimi i sëmundjes si faze e parë e menaxhimit të tërësishëm të kësaj patologjie. Bëhen ekzaminimet plotësuese rëntgenologjike (tomografia e kompjuterizuar: prerjet filmike në shtresa të kraharorit të kontrolluara me kompjuter), fiberbronkoskopia (ekzaminimi me gyp të lakueshëm në rrugët e frymëmarrjes) dhe marrja e materialit bioptik (për ekzaminim histopatologjik: në mikroskop me çka identifikohen se cilit tip dhe cilit stad i takojnë qelizat malinje).

Terapia e kancerit të mushkërive

Terapia varet nga tipi citohistopatologjik (lloji qelizor e indor i kancerit), përfshirja e mushkërive, si dhe metastazimet (përhapja në pëlhurë, mushkërinë tjetër, meskraharor-mediastinum apo organet jashtë kraharorit).

Kirurgjia, nëse është e mundshme, kishte me qenë zgjidhja më e mirë dhe me prognozë më të mire. Në Klinikën Pulmologjike të QKUK-së, është i evidentuar vetëm një pacient me mbijetesë prej më shumë se 20 viteve, i cili është operuar nga karcinoma e mushkërisë së majtë (lobektomia e sipërme-heqja e plotë e lobit të sipërm) dhe ende është gjallë dhe në gjendje të aftësisë së mirë për punë.

Tretmani tjetër është polikimiterapia (kombinimi i disa barnave kimike të cilat i mbysin qelizat malinje, por që nuk janë selektive, ashtu që i dëmtojnë edhe disa lloje të qelizave të shëndosha. Terapia rrezatuese, e njohur edhe si radioterapia, është terapi që me ndihmën e rrezeve radioaktive i shkatërron në masë të madhe qelizat malinje, por që njëkohësisht shkakton edhe fibrozë mushkërore që për pasojë ka zvogëlimin e kapacitetit të frymëmarrjes.

Këto lloje të terapisë shpesh kombinohen ndërmjet veti ndonjëherë me efikasitet më të madh apo më të vogël, varësisht nga shkalla e zhvillimit të sëmundjes, gjendja e përgjithshme e pacientit, mosha dhe prezenca e ndonjë sëmundjeje tjetër (diabeti-sëmundje e sheqerit, tuberkulozi, sëmundjet e zemrës, të veshkës apo mëlçisë).

Terapia suplementare (shtesë) aplikohet në tërë botën dhe ajo qëndron në dhënien e barnave natyrale me prejardhje bimore (çajeve: i gjelbri posaçërisht, shurupit Varumin, ekstraktit alkoolik të ehinaceas etj.), apo shtazore (qumështi i bletës-maja e mjaltës, vezët e shkurtave japoneze, etj.).

Gjatë tërë kohës së menaxhimit të kancerit mushkëror duhet që pacienti të mbështetet moralisht me ndihmë të psikoterapisë, e cila është më se e domosdoshme edhe për qëllim të rritjes së efikasitetit së terapisë bazike si dhe në përmirësimin e kualitetit të jetës.

Fatkeqësisht, përvojat e gjertanishme kanë treguar se menaxhimi terapeutik i kancerit mushkëror, më shumë ka efekt në zgjatjen dhe përmirësimin e kualitetit të jetës, sesa në shërim të plotë të kësaj sëmundjeje fatale.

Kështu, sot e kësaj dite në tërë botën insistohet në parandalimin e kësaj sëmundjeje, duke filluar nga lufta kundër duhanpirjes, gjer te respektimi i standardeve ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit nga ndotja, sepse kjo është mënyra më efikase në zvogëlimin e numrit të kancerit mushkëror. /Telegrafi/

KËSHILLA TË NGJASHME

TË TJERA

Gjinekologu kosovar sqaron pyetjen që shumë njerëz e kanë bërë, tregon sa lindje mund t’i ketë një grua që procesin e kryen me operacion

Lindja me operacion kryhet për shkak të indikacioneve të qarta. Duke marrë parasysh numrin e madh të lindjeve tek ne dhe përqindjen e lindjeve me prerje cezariane, komplikacionet janë të rralla, thotë gjinekologu Memli Morina. Sipas tij këto operacione kryhen nga profesionistë të aftë, prandaj gratë duhet ta ndiejnë veten të sigurtë dhe mos të kenë merak.“Nëse një grua lind...