Kush e shkruan historinë e vet në web…

Prej 1 marsit në skenë (kushtimisht) në fuqi hyjnë rregullat e reja të Google për privatësinë (ose mungesën e saj) në shërbimet e Google.

Sipas rregullave të reja Google dëshiron të “ketë të drejtën” (të cilën kurrë nuk ia keni dhënë) që të kombinojë të dhënat dhe informatat për ju dhe sjelljet tuaja në Internet nga shërbime të ndryshme të Google që i shfrytëzoni.

Frika është që edhe pse të dhëna të ndryshme të pandërlidhura nga shërbime të ndryshme më vete nuk flasin aq shumë për ju, me kombinimin e tyre ka mundësi që të vihet deri tek të dhënat e detajuara nga profili për secilin shfrytëzues, dhe atë deri në shkallën e cila zakonisht është e pakapshme edhe për agjencitë e specializuara qeveritare dhe ndihmësit e tyre.

Nëse nuk dëshironi që të ndodhë kjo një prej mënyrave që të mashtroni Google është që të fshini web-historinë tuaj – historinë e shëtitjeve tuaja nëpër web që përfshin fjalët kyç që keni kërkuar, faqet që keni vizituar, videot që i keni shikuar, etj.

Këtë mund ta bëni ashtu që logoheni në accountin tuaj të GOogle në Gmail ose Google+ dhe në shiritin e adresës e futni https://www.google.com/history. Nëse e keni të aktivizuar shënimin e web-history, do të shihni listën e kërkimeve dhe faqeve të cilat i keni vizituar. Klikoni në “Remove all Web History” për të fshirë tërë historinë tuaj dhe më vonë klikoni për ta konfirmuar këtë.

Mënyra tjetër është që të logoheni në accountin tuaj në Gmail dhe duke klikuar në parametrat e accountit tuaj në këndin e sipërm të djathtë zgjidhni Account Settings. Në ekranin tjetër që ju shfaqet zgjidhni Services dhe Go to web history dhe fshin historinë tuaj nga Google.

Grupi punues Neni 29 (Article 29 }orking Party) është deklaruar pardje me një deklaratë duke thënë që rregullat e reja të Google shkelin ligjet e BE-së dhe nuk duhet të aplikohen për shfrytëzuesit e BE-së, siç ka paralajmëruar tashme dhe në letrën e vet më herët. Sipas agjencisë franceze për mbrojtjen e informatave rregullat e reja shkelin Ligjin e BE-së për mbrojtjen e informatave, ndërsa në përgjithësi rregullat e Google janë të thurura ashtu që janë të pakuptueshme edhe për ekspertët juridikë.