Home Shëndetësi Kolesteroli, kur është i rrezikshëm për shëndetin

Kolesteroli, kur është i rrezikshëm për shëndetin

Kolesteroli, kur është i rrezikshëm për shëndetinRritja e kolesterolit në gjak bëhet shkak për një sërë sëmundjesh dhe sidomos për sëmundjen e zemrës. Rritja e kolesterolit shfaqet që në moshën 40-vjeçare, por, ka raste edhe më përpara. Ndodh të na ndjekë kudo, pa u larguar për asnjë moment.

Pikërisht atëherë, zë fill tundimi nga ushqimet e preferuara, por, që shumë shpejt kthehen në fruta të ndaluara. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se kolesteroli i lartë, apo thjesht kolesteroli, nënkupton një dietë të kujdesshme për të mbrojtur funksionin e zemrës dhe enëve të gjakut.

Por çfarë njohurish të nevojshme zotërojmë rreth “vlerave” personale të kolesterolit, që duhet të ketë secili prej nesh? Së pari, duhet të kemi të qartë se për çfarë kolesterine flasim. Tashmë jemi të vetëdijshëm për ekzistencën e HDL-së dhe LDL-së në gjakun tonë. Shuma e tyre përbën kolesterolin, për të cilin diskutojmë.

E para, i ashtuquajturi “i mirë”, përbën atë që shpesh edhe vlerësohet si kolesterina mbrojtëse. Më i rrezikshëm është prania e me tepricë e LDL-së. Nëse sasia e përgjithshme e kolesterinës i kalon të 250 miligramët, ka shumë mundësi që LDL-ja të jetë rritur.
Sëmundja
Nëse duke u bazuar në analizat e gjakut mjeku mendon se sasia e kolesterolit është e rritur, përpara se ai t’u vendosë në regjim dietor-ushqimor dhe t’u përcaktojë mjekimin e duhur, duhet të kontrollojë një sërë elementesh të tjerë. Një nga këta elementë është që mjeku duhet të sigurohet se pacienti nuk ka përdorur ndonjë kure ilaçesh, gjë e cila mund të ketë shkaktuar një gjë të tillë dhe të kryejë analizat e nevojshme nga ku provohet se pacienti nuk vuan nga ndonjë sëmundje tjetër, e cila mund të ketë sjellë rritjen e kolesterinës në gjak.

Nëse realizohen të gjitha këto dhe vlerat e kolesterinës mbeten të larta, atëherë mjeku mund të ndërmarrë terapinë me ilaçe dhe dietën e caktuar, për të ulur sasinë e tij. Midis sëmundjeve, të cilat mund të shkaktojnë lehtësisht rritjen e kolesterinës është edhe diabeti, anoreksia etj.
Përjashtime
Nëse përjashtohet prania e sëmundjeve të tjera, atëherë mund të mendojmë se vuajmë nga niveli i lartë i kolesterinës, e cila në këtë rast është e lindur (nuk ka ndonjë arsye tjetër). Në këtë moment shtrohet pyetja: është realisht i lartë dhe sa është me saktësi kjo vlerë?

Nëse përpara disa vitesh, supozohej si kufiri më i lartë sasia prej 200 miligramësh, sot çdokush ka një kufi të tij të dëshiruar, të cilit i korrespondon një sasi individuale kolesterine, në përputhje me gjendjen e funksionimit të zemrës. Ndaj shumë mjekë nuk interesohen më për shumën e kolesterinës, por vetëm për nivelin e LDL-së në gjak.

Kur jemi në rrezik?
Mjeku duhet të ndjekë me kujdes funksionimin e zemrës tek pacienti i cili vuan nga kolesteroli i lartë. Kjo gjë është e domosdoshme, pasi faktor i rrezikshëm për të sëmurët e zemrës e të enëve të gjakut, nuk është vetëm kolesterina e lartë. Por mund të jenë: hipertensioni, mosha, diabeti, jeta e mbyllur, pa shumë lëvizje, duhani etj. Atëherë mjeku mund të përkufizojë se cila është vlera e vërtetë, e përshtatshme për një person të veçantë dhe kështu ai mund të realizojë terapinë përkatëse.

Rastet kur funksionimi i zemrës është në rrezik
Personat që janë më tepër të rrezikuar të vuajnë nga kjo sëmundje, janë ata që paraqesin shenja të sëmundjeve në zemër apo në enët e gjakut. Po në këtë grup përfshihen edhe individët të cilët kanë më shumë se dy faktorë rreziku.

