Home Këshilla të ndryshme Lëndë kancerogjene në vajin e skuqur dhe qeset e bukës

Lëndë kancerogjene në vajin e skuqur dhe qeset e bukës

Ata që i dinë me mirë pasojat që i shkaktohen shëndetit tonë nga qeset plastike për tregtimin e ushqimeve dhe vaji jashtë standardeve, janë kimistët.

Për shkak të mungesës së informacionit pjesa tjetër e popullatës nuk i kushton shumë rëndësi faktit se lëndë kancerogjene mund të na dëmtojnë rëndë.

Në intervistën e saj për gazetën Renata Kongoli Zv/Dekane e Fakultetit te Teknologjise Ushqimore shpjegon cfarë rreziku na vjen nga vaji i Fast-Foodeve dhe qeset plastike me të cilat shitet buka.

Çfarë ndodh me vajin kur ai nxehet dhe përdoret për skuqje në mënyrë të përsëritur?
Gjatë skuqjes, temperatura e vajit zakonisht arrin 170-220°C. Kur nxehja kryhet në këto temperatura, në prani të oksigjenit të ajrit, në vaj ndodhin reaksione kimike, si hidrolizë, oksidim dhe polimerizim. Me fjalë të tjera, vaji ndryshon karakterin e tij. Produktet e zbërthimit mund të përfshijnë acidet yndyrore të lira, hidroperoksidet dhe trigliceridet e polimerizuara. Viskoziteti i vajit rritet, ngjyra e tij bëhet me e errët dhe fillon të zhvillohet hidhërimi, djegia në grykë apo ndryshe rancidimi. Rancidimi është zbërthimi i yndyrave nëpërmjet oksidimit. Oksidimi i yndyrave rezulton nga zëvendësimi i një joni oksigjen me një jon hidrogjen në molekulën e acidit yndyror. Ky zëvendësim çrregullon molekulën dhe e bën atë të mundshme për përplotësim me pjesëza kimike që të lidhen përgjatë këtij zinxhiri.

Cilët janë faktorët që shpejtojnë në oksidimin e yndyrës?

Faktorët që shpejtojnë oksidimin e yndyrës janë metalet, si hekuri, zinku, bakri, kripa, drita, uji, bakteret dhe myqet. Oksidimi ndodh fillimisht në yndyrat e pangopura, me anë të një procesi ndërmjetës me radikalet e lira. Këto reaksione kimike gjenerojnë molekula me veprim të madh në hidhërimin e ushqimit, por që gjithashtu mund të shkatërrojnë edhe përbërësit ushqyes të ushqimit. Radikalet e lira, të formuara nga acidet yndyrore, veprojnë me oksigjenin dhe gjenerojnë perokside që hyjnë në reaksione të shumta, duke prodhuar një numër kompozimesh të tilla, si aldehide, ketone, acide, estere dhe yndyra të polimerizuara.

Cilat janë rreziqet që i kanosen organizmit të njeriut nga ushqime që skuqen në vaj të përdorur disa herë?
Sasia e produkteve të zbërthyera rritet me zgjatjen e nxehjes në temperatura të larta. Toksiciteti i këtyre produkteve të zbërthyera përbën problem për shëndetin. Të tjerë ndotës, të tillë si hidrokarbonet aromatike policiklike, mund të përqendrohen gjatë nxehjes të zgjatur.

Disa prej tyre është gjetur të jenë kancerogjenë. Disa tipa të vajrave bimore, të tilla si vaji i kikirikut, disa herë janë natyralisht të ndotura nga aflatoksina, e cila është shkaktare e kancerit. Peroksidet dhe produktet e tjera dytësore formohen duke shfaqur një ndryshim në molekulën e vajit. Acidet trans yndyrore prodhohen në këtë fazë.
Ju thatë që në vaj formohen toksina, të cilat mund të jenë kancerogjene dhe kjo është alarmante, por a ka pasoja të tjera më të lehta të cilat gjithashtu kërcënojnë shëndetin?
Oksidimi termik formon produkte zbërthimi flurore dhe jo flurore. Sikurse këto përbërës mbeten në vaj, përthithen edhe nga ushqimi i skuqur dhe pastaj hahen. Ushqimet që kanë në përbërje yndyra me oksidim të lartë dhe produkte të polimerizuara (që gjenden në vajrat e skuqur) shoqërohen me ndryshime qelizore, funksion endothelial të reduktuar, si dhe oksidim të LDL, risk për hipertension gjithashtu.

