Kujdes nga dietat e rrezikshme pranverore

Me fillimin e ditëve të para pranverore kuptojmë se sa shumë jemi trashur gjatë dimrit. Pantallonat e vitit të kaluar nuk na vyejnë, kurse bluzat na bien tepër ngushtë.

Mendimi i parë që na bie në mend, është që urgjentisht ta fillojmë ndonjë dietë. Por, duhet ta dimë se nuk është e mundshme që për një periudhë të shkurtër të heqim qafe kilogramët e tepërt, të cilët i kemi shtresuar me muaj të tërë, e që kjo të mos pasqyrohet negativisht në shëndetin tonë të përgjithshëm.

Mjekët tërheqin vërejtjen se dieta nënkupton udhëzimet të cilat mjeku ia jep një personi, rreth asaj sesi të humbë kilet e tepërta. Regjimi i veçantë i jetës dhe ushqimit, nëse duhet, mund të praktikohet vetëm një herë, e jo që të bëhet stil i jetës!

Një person me një mbipeshë të skajshme do të duhej që të dobësohej për 10 deri 20% jo për më pak se 3-6 muaj. Çdo dietë nënkupton një nivel të urisë, për çka organizmi herët a vonë fillon që të kundërshtojë. Nëse në peshore shohim një peshë më të vogël për 4 kg, kjo d.m.th. se, në realitet, kemi humbur vetëm 1 kg, për shkak se thuajse të gjitha dietat bazohen në lëngje, prandaj në organizëm mbretëron uji. Sapo ai të largohet nga organizmi, përsëri paraqitet nevoja për të ngrënë dhe kthehemi në peshën e mëparshme. Në vend të dietave, të rinjtë do të duhej që të merreshin me aktivitet të përditshëm fizik.

Të rriturve dhe të shëndoshëve iu mjaftojnë tri shujta në ditë, në distancë prej pesë orëve midis tyre. Përpos kësaj, pjatën nuk duhet ta mbushni së tepërmi. Perimet më së shumti ndikojnë në rregullimin e peshës trupore, prandaj do të duhej që t’i hanim më së shumti, sepse ato na ngijnë, derisa nuk përmbajnë shumë kalori. Megjithatë, është e domosdoshme edhe që të ndryshojmë shprehitë në të ushqyer.

Kjo nënkupton që të hamë disa herë në ditë, e jo vetëm një herë, që të përtypemi ngadalë e jo të hamë në këmbë dhe për ngut. Me rëndësi është që nga menyja të eliminohen produktet e pasura me kalori, sikur që është majoneza, djathërat e yndyrshëm, ajka, produktet e mishit, ëmbëlsirat etj. Përpos perimeve, duhet të konsumoni edhe mish viçi, pule, peshq, vezë dhe produkte të qumështit, sepse ato janë burim i mrekullueshëm i proteinave, vitaminave të kompleksit B, hekurit, zinkut, kalciumit, selenit dhe mineraleve të tjera.