Për të gjithë këta, niveli fiziologjik i kolesterinës LDL nuk duhet të kalojë të 100 miligramët. Në këtë gjendje mjeku mund të ndërhyjë për të përmirësuar shëndetin e pacientit në këtë mënyrë: nëse vlera e LDL-së është midis 100 me 130 miligramë, do të mund ta ulte kolesterinën me dietë dhe ushtrime fizike.

Në rast të kundërt (LDL-ja i kalon të 130 miligramët), është e logjikshme të përparojë në përdorimin e kurës me ilaçe. Në disa raste rreziku vlerësohet si i mesëm, sidomos në rastet kur ekzistojnë një apo dy faktorë rreziku. (p.sh. për burrat, mosha mbi të 50-at dhe janë përdorues të duhanit, alkoolit etj). Mjeku do të ndërhyjë duke rekomanduar dietë dhe ushtrime fizike, nëse LDL-ja gjendet në kufijtë 130 deri 160 miligramë, dhe me ilaçe kur i kalon të 160 miligramët.

Kur rreziku është më i ulët për zemrën .
Rreziku për sëmundje të zemrës është më i ulët kur vlera-bazë e lejuar e LDL-së kap vlerën e 160 miligramëve (vlera e përgjithshme e kolesterinës shkon në 240 miligramë). Në këto raste mjeku do të fillojë përdorimin e terapisë me ilaçe kur LDL-ja do t’i kalojë të 190 miligramët (kolesterina e përgjithshme në 280 miligramë).

Rreziku më i ulët për sëmundjen e zemrës është tek disa kategori, si te gratë e reja, të cilat kanë vlera të LDL-së mbi 60 miligramë. Në këto raste LDL-ja e dëshiruar nuk duhet të kalojë të 190 miligramët (kolesterina e përgjithshme në vlera prej 280 miligramësh).

Si mund të dallohet prania e kolesterolit
Sasia e lartë e kolesterolit në gjak mund të dallohet nëpërmjet shenjave që shkakton në organizëm. Nëse një persona ka lodhje të vazhdueshme, rënie të përgjithshme të organizmit, marrje mendsh, probleme gjatë ecjes (ngërçe, fryrje dhe dhembje të këmbëve etj), atëherë ai duhet të drejtohet tek mjeku, pasi dyshimet për praninë me tepricë të kolesterolit janë më të mundshme.

Pacienti duhet të drejtohet tek mjeku për kryer analizat e matjes së vlerave të HDL-së dhe LDL-së. Mjeku është i vetmi person kompetent, për të kontrolluar vlerat e kolesterinës dhe për të përcaktuar nëse vërtet janë të larta apo jo dhe nëse keni nevojë t’i nënshtroheni ndonjë terapie. Në rastet kur vlera e kolesterinës vazhdon të rritet, atëherë është i nevojshëm përdorimi i kurave të përshtatshme me ilaçe. Pacientët duhet të kenë parasysh se do të kenë nevojë për terapi të vazhdueshme dhe të rrepta. Vetëm në këtë mënyrë do të jeni i sigurt.

box
Shenjat, të cilat janë të dyshimta për praninë e kësaj sëmundje:
Lodhje e vazhdueshme, pa shkak .
Rënie e përgjithshme e organizmit .
Marrje mendsh, probleme gjatë ecjes .
Ngërçe, fryrje dhe dhembje të këmbëve .
Formimi i disa qeskave, cisteve dhjamore, sidomos në zonën poshtë syve, nën veshë, midis gishtave etj

Si realizohen analizat?
Me anën e një analize të përgjithshme të gjakut, mund të kontrolloni vlerat e HDL-së dhe LDL-së.

Nëse kolesterina është e lartë.
Mjeku, mbasi të jetë ndërgjegjësuar për vlerat e kolesterinës në gjakun tuaj do të rekomandojë:
Dietë dhe ushtrime fizike .
Në rastet kur vlera e kolesterinës vazhdon të rritet, atëherë është i nevojshëm përdorimi i kurave të përshtatshme me ilaçe .
Të keni parasysh se do të keni nevojë për terapi të vazhdueshme dhe të rrepta .
Duhet të ruheni nga ushqime që janë favorizuesit më të mëdhenj të kolesterolit./Gazeta-Albania

TË TJERA

Rreziqet e fshehura të proteinës pudër

Mund të përmbaj sheqer, kalori dhe kimikate toksike. Të gjithë të pasionuarit pas palestrës në ndonjë pikë vendosën të kthehen drejtë proteinës pudër për rezultate më të mira dhe të shpejta në përmirësimin e shëndetit. Kjo pasi që proteina është esenciale për të formësuar dhe mbajtur në formë muskujt, për të forcuar eshtrat, për të rritur energjinë etj. Shumë të rritur nuk...