Është vërtetuar gjithashtu që në produktet ushqimore me bazë amidoni (patatja) në temperatura të larta skuqjeje, formojnë akrilamidi, i cili përthithet me lehtësi nga rrugët e frymëmarrjes, epoksid që mund të veprojë më ADN. Efekti i këtyre reaksioneve është formimi i neurotoksinës që ka efekte serioze në shëndet, sepse sjell funksionim të keq të proteinës dhe problem të kontrollit të muskujve. Ngrënia e vajrave shumë të skuqura ka një efekt në reaksionet alergjike të aparatit tretës, rritje të vonesës në tretje, rritje të peshës së mëlçisë dhe tëmthit dhe reaksione të tjera biokimike. Nekroza apo vdekja e qelizave, njolla të kuqe të errëta dhe hemorragji u gjetën në minj të ushqyer me ushqime të skuqura pas përdorimit të vajit shumë herë.
Të ndalemi pak te ndotja nga plastikat, pasi së fundi po diskutohet tepër për ndalimin e qeseve plastike, sidomos për tregtimin e bukës. A ka pasoja plastika në organizmin tonë?

Ndotja nga materiali plastik sot është një çështje serioze e ndotjes së mjedisit. Materiali plastik çliron kompozime që shkaktojnë kancerin, të tilla si dioksina dhe furane. Shtesat kimike që sot përdoren në materialet plastike për t’i bërë ato më të buta apo më të forta, në funksion të qëllimit të përdorimit, shkaktojnë problem serioze në shëndetin e njeriut. Dy shtesat më problematike janë BFA (Bisfenoli A) dhe ftalatet. BFA nxit probleme si obeziteti apo puberteti i hershëm tek vajzat (që është edhe ky pararendësi i obezitetit) ul nivelin e testosteronit, imunitet të ulët dhe sjellje agresive tek fëmijët.
Edhe ftalatet janë përçarës hormonesh, që rrisin astmën, ulin riprodhueshmërinë te meshkujt dhe luajnë rol në obezitet dhe rezistencën e insulinës.

Temperatura e vajit
Vaji përbëhet nga disa produkte polare që janë të dëmshme për shëndetin. Kur ai përdoret në mënyrë të tillë, këto produkte shtohen në maksimum. Nga skuqja e herëpashershme e vajit produktet polare transformohen në produkte kancerogjene. Gjatë konsumimit të ushqimit, ato depozitohen në trupin e njeriut dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme, përfshi dhe sëmundjet kancerogjene. Çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes, e cila nuk duhet të tejkalohet. Prandaj rekomandohet që të lexohen etiketat dhe të ndiqen rregullat e përdorimit të tyre. Vajrat më të mira që rekomandohen për t’u përdorur janë vajrat me përmbajtje vegjetale dhe të rafinuar.

Normat e lejuara
• Vendet e BE-së, 25 për qind të produkteve polare
• Vendet e tjera, 30 për qind të produkteve polare
• Kur vaji është i papërdorshëm
• Vaji të mos kalojë deri në tymosje
• Duhet të jetë i hollë, të ketë ngjyrën e tij, dhe jo ngjyrën në nuancë të theksuar kafe
• Çdo lloj vaji ka një temperaturë të caktuar të skuqjes, e cila nuk duhet të tejkalohet
• Nuk duhet që të ketë mbeturina në fund, të cilat vijnë nga skuqja e ushqimeve të mëparshme
• Të mos hidhet vaji i ri mbi atë të parin që është përdorur disa herë, pasi mund të jetë tepër e rrezikshme/panorama/

TË TJERA

Rreziqet e fshehura të proteinës pudër

Mund të përmbaj sheqer, kalori dhe kimikate toksike. Të gjithë të pasionuarit pas palestrës në ndonjë pikë vendosën të kthehen drejtë proteinës pudër për rezultate më të mira dhe të shpejta në përmirësimin e shëndetit. Kjo pasi që proteina është esenciale për të formësuar dhe mbajtur në formë muskujt, për të forcuar eshtrat, për të rritur energjinë etj. Shumë të rritur nuk...